Teatri Kombëtar/ FOTO-Urim Krasniqi

Antikorrupsioni vërteton konfliktin e interesit në rastin e Shkëlzen Veseli dhe Adrian Morinës

Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës (AKK) ka nxjerrë në konflikt interesi dy aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), Shkëlzen Veselin dhe Adrian Morinën.

Dy aktorët, Veseli e Morina, sipas një opinioni të AKK-së, derisa mbanin poste drejtuese në TKK janë angazhuar në shfaqjet e këtij teatri.

AKK konstaton në opinionin e saj se me këtë rast dy aktorët kanë shkelur Ligjin për Teatrot, përkatësisht nenin 20 të këtij ligji.

Sipas Antikorrupsionit, Shkëlzen Veseli është emëruar u.d. drejtorit të TKK-së, nga Këshilli Drejtues (KD), me vendim nr. 371, të datës 20.09.2019 dhe gjatë qëndrimit të tij një javor (shkarkuar, nga KD më 27.09.2019) në këtë pozitë ai është angazhuar në shfaqjen, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”.

Ndërsa, Adrian Morina (në opinionin e AKK-së shënohet Ardian Morina) është emëruar u.d. udhëheqësit artistik të TKK-së nga Këshilli Drejtues më 17.10.2019. Morina gjatë kohës sa mban këtë pozitë është angazhuar në shfaqjen “Kthimi i Karl Majit”.

AKK konstaton se drejtori i TKK-së dhe udhëheqësi artistik nuk mund të angazhohen në shfaqjet e Teatrit Kombëtar, pasi kjo situatë është e ndaluar me nenin 20 të Ligjit për Teatrot.

“Kjo dispozitë ligjore vlen edhe për U.D drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe U.D udhëheqësin artistik, sepse edhe në kuadër të ushtruesve të detyrave, ushtrohen të gjitha autorizimet e përcaktuara të vendit të punës. Pavarësisht se të lartpërmendurit janë caktuar në pozitat U.D drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe U.D udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga trupa rezidente e teatrit, dispozita ligjore e përcaktuar në TKK e kufizon angazhimin në shfaqjet e TKK-së”, thuhet në opinionin e Antikorrupsionit.

Po sipas këtij opsioni, AKK-ja kërkon nga KD i TKK-së që të ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të shmangies së gjendjes së konfliktit të inversit, sipas ligjit nr. 04/L-104 për teatrot.

“Duke qenë se angazhimi i aktorëve rezident në TKK ka impakt në kategorizimin e aktorëve sipas Rregullores nr. 04/2019 për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident të aktorëve të TKK-së dhe teatrove të qyteteve, duhet të kihet parasysh se rolet e angazhuara në situatat e konfliktit të interesit nuk mund të shfrytëzohen për kategorizimin e aktorit rezident në TKK”, thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shkëlzen Veseli dhe Adrian Morina, deri në publikimi e shkrimit, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Kallxo.com lidhur me opinionin e e AKK-së.

Kujtojmë se Veseli është dënuar në 2018 për vepër penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të një sulmit fizik ndaj një kolegu të tij në TKK. Kurse për Ardian Morinën AKK-ja kishte konstatuar edhe një rast tjetër të konflikt te interesit më 2019, gjatë procesit të kategorizimit të aktorëve rezident të TKK-së.

Vendimi për dy shfaqjet që përmenden në opinionin e AKK-së janë marrë nga Këshilli Drejtues i kaluar i TKK-së.

Agron Shala, kryetar i KD-së aktual të TKK-së ka thënë për Kallxo.com se opinioni i AKK për rastin e Veselit dhe Morinës do të diskutohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të KD-së së TKK-së.

“Kjo çështje do të adresohet në mbledhje e ardhme të KD-së. Ne në të ardhmen nuk do të lejojmë që të merren vendime që bien ndesh me ligjet”, ka thënë Shala, për Kallxo.com.

Ligji për Teatrot, përkatësisht neni 14 dhe 15, përcaktojnë përgjegjësitë dhe detyra e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik të TKK-së. Ndërkaq neni 20, përcakton kufizimet e drejtuesve të TKK-së, për shmangien e konfliktit të inversit.

“Drejtori i përgjithshëm, udhëheqësi artistik dhe anëtarët e Këshillit Drejtues nuk kanë të drejtë që gjatë mandatit të tyre të merren me punë krijuese të kontraktuara në teatrot ku punojnë. Përjashtim nga paragrafi 2, i këtij neni bën nëse në Këshillin Drejtues për anëtar, emërohet ndonjëri nga trupat rezidentet të teatrit”, thuhet në nenin 20, përkatësisht në paragrafin 2 dhe 3 të Ligjit për Teatrot.