Arkiv - Pamje të Kosovës pas luftës. Foto: Flickr/ Marietta Amarcord.
Shtyllat e Drejtësisë Tranzicionale - Konteksti i Kosovës / E ardhmja e Kosovës përmes Ballafaqimit me të Kaluarën
Në diskursin publik, e sidomos atë të Kosovës, ende ka dilema dhe dritëhije mbi rolin dhe rëndësinë e Drejtësisë Tranzicionale. Njerëzit, në mënyrë intuitive, mund të kenë ndonjë ide mbi konceptet e kësaj fushe, por pa e ditur se cila shkencë i inkapsulon gjitha ato koncepte.
Këtu nevojitet një emancipim më i gjerë mbi këtë fushë studimi, e cila përnga natyra, është duke marrë hov të madh të zhvillueshmërisë. Luftërat, ose konfliktet, mund të përfundojnë, realisht dhe faktikisht, por konsekuencat e tyre, një shoqëri i bartë me dekada në të ardhmen. Shpeshherë shoqëritë si pasojë e konfliktit gjenden në një pozitë kritike ku ballafaqimi për drejtësi përplaset me nevojat për ri-ndërtim, pajtim dhe paqe. Askund ky ekuilibrim nuk është më i dukshëm se në Kosovë, një rajon i shënuar me plagë të luftës dhe me kompleksitetet e transformimit pas konfliktit. G.W.F Hegel thoshte se “Historia botërore është një gjykatë e vënies së drejtësisë [Gericht] […]” (Hegel, 1991, f. 372).
Kjo ka bërë që shoqëria si e tillë të krijojë mekanizma të cilët vënë në dritë të bëmat e regjimeve të ndryshme autoritare të cilat, në kontuinitet të vazhdueshëm, kanë cenuar vlerat fundamentale të ekzistencës njerëzore. Roli i Drejtësisë Tranzicionale, në ballafaqimin me të kaluarën, është i pamohueshëm. Kjo vërtetohet nga pesha që ka në vendet post-konfliktuale, duke përfshirë këtu vendet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos Kosovën, në sfidat që këto shtete janë në proces të restaurimit të principeve qenësore të mirëmbajtjes shtetërore, siç janë: Demokracia; Sundimi i Ligjit; Të Drejtat e Njeriut; Të Drejtat e Minoriteteve, të cilat shërbejnë si uvertyrë për çdo proces të shtetndërtimit. Konteksti historik e bën edhe më të rëndësishëm detyrën që faktorët institucional dhe jo vetëm të trajtojnë plagët e hapura të shoqërisë në formën dhe mënyrën adekuate, sepse “historia është e ndërtuar në frymën e lirisë dhe të arsyes” (Ibid, f. 372).
“Kërkimi i drejtësisë, paqes dhe demokracisë nuk janë objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën, por janë imperativë që ndihmojnë njëra-tjetrën reciprokisht.” (United Nations Security Council, 2004, f. 1). Proverba franceze “Le mort saisit le vif” (Të gjallët mbesin peng nga të vdekurit) kontekstualizon më shumë rolin e Drejtësisë Tranzicionale, në kuptimin e asaj që “peng për të gjallët” është imperativi i gjeneratave të reja të punojnë që drejtësia të vihet për ato jetë të humbura, e ata njerëz që ende janë të afektuar nga pasojat e konflikteve. “Luftërat dhe represioni shtetëror kanë lënë shoqëritë të shkatërruara dhe mori njerëzish të traumatizuar, të zhvendosur apo edhe të zhdukur.
Kosova është një shoqëri e tillë.” (KIPRED, 2009, faqe 4). Lufta u përdor dhe përdoret për të tjetërsuar atë që në esencë është qenësia njerëzore, në frymën e arritjeve të qëllimeve ogurzeza të një individi apo një grupi të caktuar. Fakti se, kalimi “nga një konflikt i armatosur dhe gjendjes së represionit tek një shtet paqedashës me demokraci funksionale kërkon nga shoqëria që të marrë qëndrim përballë shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në të kaluarën e afërt”. Kosova ende është duke kaluar në procese konsoliduese të shtetësisë, dhe ne besojmë se trajtimi i zhvillimeve të reja lidhur me hapat e ndërmarrë, në trasimin e rrugës drejtë asaj që ne quajmë “Trajtim gjithëpërfshirës” të atyre grupeve të afektuara nga lufta, kërkon një vëmendje kolektive të të gjithë akterëve pjesëmarrës.
Hetimet penale ndaj përgjegjësve të krimeve të luftës – Shqyrtim historik e kontekstual
Përndjekja e kryesve të krimeve të luftës është një element thelbësor i Drejtësisë Tranzicionale. Mund të shtrojmë pyetjen Pse? Llogaridhënia, Drejtësia për viktimat dhe Pajtimi janë nën-elemente të Tranzicionit post-konfliktual. Fillojmë nga e para:
Llogaridhënia: Përgjegjësia Penale në sferën e krimeve të luftës është përgjegjësi individuale andaj mbajtja e kriminelëve të luftës përgjegjës për krimet e kryera është jo vetëm një reagim i shtetit në bazë të sundimit të ligjit por edhe kontribuon në aspektin pasrendës.
Drejtësia për Viktimat: Burgimi i kriminelëve të luftës është vetëm një mbyllje e vogël e dhimbjeve shpirtërore apo materiale që kanë pësuar.
Pajtimi: “Adresimi i çështjeve të krimeve të luftës përmes procedurave gjyqësore ndihmon popullin civil që të zhvillojnë tranzicionin në mënyrë stabile, Dënimi i kryesve të Krimeve të Luftës bën që ndjesia, tek te dy popujt, për Drejtësi të ngritet dhe ndjesia për hakmarrje të zhduket”. (Teitel, 2003, f. 74-94)
Ana juridike për normimin e Krimeve të Luftës mund të përmblidhet me emërtimin e Ligjit Ndërkombëtar Humanitar (“IHL”), ku për bazë të saj kemi Drejtësinë Zakonore Ndërkombëtare dhe disa nga konventat fundamentale të “IHL” të cilat janë Konventa e Hagës e vitit 1899 dhe 1907 ku “më shumë përcakton rregullat e sjelljes së forcave të armatosura” dhe Konventat e Gjenevës dhe Protokollet shtesë në relacion me Konventën e Gjenevës të vitit 1949 e cila kryesisht përcakton Mbrojtjen e Civilëve në kohë lufte, trajtimin e të burgosurve, ndalimin e disa llojë armëve, mbrojtjen e hapësirave kulturore-civile, trajtimin e të lënduarve, etj. Normat juridike që sanksionojnë krimet e luftës karakterizohen si norma “jus cogens” (norma imperative). Ato përfshijnë ndalimin absolut të krimeve të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Spastrimit Etnik, Torturës, Skllavërisë dhe Agresionit. Çdo ligj apo traktat, marrëveshje ndërkombëtare, ligje nacionale duhet të jetë në përputhje me to.
Korniza ligjore mbi Krimet e Luftës daton qysh nga viti 1899, por implementimin dhe përmbarimin e tij të parë e gjejmë si pasojë e krimeve të shkaktuara nga regjimi Nazist ku formohet Gjykata e Nurembergut, e cila merr fuqinë juridike nga marrëveshja e Londrës së vitit 1945 mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Francës për t`i ndëshkuar krimet çnjerëzore të regjimit Nazist në Luftën e Dytë Botërore. Nga kjo Gjykatë “lindin” precedentë dhe zakone ndërkombëtare që do të ndryshojnë të gjithë shkencën juridike. Disa nga to janë: Individualizimi i veprave të krimeve të luftës veç e veç për secilin të akuzuar, gjykimi në mungesë dhe indiciet e para për nevojën e një Gjykate Ndërkombëtare, ku si rrjedhojë e saj krijohet Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Statuti i Romës. Gjithsej Gjykata e Nurembergut pati 185 të akuzuar, 142 të dënuar, 24 nga ta me dënim kapital, 20 nga ta dënim me burgim të përjetshëm, 98 dënime të ndryshme, 35 të pafajshëm dhe ndaj 8 të akuzuarve janë tërhequr aktakuzat. (Marrus, 1997). Në mënyrë të ngjashme, krijohet Gjykata e Tokios (1946-1948) ku në këtë u ndoqën liderët ushtarak dhe politik japonezë për veprimet e tyre gjatë luftës. Këto dy gjykata krijuan bazat për përpjekjet e mëvonshme ndërkombëtare për të trajtuar krimet e luftës dhe mizoritë.
Tribunalet ndërkombëtare
Epoka e pas Luftës së Ftohtë pa përpjekje të reja për të adresuar krimet e luftës përmes mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë. Tribunali Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë (ICTY) i themeluar përmes rezolutës 827 më 1993 dhe Tribunali Ndërkombëtarë për Ruandën (ICTR) i themeluar me rezolutën 955 më 1994. Këto tribunale ishin thelbësore në ndjekjen penale të shkeljeve serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Më datë 22 dhjetor 2010, me rezolutën e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, numër 1966, u themelua Mekanizmi Ndërkombëtarë Për Tribunalet Penale, i cili do të vazhdonte, faktikisht, juridiksionin material, territorial, kohor dhe personal të Tribunalit për ish-Jugosllavi dhe atij të Ruandës. Më 10 maj 2024, ky mekanizëm, refuzoi kërkesën e kriminelit Ratko Mladić, për lirim të parakohshëm.
Tribunali Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë (ICTY), ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ky tribunal iu dha viktimave një mundësi për të shprehur tmerret që dëshmuan dhe përjetuan dhe vërtetoi se ata që dyshohen se mbajnë përgjegjësinë më të madhe për mizoritë e kryera gjatë konflikteve të armatosura mund të thirren në përgjegjësi. Strategjia e ndjekjes për përgjegjësi penale u përdor me metodën hierarkike “nga lartë-poshtë” që do të thotë që njësia komanduese e forcave ushtarake, policore janë gjykuar nga ky Tribunal.
Disa nga rastet më eklatante janë:
- Radovan Karadžić: I dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit (përfshirë shfarosjen, vrasjen, persekutimin, dëbimin dhe aktet çnjerëzore) dhe krime lufte (përfshirë sulmet e paligjshme ndaj civilëve dhe marrjen e pengjeve).
- Ratko Mladić: I dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit (përfshirë persekutimin, shfarosjen, vrasjen, dëbimin dhe aktet çnjerëzore), dhe krime lufte (përfshi terrorin, sulmet e paligjshme ndaj civilëve dhe marrjen e pengjeve).
- Sllobodan Milošević: I akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit (përfshirë shfarosjen, vrasjen, persekutimet, dëbimin dhe aktet çnjerëzore) dhe krime lufte (përfshirë vrasjen, shkaktimin e paligjshëm të terrorit mbi civilët dhe marrjen e pengjeve). Në lëndën kundër Milošević nuk u arritën objektivat tradicionale të së drejtës penale si ndëshkimi, drejtësia për viktimat dhe mospërsëritja e krimeve (Tromp, 2021, f. Megjithëse procesi gjyqësor la pas saj efekte të mëdha në politikën globale, dhe në zhvillimin e drejtësisë ndërkombëtare. Tek rasti i Milošević nuk duhet harruar një fakt detrimental në procesin gjyqësor kundrejt tij. Edhe pse nuk kishte aktgjykim final ndaj veprave për të cilat ai akuzohej, ekziston një aktgjykim i ndërmjetëm në këtë rast i cili nuk është edhe aq i përfolur në diskursin publik. Në bazë “Rregullave të Procedurës dhe Provave”, specifikisht rregulli 98bis, përmendet mundësia e marrjes së një vendimi për lirim nga akuza në qoftë se vërtetohet se pala akuzatore nuk ka mbledhur prova të mjaftueshme për vërtetimin e pikave në aktakuzë. Në këtë “aktgjykim të ndërmjetëm” Tribunali konkludon se disa pika të aktakuzës duhet të largohen, një shumicë e madhe mbeti, duke përfshirë këtu edhe akuzën për gjenocid në Srebrenicë dhe në gjashtë komunat tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjykimi ka vazhduar deri në vitin 2006, deri në momentin kur ka vdekur Milošević. Disa nga rastet tjera që ndërlidhen me Kosovën të cilat po ashtu shpërfaqin politikën gjenocidale dhe të spastrimit etnik të regjimit serb të asaj kohe janë:
- Vlastimir Đorđević: Ishte zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 1997-2001, Shef i Zyrës së Sigurisë Publike në MPB-në serbe dhe përgjegjësi kryesor i trupave të dislokuara në Kosovë gjatë 1 janar – 20 qeshor 1999. Ai u dënua me 18 vite burg mbi këto akuza: deportim, akte tjera johumane (transferim me forcë), vrasje, persekutim në bazë politike, racore apo fetare.
- Rasti Šainović dhe të tjerët: TPNJ ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre individëve nga regjimi serb: Milan Milutinović, Sreten Lukić, Vladimir Lazarević, Nebojša Pavković, Dragoljub Ojdanić dhe Nikola Šainović.
Roli i Tribunalit Penal për ish-Jugosllavi ishte i pamohueshëm në arritjen e drejtësisë dhe së të vërtetës mbi atë se çka ka ndodhur në Kosovë. Pas miratimit nga KS i OKB-së së rezolutës 1244/99 u vendos misioni i UNMIK-ut në Kosovë (United Nations Mission in Kosovo). UNMIK në masë të madhe u morr me rikthimin e bazamentit të sistemit të drejtësisë përmes PSSP-së. Gjykimi i krimeve të luftës nga ana e misionit të UNMIK-ut, është përcjellë me një sërë mangësish, të cilat kanë pamundësuar trajtimin efikas të këtyre rasteve. Në raportin e IKD, i cili citon një raport të FDH-së në Kosovë, theksohet se “gjykimet e organizuara nga ana e Misionit të KB-ve kanë zgjatur shumë, se rastet disa herë janë kthyer në rigjykim, më së shpeshti për shkak të hetimeve të zhvilluara në mënyrë jocilësore, ndryshimit të deklaratave në shqyrtimet kryesore krahasuar me ato, të cilat i kanë dhënë në fazat e mëhershme të procedurës ose të hetimeve si dhe për shkak të pamundësisë së prokurorëve që nga dëshmitarët të sigurojnë informata, me të cilat do të vërtetonin pretendimet e aktakuzës. Gjatë shqyrtimit janë evidentuar lëshime në kryerjen e hetimeve, posaçërisht nga ana e policisë”. Sipas të dhënave të FHD-së, nga viti 2000 deri në vitin 2008 nga prokurorët e UNMIK-ut, janë ngritur aktakuza ndaj tre (3) serbëve, 19 shqiptarëve dhe një (1) malazezi. Pas UNMIK-ut, kompetente për hetimin e krimeve të luftës ishte EULEX (Europian Union Law Mission in Kosovo). EULEX nga UNMIK-u ka trashëguar gjithsej 1200 raste për krime lufte, 2000 dosje për personat të zhdukur, dhe 47 raste iu referohen Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës.
Hetime penale, për krime lufte, janë kryer edhe në Serbi. Nga raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, që nga viti 2003, deri në fund të vitit 2023, u ngritën 104 aktakuza për krime lufte, ku të pandehur ishin së paku 238 persona, ku përfshiheshin 3,544 viktima të cilët humbën jetën. Aktgjykime finale janë arritur në 68 raste dhe 21 raste tjera janë ende në procedurë. Nga gjitha këto raste, të cilat kanë marrur epilog, 94 prej të akuzuarve janë dënuar, ndërsa 56 janë liruar nga akuza. 30 aktakuza janë hudhur poshtë, për arsye se shumica e të akuzuarve ose kanë vdekur, ose nuk kanë pasur kapacitet që të vazhdojnë me procedurë.
Dhomat e Specializuara – një përmbledhje
Një përmbledhje kronologjike që fillon nga themelimi i këtyre Dhomave të Specializuara e deri tek ngritja e aktakuzave dhe marrja e aktgjykimeve të para, konsiston në këtë renditje:
- Ideja për themelimin e Dhomave të Specializuara, ka pikënisjen tek raporti i senatorit Dick Marty, raport ky i influencuar nga një “mocion për një rezolutë” të Konstantin Kosachev, senator rus, më date 15.04.2008. Këto dy raporte hedhin akuza dhe hamendësojnë mbi atë se çka thuhet në librin e Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së ish-Tribunalit për Jugosllavi (ICTY).
- Në vitin 2011 u krijua Task Forca Speciale Investigative, për të hetuar mbi këto akuza të hedhura nga raporti Marty. Kjo task-forcë u udhëhoq nga ambasadori amerikan Clint Williamson. Kjo task-forcë ishte definuar si një organ autonom, jurdiksioni i së cilës derivon nga Misioni i BE-së mbi Sundimin e Ligjit (EULEX).
- Në deklarimin publik të ambasadorit Williamson, thuhet se task-forca ka gjetur prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzat e para. Ai po ashtu konstaton se, në relacion me akuzat për trafikim të organeve, nuk janë gjetur prova të mjaftueshme, të cilat mund ta vërtetojnë akuzën e shprehur në raportin e Marty-it.
- Më datë 05.08.2015, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, votohet amandamenti nr.24 i Kushtetutës së Republikës, ku shtohet neni 162 [Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar]. Më datë 31.08.2015, publikohet “Ligji Nr. 05/L-053 Për Dhomat e Specializuara Dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
- Pas miratimit të ndryshimit kushtetues dhe ligjeve të lartcekura, më 22 dhjetor 2017, në Kuvendin e Republikës së Kosovës ishte bërë një tentativë për të zhbërë Gjykatën Speciale, çka kishte nxitur reagimin e komunitetit diplomatik ndërkombëtar në Kosovë.
- Më 24 Gusht 2020, ish-Presidenti Hashim Thaçi, kishte propozuar amandamentet kushtetuese nr. 26 dhe nr. 27, të cilat do ta kufizonin mandatin kohorë të këtyre Dhomave në 5 vite, që nga momenti i themelimit të tyre. Këto amandamente, më datë 18 shtator 2020 iu janë referuar Dhomës së
Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, nga atëherë Kryetarja e Kuvendit, tani Presidente e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani- Sadriu. Kjo dhomë konstaton se amandamentet e propozuara cenojnë të drejtat e njeriut, specifikisht kapitullin 2 të Kushtetutës. Më 26 nëntor 2020, Dhoma e Specializuar e Gjykatës, kishte konfirmuar se mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Europian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre. Ndër të tjera, thuhet se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës. (Raporti i IKD, Gjykimet Speciale, 2022).
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur këto aktakuza:
-
- Hashim Thaçi Et Al. e konfirmuar më datë 26 tetor 2020, e publikuar më datë 5 nëntor 2020.
- Sali Mustafa e konfirmuar më datë 12 gusht 2020, e publikuar më datë 28 shtator 2020.
- Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, e konfirmuar më datë 11 dhjetor 2020, e publikuar më datë 14 dhjetor 2020.
- Pjetër Shala, e konfirmuar më datë 12 qershor 2020, e publikuar më datë 15 prill 2021.
- Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, e konfirmuar më datë 2 tetor 2023, e publikuar më datë 12 dhjetor 2023.
- Isni Kilaj, i cili sipas Dhomave të Specializuara konsiderohet ende si i dyshuar, i është ngritur aktakuzë më 15 dhjetor 2023, një aktakuzë tjetër të rishikuar më 11 mars 2024. Ndërsa më datë 18 korrik 2024, Zyra e Prokurorit ngriti një aktakuzë të amandamentuar.
- Nga të gjitha këto raste, aktgjykime kemi vetëm për rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Sali Mustafa u gjet fajtor për krime lufte të mbajtjes arbitrare, torturë dhe vrasje, ndërsa u lirua nga akuza trajtimit çnjerëzorë. Në shkallën e parë u dënua me 26 vite burg, ndërsa pas shqyrtimit nga shkalla e dytë dënimi u ul në 22 vite burg. Lënda e tij për momentin është duke u shqyrtuar nga Paneli i Dhomës së Specializuar i Gjykatës Supreme, pas përdorimit të mjetit të jashtëzakonshëm, për mbrojtjen e ligjshmërisë. Më datë, 29 korrik 2024, ky panel e pranon kërkesën e z.Mustafa, pjesërisht, dhe anuloi aktgjykimin e Apelit, ku z.Mustafa dënohet me 22 vite burg. Pjetër Shala u shpall fajtor për krime lufte të mbajtjes arbitrare, torturës dhe vrasjes, ndërsa u lirua nga akuza e trajtimit çnjerëzorë. Ai u dënua me burgim prej 18 viteve.
Mbi reparacionet – vështrim i përgjithshëm
Kurdo që flasim për drejtësinë tranzicionale, është e paevitueshme që pjesë e diskutimeve të mos jenë reparacionet. Nga 4 (katër) shtyllat e drejtësisë tranzicionale, rrjedhimisht 1. E vërteta 2. Drejtësia, 3. Garancitë për mos-përsëritje, është shtylla e katërt, ajo e reparacioneve që ka rol krucial në materializimin e asaj që synohet me drejtësinë tranzicionale, id est vendosja e viktimës në qendër. Reparacionet e bëjnë fasilitimin e këtyre shtyllave. “Që diçka të llogaritet si reparacion, si masë drejtësie, duhet të shoqërohet me njohjen e përgjegjësisë dhe të lidhet pikërisht me të vërtetën, drejtësinë dhe garancitë e mospërsëritjes”. Për të gjykuar në formë të drejtë, duhet shikuar shembujt historik, dhe rolin e reparacioneve në tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës. Reparacionet në kontekst viś-a-viś shteteve të dalura nga lufta na paraqiten tek Traktati i Versajës, në kapitullin e 8, neni 231, ku Gjermania dhe aleatët e saj shpallen që janë fajtorët kryesor të shkaktimit të dëmeve të luftës. Karakteri i reparacioneve në të dy luftërat botërore kishte formën e njëjtë, atë të kompensimit të dëmit dhe të rikthimit në gjendjen e mëparshme. Përgjatë negociatave në Francë për Traktatin e Versajës “[Presindeti] Wilson më në fund pranoi që të ketë provisione të cilat e detyrojnë Gjermaninë t`ua paguaj pensionet e viktimave të luftës dhe disa kompensime për familjet e tyre”. (Kissinger, 1994, f. 240). U caktua një periudhë prej 5 vite që këto reparacione të paguhen. “Përbrenda këtyre pesë viteve Gjermania pagoi afër 1 miliard dollarë në reparacione dhe mori hua nga ShBA në shumën prej 2 miliardë dollarë”. (Ibid, f.272). Ndërsa, pas Luftës së Dytë Botërore, në Luksemburg, më datë 10 shtator 1952, u nënshkrua marrëveshja midis Gjermanisë dhe Izraelit për pagimin e reparacioneve për shkak të Holokaustit. Aty u dakordua për një shumë prej 3 miliardë DM (Deutch Mark) apo 714 milionë dollarë (bazuar në shkallën këmbimore të vitin 1952). Nga viti 1945 deri në vitin 2018, qeveria gjermane pagoi rreth 86.8 miliardë dollarë në kompensim dhe dëmshpërblim për viktimat e Holokaustit dhe trashëgimtarët e tyre.
Ishte tejet interesante vetë fakti i formës së emërtimit të reparacioneve. Dilema ishte se a duhet përdorur terminologjia e gjuhës gjermane, wiedergutmachung, që do të thotë “të bësh prapë mirë”, apo termi në gjuhën hebraike, shilumim, që në esencë ka domethënien e njëjtë. (Teitel, 2000, f. 124). Kjo ndoshta mund të duket si element i cili nuk çon edhe aq shumë peshë, po ka një rëndësi, pa çka se simbolike, që reparacioneve ndaj viktimave, të një grupi ndaj të cilëve ishin subjekt i shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut, të iu referohen reparacioneve në gjuhën e tyre. Reparacionet luajtën rol të pamohueshëm në periudhat kur shtetet filluan tranzicionin nga sistemi komunist në atë demokratik, dhe atë specifikisht mbi të drejtat e rimarrjes së pronës. Rastet më të veçanta dhe më të diskutuarat janë ato të Hungarisë dhe Çekisë. (Ibid, f.129-133). Në raportin e Raportuesit Special të OKB-së potencohet se reparacionet, në relacion me viktimat “ashtu si masat e tjera të drejtësisë tranzicionale, […] sigurojnë njohjen e viktimave jo vetëm si viktima, por, më e rëndësishmja, edhe si mbajtës të të drejtave. Për më tepër, ato mund të promovojnë besimin në institucione, të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të inkurajojnë integrimin ose pajtimin e shoqërisë”. Për nga karakteri, reparacionet mund të ndahen në “individuale” dhe ato “kolektive”. Reparacioneve individuale ju referohemi atyre rasteve, ku shteti merr masa të cilat synojnë kompensimin apo rikthimin e të drejtave individuale të viktimës. Ndërsa reparacionet kolektive nënkuptojmë ato masa të cilat synojnë të adresojnë dëmet e shkaktuara ndaj një grupi të njerëzve apo një komuniteti. Reparacionet kanë zënë një vend të lartë në kodifikimin ndërkombëtarë, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike e jo vetëm. Është e paevitueshme që në korpusin normativ të reparacioneve të mos përmenden “Parimet dhe udhëzimet themelore mbi të drejtën për një mjet juridik dhe Dëmshpërblimi për viktimat e shkeljeve të rënda të Ligjit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut dhe Shkeljeve të Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare” apo ndryshe të njohura si Principet e Van Boven-it. Aty etablohen edhe nën-ndarjet/format e reparacioneve: kthimi/restituimi, kompensimi, rehabilitimi, satisfaksioni dhe garancitë e mospërsëritjes.
GJNP (Gjykata Ndërkombëtare Penale) e krijuar me dokumentin themeltar të saj, i njohur si Statuti i Romës, njeh të drejtën në reparacione, ku në nenin 75 thekson “Gjykata do të vendos parimet në lidhje me dëmshpërblimet ndaj viktimave ose në lidhje me ato, duke përfshirë kthimin, kompensimin dhe rehabilitimin”. Në Statut parashihet edhe themelimi i një Fondi të Trustit, i cili iu dedikohet viktimave që janë përbrenda juridiksionit të Gjykatës. Reparacionet marrin formë të qartë edhe në aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare. Bazamentet e reparacioneve i ka shtruar Gjykata Inter-Amerikane për të Drejtat e Njeriut. Rasti më i përmendur nga kjo gjykatë është ai i Velásquez-Rodríguez v. Honduras. Ky rast ka të bëjë me zhdukjen e Ángel Manfredo Velásquez Rodríguez, një student dhe aktivist, gjatë periudhës represive në Hunduras. Gjykata thekson rëndësinë e reparacioneve, ku detyron që familja e Velásquez Rodríguez të kompensohet në mënyrë të konsiderueshme.
Reparacionet – konteksti i Kosovës
Në Kosovë është zhvilluar debat i gjerë mbi reparacionet. Pasojat e luftës së fundit 1998-99 janë aq të mëdha, sa që duhet një mobilizim i madh shtetëror që të adresohen këto pasoja. Reparacionet udhëhiqen nga parimi resitituio in integrum (kthimi në gjendjen e mëparshme), dhe çfarëdo iniciative e cila merret nga shteti apo ndonjë akterë tjetër duhet të ketë fokus tek ky parim. Pas përfundimit të luftës më 10 qershor 1999 (Marrëveshja e Kumanovës) / 12 qershor 1999 (Hyrja në fuqi i rez.1244), ka filluar rikthimi i qytetarëve të larguar me forcë nga Kosova. Sipas një raporti të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës të vitit 2001 theksohet se “më shumë se 900,000.00 (persona) janë kthyer që nga përfundimi i konfliktit, nga të cilët rreth 200,000.00 persona janë kthyer vullnetarisht në lëvizje të organizuara, mbi 80,000.00 persona vetëm në vitin 2000. Shumë të tjerë u kthyen të pavarur”. Por gjithë ata të kthyer në Kosovë nuk kanë pasur ku të strehohen nga fakti se shtëpitë e tyre janë dëmtuar, djegur apo rrënuar.
Asistenti i ish-Presidentit të ShBA-së Bill Clinton në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Samuel Berger në një paraqitje tek Instituti për Paqe i ShBA-së theksonte se sipas vlerësimeve të agjencive të OKB-së, janë rreth 50,000 shtëpi përtej riparimit, dhe 50,000 tjera të cilat janë të dëmtuara në masë. Pas identifikimit të informacioneve të shtëpive të rrënuara akterë të ndryshëm filluan ri-ndërtimin e shtëpive. Z.Berger në vitin 2000 pati thënë se gati 25,000 shtëpi janë duke u ndërtuar nga fondet ndërkombëtare. Procesi i ndërtimit të shtëpive vazhdon edhe sot. Qeveria e Republikës së Kosovës, kushtimisht ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu në vitin 2023 pati njoftuar për fillimin e procedurave për ndërtimin e shtëpive. Qytetarë të shumtë janë shprehur të kënaqur me këtë iniciativë, të cilët thonë se kanë pritur më se 24 vite që shtëpitë e tyre të ndërtohen.
Një tjetër aspekt, ku reparacionet luajnë rol të pamohueshëm, janë viktimat e dhunës dhe adresimi i nevojave të tyre. Në bazë të rregullores së Qeverisë mbi Përcaktimin e
Procedurave Për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës Çlirimtare Të Kosovës, viktimë e dhunës “konsiderohet personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999”. Konsiderohet se në Kosovë janë përafërsisht rreth 20,000 viktima të dhunës seksuale. Ekziston komisioni i veçantë për njohjen e statusit të viktimave të dhunuara gjatë luftës çlirimtare në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Një kritikë që i është bërë procesit të verifikimit është përkohshmëria e mundësisë së aplikimit për marrjen e statusit. Në vitin 2023, është amandamentuar ligji, ku është vazhduar edhe për dy vite mundësia e aplikimit. Është bërë thirrje nga akterë të ndryshëm që mundësia e aplikimit të jetë e përhershme, e jo të kufizohet përbrenda një afati kohor. Marrja e statusit të viktimës, i bën ata beneficiar të një pensioni prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime tjera si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim. Strategjia, e sapo miratuar, për Drejtësi Tranzicionale parasheh një sërë masash të cilat do t’i ndërmarrë shteti në krijimin e një kornize më të fortë institucionale dhe për përmirësimin e kushteve për viktimat e dhunës. Në korpusin e objektivave strategjike të Strategjisë numërohen këto masa:
- Zgjatja e afatit brenda të cilit viktimat e dhunës seksuale mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, nëpërmjet ndryshimit të Ligjit nr. 04/L-172 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe familjeve të tyre;
- Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjarëve të tyre;
- Krijimi i skemës së veçantë për punësimin dhe vetëpunësimin e kategorive të viktimave të luftës;
- Hartimi i rregullores për përcaktimin e procedurave për pajisjen me kartela për kategoritë e viktimave civile të luftës;
- Rritja e kapaciteteve të Qendrave për Punë Sociale, me psikologë dhe sociologë.
Reparacionet – Rasti Mustafa
Reparacionet janë bërë temë e shqyrtimit edhe nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, në rastin e z.Sali Mustafa. Pas marrjes së aktgjykimit të Panelit Gjykues 1 mbi rastin Mustafa, trupi gjykues konstatoi në aktgjykimin e shkallës së parë, se do të merret një vendim mbi zhdëmtimin e viktimave të afektuara. Në vendimin e marrë më 14.04.2023, në kapitullin VI (6), paragrafi 247, pas ekspertizës së ashtuquajtur Lerc, konstatohet se i dënuari ka për obligim të paguaj një shumë të zhdëmtimit prej 207,000 euro. Më 25.03.2024, u vendos, në bazë të kërkesës së Këshillit të Viktimave për një vendim mbi implementimin e menjëhershëm të këtij urdhëri të zhdëmtimit.
Mbi Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit / E drejta në të vërtetë/E drejta për të ditur
Për ballafaqim me të kaluarën nevojitet e vërteta. Në këso rastesh e vërteta duhet të ketë rigjiditet, dhe nuk duhet lënë vend për ri-interpretim. Në teorinë e drejtësisë tranzicionale thuhet, me të drejtë, se ndërveprimi i të gjithë mekanizmave të Drejtësisë Tranzicionale çon drejtë një procesi shumë më efikas në relacion me ballafaqimin me të kaluarën. Argumentohet se këto shtylla nuk janë vetë-suficiente, të vetëmbajtëshme.
Por dilema ekziston se ku duhet të jetë pikënisja, nga cila shtyllë, nga cili mekanizëm. Ne mendojmë se e vërteta prevalon. Një parim latin na thotë “simplex sigillum veri” apo “thjeshtësia është vula e së vërtetës” dhe kjo është ajo çka synon një popull kur del nga lufta, konflikti, apo nga një regjim autoritar. Por e vërteta nuk mund të qëndroj në
vet-vete si abstraksion, sepse ashtu ajo deformohet. Ajo merr kontura të ndryshme në saje të interpretimit. Kur e vërteta deformohet, ajo më nuk njihet siç ka qenë në momentin kur është zbuluar. Por vie një moment kur e vërteta bëhet solide dhe e palëkundshme. Winston Churchill thoshte se “E vërteta është e pakundërshtueshme. Keqdashja mund ta sulmojë, injoranca mund ta përqeshë, por në fund, ajo qëndron aty”. Kur e vërteta vendoset nën llupën e Drejtësisë Tranzicionale, ajo shikohet më me kujdes. Në raportin e Komisionit ndërkombëtarë mbi Drejtësinë Tranzicionale, e drejta për të ditur/e drejta në të vërtetën definohet si në vijim: “Viktimat e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe familjet e tyre, kanë të drejtën e një mjeti juridik efektiv. Kjo përfshin të drejtën për të ditur të vërtetën për abuzimet që kanë pësuar, duke përfshirë identitetin e autorëve, shkaqet që shkaktuan shkeljet dhe, nëse është e përshtatshme, fatin përfundimtar ose vendndodhjen e të zhdukurve me forcë”. [International Center for Transitional Justice. (2013). Truth seeking: Elements of creating an effective truth commission. International Center for Transitional Justice.]. E drejta për të ditur është hollistike, dhe gjithëpërfshirëse, sepse nënkupton se të gjithë duhet të dinë për atë që ka ndodhur dhe efektin e saj në sferat e jetës së njerëzve. “Në tranzicion, roli kyç në formimin e kujtesës sociale është ligji”. (Teitel, 2000, f.71) Një ndër mekanizmat më të popullarizuar janë komisionet e së vërtetës. Këto komisione definohen si “organe zyrtare, jo-gjyqësore me një kohëzgjatje të kufizuar, të themeluara për të përcaktuar faktet, shkaqet dhe pasojat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në të kaluarën.” (International Center for Transitional Justice, 2013, f.7). Emërtimi i këtyre komisioneve varion nga shteti në shtet. Në Argjentinë, më 1983, ky komision ka pasur emrin “Komisioni Kombëtarë mbi të Zhdukurit” (CONADEP). Termi “Komision i të Vërtetës” u shpërfaqë 10 vite më vonë, në Kili dhe në El Salvador. (Hayner, 2011, f. 10). Komisioni më i mirënjohur është ai i Afrikës së Jugut. “Pas dyzet e pesë vitesh aparteid në Afrikën e Jugut dhe tridhjetë vite të një niveli të rezistencës së armatosur kundër shtetit të aparteidit nga krahu i armatosur i Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) dhe të tjerëve, vendi kishte pësuar masakra, vrasje, tortura, burgosje të gjata të aktivistëve dhe diskriminim të rëndë ekonomik dhe social ndaj popullatës së saj jo të bardhë”. (Ibid, f.27). Një ide për një komision të së vërtetës ishte propozuar në vitin 1992 por nuk u jetësua deri në ardhjen në postin e presidentit të Nelson Mandelas më 1994. Komisioni mori dëshminë e rreth 21,000 dëshmitarëve ku rreth 2,000 sosh dëshmuan në seanca publike. Ky komision komponohej prej 3 nën-komiteteve, të cilat ishin kruciale në funksionalitetin e gjithmbarshëm të procesit. Ato komisione ishin: Komiteti për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut, Komiteti për Amnesti dhe Komiteti për Reparacione dhe Rehabilitim. (Ibid. 28) Ka një sërë komisionesh të tjera që janë të mirënjohura për punën e tyre si i Guatemalas, Perus, Kilit, Timor-Leste (Timorit Lindor), Moroko, e shumë të tjera. Raporti i të dërguarit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara thekson këto elemente pozitive të komisioneve të së vërtetës: “Komisionet e suksesshme të së vërtetës kanë dhënë, ndër të tjera, kontributet e mëposhtme:
“1. Dhënia e një “zëri” dhe fuqizimi i viktimave: komisionet mund të krijojnë platforma për viktimat për të treguar historitë e tyre – për shembull, duke mbajtur dëgjime publike – duke u dhënë atyre një vend në sferën publike për herë të parë. Kjo është pjesë e procesit të afirmimit të statusit të viktimave, shpesh anëtarë të grupeve të margjinalizuara shoqërore, si bartës të të drejtave të barabarta;
- Nxitja e integrimit të përgjithshëm shoqëror: njohja zyrtare e mizorive kontribuon në përfundimin e cikleve të pakënaqësisë dhe mosbesimit;
- Ndihma në përcaktimin e prioriteteve të reformës: pas mizorive masive, komisionet kanë qenë burime informacioni për dështimin sistematik, gjë që ka ndihmuar në përcaktimin e agjendave të reformave;
- Sigurimi i informacionit të rëndësishëm për masat e tjera të drejtësisë tranzicionale: raportet e komisioneve dhe informacione të tjera të mbledhura nga komisionet kanë qenë të dobishme për përpjekjet e prokurorisë dhe thelbësore për programet e dëmshpërblimit dhe reformat institucionale”. Në këtë raport i dërguari special paraqet edhe mangësitë dhe problemet e komisioneve të së vërtetës:
“• Pamundësia e komisioneve të së vërtetës për të përmbushur afatet e përcaktuara në mandatet e tyre;
- Kontradiktat rreth përshtatshmërisë së emërimeve të veçanta të komisionerëve, duke paraqitur probleme serioze për një institucion që e merr shumë nga potenciali i tij nga autoriteti moral i udhëheqjes së tij;
- Shprehur publikisht dallime dhe, në të vërtetë, mosmarrëveshje, ndërmjet komisionerëve për çështje themelore që kanë të bëjnë me funksionimin dhe konkluzionet e një komisioni;
- Kritikat e qëndrueshme për zbatimin e dobët të rekomandimeve të komisionit;
- Një tendencë shqetësuese drejt zgjerimit në dukje të pafund të mandateve të komisioneve, jo vetëm tematikisht, por funksionalisht, duke çuar në dyshime nëse ekziston ndonjë institucion që përfshin të gjitha kompetencat e kërkuara nga një zgjerim i tillë”.
Konteksti regjional mbi komisionet e së vërtetës
Sa i takon komisioneve të së vërtetës në kontekstin regjional, fillesa e idesë lindë me ardhjen në postin e presidentit të Federatës Jugosllave, të Vojislav Koštunicas. Ky komision u formua më 29 mars 2001, ku në përbërje kishte 19 anëtarë. Kjo përbërje u kritikua për mos-përfshije më të gjerë të grupeve të ndryshme duke përfshirë minoritetet dhe grupet religjioze. Në total ishin vetëm 2 anëtarë nga minoritetet dhe vetëm Kisha Ortodokse Serbe kishte përfaqësuesin e saj religjioz aty. 2 anëtarë dhanë dorëheqje nga ky komision në muajt e parë të krijimit, ndërsa 1 nga ta vdiq. Sipas projekt-programit të Komisionit, qëllimi i tij është: të inicojë dhe të organizojë kërkime mbi: a) shkaqet kryesore të kolapsit politik, ekonomik, social dhe moral të RSFJ-së; b) luftërat dhe konfliktet e tjera në rajonin e ish-Jugosllavisë, të cilat shkaktuan viktima të mëdha njerëzore, spastrim etnik, shpërngulje, kampe, dëme dhe shkatërrime ekonomike, shkatërrim të pasurisë kulturore, shfaqje të diktaturave, izolim ndërkombëtar të vendit, dhe kriminalizimi i përgjithshëm i shoqërisë; c) shkelje të të drejtave të njeriut dhe shkelje të së drejtës publike ndërkombëtare, humanitare dhe të luftës. Konstatohet nga studiues se nuk pati vullnet të mirëfilltë politik që të vazhdohet tutje dhe të intensifikohej puna e komisionit. Ky komision u shua për shkak të kalimit nga Republika Federale e Jugosllavisë në Unionin Serbi dhe Mal i Zi. Kjo për shkak se institucioni i presidentit federal më tani nuk ekziston, institucion ky i cili kishte themeluar këtë komision.
Një fenomen interesant në rajonin tonë është, në rast mungese të aktivitetit shtetëror në një fushë të caktuar, e specifikisht tek drejtësia tranzicionale, shoqëria civile ka qenë ajo e cila ka suplemetuar këtë mungesë. E ky ka qenë rasti me iniciativën RECOM / KOMRA (Regional Commission / Komisioni Rajonal). Kjo iniciativë, e udhëhequr nga Nataša Kandić, aktiviste e të drejtave të njeriut, themeluese e Fondit për të Drejtë Humanitare. Procesi i KOMRA-s fillon me mbajtjen e Forumit të katërt Regjional për Drejtësi Tranzicionale më 28 tetor 2008 në Prishtinë. KOMRA tregon se kjo iniciativë ka kaluar në një proces konsultativ me rreth 6,700 përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, familje të viktimave dhe të personave të zhdukur e shumë akterë të tjerë. Deri në fund të vitit 2014, më shumë se 580,000 njerëz nga e gjithë ish-Jugosllavia me nënshkrimet e tyre e përkrahën iniciativën për themelimin e KOMRA-s. Kjo iniciativë ka statutin e saj nga e cila do përmendim disa elemente kyçe:
- Objektivi kyç i këtij komisioni ishte që të vërtetohen faktet për krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në territorin e ish-RSFJ-së në periudhën nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001, rrethanat politike dhe shoqërore që çuan në kryerjen e këtyre akteve, dhe pasojat e krimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut;
- Ka pasur mandat 3 vjeçar të funksionimit;
- Komisioni ka pasur të komponohet nga 20 komisionerë; 5 nga Bosnje dhe Hercegovina, 3 nga Kroacia, Kosova dhe Serbia, 2 nga Maqedonia (e Veriut), Mali i Zi dhe Sllovenia;
- Krimet të cilat ky komision ka pasur të merret kanë qenë: “gjenocid, persekutim, vrasje, skllavërim, mbyllje të paligjshme, torturë, zhdukje me forcë, dëbim dhe transferim me forcë të civilëve, përdhunim dhe forma të tjera të rënda të abuzimit seksual, shkatërrim dhe përvetësim i gjerë i pronës, pengmarrje, shkatërrim i monumenteve dhe institucioneve fetare, kulturore dhe historike, përdorimi e civilëve dhe robërve të luftës si “mburoja njerëzore”, dhe diskriminimi sistematik”.
Konteksti i Kosovës
Pas një shqyrtimi të përgjithësuar mbi iniciativat rajonale të Ballkanit për krijimin e komisioneve të së vërtetës, është e nevojshme që të shikojmë hapat e ndërmarrë nga Republika e Kosovës në adresim e së drejtës për të ditur / drejtës për të vërtetën. Që nga periudha e pas-luftës ka pasur iniciativa të ndryshme për krijimin e në Komisioni të së vërtetës. Bernard Kouchner, ish-Përfaqësues Special i Sekretarit Gjeneral për misionin e UNMIK-ut, kishte kërkuar nga Adem Demaçi, ish i burgosur politik, shkrimtar e intelektual, që të themelonte një Komision të së vërtetës dhe për pajtim. Por ky Komision nuk u themelua asnjëherë. (Gashi, 2010, f. 191). Më 13 Shkurt 2017, ish-presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kishte iniciuar një proces të konsultimeve për një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit. Më datë 27.04.2018 ishte krijuar grupi punues mbi hartimin e një projekt-akti normativ mbi këtë komision, akt ky i cili kishte dalë në diskutime publike. Disa nga qëllimet e shprehura që ky komision do të mundohej t`i arrinte ishin:
- Krijojë një regjistër të saktë të shkeljeve të masive të të drejtave të njeriut, shkeljeve të së drejtës humanitare ndërkombëtare, të shkaktuara ndaj qytetarëve të Kosovës, në territorin e Kosovës dhe ish RSFJ-së, gjatë periudhës në shqyrtim të Komisionit, duke përfshirë shkaqet, precedentët, rrethanat, kontekstet, natyrën dhe shkallën e shkeljeve të tilla;
- Të ndihmojë në rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe të të mbijetuarve dhe në ndërtimin e kulturës së solidaritetit me viktimat dhe të mbijetuarit;
- Të kontribuojë në pengimin e përsëritjes së shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut;
- Të kontribuojë në realizimin e të drejtave të njeriut dhe drejtave të tjera të viktimave dhe të të mbijetuarve;
- Të kontribuojë në ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Komisioni do të përbëhej nga 9 anëtarë. Thuhet se 30% të anëtarëve duhet të ishin të gjinisë së kundërt, 2 anëtarë nga komunitetet jo-shumicë dhe 2 komisionerë të cilët kanë kualifikime profesionale mbi fushën e drejtësisë tranzicionale dhe/apo mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Periudha e funksionimit ishte supozuar të ishte 3 vjet. Ndërsa periudha në të cilën do të fokusohej puna e komisionit ishte nga 23 mars 1989 deri më 17 shkurt 2008. Por kjo periudhë “nuk e kufizon Komisionin, për të hulumtuar rrethanat politike dhe shoqërore, që kanë zanafillën në periudha tjera kohore, të cilat kanë ndikuar në armiqësi, shpërthimin e luftërave ose formave të tjera të konfliktit të armatosur, si dhe kryerjen e krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera masive të të drejtave të njeriut, shkeljen e të drejtës humanitare ndërkombëtare, gjatë periudhës në shqyrtim të Komisionit”.
Ky komision nuk u funksionalizua asnjëherë për shkak të dorëzimit të ish-Presidentit tek Dhomat e Specializuara në Hagë me rastin e ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj këtij të fundit, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit.
Një iniciativë e re, e cila buron nga Strategjia e Drejtësisë Tranzicionale, është themelimi i “Komisioni Presidencial”. Ky komision në Strategji definohet si “mekanizëm i drejtësisë tranzicionale me një mandat specifik. […] Mekanizma të tillë synojnë të dokumentojnë dhe vërtetojnë fakte për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën, të rivendosin dinjitetin e viktimave, ta rrisin vetëdijesimin dhe të kontribuojnë në transformimin shoqëror”. Në tabelën e projektimit synohet që pikënisja e punës në formimin e komisionit është viti 2024, viti përkohësisht i synuar është 2025, ndërsa viti përfundimisht i synuar është 2026.
Rruga përpara
Përderisa proceset e drejtësisë tranzicionale janë në zhvillimin e sipër, nevoja për implementimin e tyre rritet. Kjo fushë, siç është theksuar përmes gjetjeve në këtë punim, shprehin nuancat që kjo e fundit i ka. Duhet kujdes i veçantë në implementimin e shtyllave të ndryshme të drejtësisë tranzicionale, sepse çdonjëra ka një rol të cilin e luan, dhe asnjë nga këto fusha nuk është vetëpërmbushëse. Në ndërveprim me masat tjera, arrihet qëllimi i një paqe kohezive dhe të qëndrueshme, gjetjes së të vërtetës dhe rikthimit në gjendjen e mëparshme të një shoqërie e cila ka kaluar një periudhë represive e të dhunshme, siç është rasti i Kosovës.
Perspektivat dhe këndvështrimet janë të shumta, por vlerat dhe principet duhet të jenë të njëjta, sa i takon bashkëpunimit për një të ardhme të qëndrueshme. Kohëve të fundit kemi një rritje të mospajtimeve e kundërshtimeve. Kemi parë tendenca, nga iniciuesit e këtyre luftërave, për të ndryshuar historinë dhe për të deformuar atë që ka ndodhur. Kjo aspak nuk kontribuon në mbylljen e plagëve të atyre të afektuarëve. Kjo tregon që akterët e asaj kohe kanë mbetur peng i së kaluarës. “Argumenti im”, thoshte Edward Said ështe që historia krijohet nga burrat dhe gratë, e ajo zhbëhet e rishkruhet, gjithmonë nga heshtjet dhe elizionet e ndryshme, me forma të imponuara dhe shtrembërime të toleruara […]” (Said, 2003, f. 4). Nuk duhet të lejomë që historia të rishkruhet e shtrembërohet. Nuk na e lejojnë ata që e kanë përjetuar, e nuk na tolerojnë ata të cilët në të ardhmen do t’i rikthehen kësaj periudhe.
Këto punime shërbejnë për të rikujtuar e për të mësuar atë që ka kaluar, por që efektet e saj i ndjejmë edhe sot.
Dren Zeqiri, i lindur me datë 30 Dhjetor 2003, nga Komuna e Lipjanit. Student në Fakultetit Juridik, në Universitetin e Prishtinës, me një interes të veçant në lëmitë e shkencës kushtetuese dhe teorisë së të drejtës.
Andi Gashi është student ne Universitetin e Prishtines – Fakultetin Juridik, me fokus me te veçante ne shkencat penale dhe komerciale. Perveç angazhimeve akademike, ai ushtron rolin e Asistentit Juridik në Gashi & Gashi Law Firm.
Ky hulumtim u zhvillua në kuadër të projektit “Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë” financuar nga Ambasada Britanike përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP), implementuar nga BIRN Kosovo, dhe si i tillë paraqet vetëm qëndrimet e autorëve dhe në asnjë formë nuk paraqet qëndrimet e donatorëve.