
Kandidatët për deputetë nga AAK-NISMA. Foto:Denis Sllovinja/KALLXO.com
Zotimet e koalicionit AAK-Nisma për “çkapje” të institucioneve të pavarura dhe luftim të korrupsionit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë që ka marr mësim nga e kaluara. Bashkë me partnerët e koalicionit me të cilët garon në zgjedhjet e 9 shkurtit, premtojnë që nuk do të ndikojnë në bordet e ndërmarrjeve publike, që RTK-ja të financohet sipas modelit të BBC-së, si dhe menaxhimi i ndërmarrjeve publike të bëhet me Partneritetin Publiko-Privat.
Koalicioni me numër 137 premton se nëse i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk do të ushtrojë ndikim në bordet e ndërmarrjeve publike, do të zhvillojë një strategji kundër korrupsionit brenda 100 ditëve, ndërkaq një prej synimeve të tij është që edhe transmetuesi publik- RTK, të financohet sipas formatit të BBC-së.
Ahmet Isufi, Abdullah Klinaku, Haki Abazi, kandidatë të Koalicionit AAK- Nisma- Demokracia Konservatore-Forumi Intelektual E30 dhe Lista Ideal, në “Debat Përnime” më 02.02.2025, shpalosën programin e tyre zgjedhor që në fokus pati “meritokracinë” si koncept për të përshkruar emërimet në institucionet publike, ndërmarrjet publike, bordet e tyre, rregullatorët dhe transmetuesin publik.
Ideja e krejt kësaj çështje ishte të zbërthehen fjalët dhe zotimet e kandidatëve të partive politike që janë garuese në zgjedhjet parlamentare në lidhje me parandalimin e nepotizmit, emërimeve të paligjshme, korrupsionit dhe dukurive tjera të ngjashme në institucione publike.
Kandidat i AAK-Nisma… për kryeministër është Ramush Haradinaj, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
Çkapja e bordeve të Ndërmarrjeve Publike
Ahmet Isufi, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka theksuar rëndësinë e ndalimit të ndikimeve politike në ndërmarrjet publike, duke theksuar nevojën për profesionalizëm dhe meritokraci në përzgjedhjen e kuadrove në borde e këtyre ndërmarrjeve.
Ai ka shtuar se ndërhyrjet politike në të shkuarën kanë dobësuar ndërmarrjet dhe kanë krijuar hapësirë për korrupsion dhe keqpërdorim.
Isufi ka theksuar se një nga sfidat më të mëdha të këtij procesi është definimi i qartë i rolit të bordeve, duke thënë se “më e mira do të ishte sikur të definohej ajo që janë bordet politike, a janë bordet në bazë të meritokracisë profesionale, të ekspertëve.”
Ai ka përmendur se ndërmarrjet publike në të kaluarën kanë pasur një ndërhyrje politike, që ka ndikuar negativisht në funksionimin e tyre, duke e çuar madje në rritjen e korrupsionit.
“Edhe në të kaluarën ka pasur ndërhyrje politike në borde që kanë ndikuar në dobësimin e ndërmarrjeve të pavarura dhe madje ndoshta keqpërdorimin e tyre”- ka thënë ai, duke shtuar se kjo ka pasur pasojë edhe rritjen e korrupsionit dhe krimit.
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverinë aktuale për përkeqësimin e situatës, duke thënë se tashmë ka një praktikë të keqe të konkurseve të dy-trefishta brenda bordeve.
“Ka ndodhur më keq se çdo herë tjetër, për shkak se tani kemi edhe 2-3 herë konkurse brenda bordeve, derisa ka ardhur i referuari i partisë në pushtet”- ka theksuar Isufi.
Ky kandidat për deputet ka propozuar një model më të pastër dhe të qartë për emërimin e kuadrove, duke theksuar se, nëse do të kishte një përgjegjësi politike, çdo ndërmarrje do të mund të mbante përgjegjësinë për veprimet e saj.
“Në fund të fundit secila ndërmarrje do të kishte mundësi që të merrte dhe përgjegjësinë politike”- ka shtuar ai.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se partia që ai përfaqëson do të sigurojë një ndalje të ndikimeve politike dhe një sistem konkurrues të hapur, ku ekspertët dhe profesionistët do të jenë ata që do të drejtojnë bordet.

“Qëllimi ynë është që të ndodh kjo: të mos ketë ndërhyrje politike, të ketë konkurrencë, të ketë parim në bazën ligjore dhe të përzgjidhen ata që vërtetë e meritojnë-” ka thënë Isufi.
Haki Abazi, kandidati tjetër për deputet nga AAK ka paraqitur disa qëndrime lidhur me menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe rolin e Partneritetit Publiko-Privat në zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve.
Ai ka theksuar nevojën për të caktuar një vijë të qartë ndryshimi në praktikat e qeverisjes, duke e përqendruar vëmendjen tek detyrat dhe përshkrimi i punës për pozitat përkatëse dhe jo tek emrat individualë.
Abazi ka kritikuar qeverisjen aktuale për përqendrimin e energjisë në emërimin e individëve luajalë në pozita vendimmarrëse, duke thënë se kjo ka qenë një gabim i madh, pasi ka bërë që të humbet kohë, energji dhe financa.
Ai ka sjellë shembullin e kompanive të menaxhimit të mbeturinave, të cilat, sipas tij, nuk kanë ofruar shërbimet e duhura për shkak të fokusit të gabuar në emrat individualë, ndërsa “Kosova është mbuluar me mbeturina”.
“Ky është një gabim themelor, sepse kemi humbur kohë, energji dhe financa, dhe në fund rezultatet janë ato që shohim sot”- ka thënë ai.
Abazi ka propozuar që ky proces të ndryshohet me ardhjen e Aleancës dhe Koalicionit me numër 137, duke siguruar që performanca e institucioneve të matet nga një organ i pavarur dhe profesional, i cili shqyrton arritjet e objektivave të përcaktuara nga bordet përkatëse të ndërmarrjeve publike.
Ai ka shtuar se është e nevojshme që të bëhet një ristukturim i disa ndërmarrjeve publike për të përmirësuar menaxhimin dhe efiçiencën e tyre.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që Abazi ka përmendur është përdorimi i Partneritetit Publiko-Privat. Ai ka theksuar se sektori privat ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e performancës dhe menaxhimit të ndërmarrjeve, pasi ai është i detyruar të performojë për të pasur sukses.
“Aleanca si parti e djathtë, sigurisht që synon ta përdorë Partneritetin Publiko-Privat si një mekanizëm balancues”- ka thënë Abazi. Ai ka shtuar se është e domosdoshme që të eliminohet “ping-pong-u” ligjor që e dëmton qytetarin, duke ngarkuar kostot përfundimisht tek ta.
Abazi ka përmendur gjithashtu edhe shembuj të tjerë si RTK-në, e cila sipas tij, shpenzon 9 deri 12 milionë euro nga buxheti publik, por që sipas tij, vëmendjen e ka të fokusuar te emrat individualë dhe jo te cilësia e programit dhe edukimit. Kjo, sipas tij, ka bërë që një mekanizëm financiar nga buxheti publik të shërbejë vetëm për interesa politike të ngushta, gjë që siç thotë ai, duhet të përfundojë.
Në lidhje me privatizimin dhe Partneritetin Publiko-Privat, Abazi ka deklaruar se shumica e kompanive publike janë më shumë shpenzues të buxhetit publik sesa gjenerues të tij.
Ai ka theksuar se disa kompani strategjike për shtetin duhet të mbahen nën menaxhimin e shtetit, por atje mund të ketë përzierje mes profesionistëve dhe atyre që vijnë nga qeveria.
“Brezovica, ndonëse është pjesë e programit tonë për krijimin e qendrave turistike dhe fshatrave turistike, unë besoj se nuk duhet të investohen paratë e shtetit atje”- ka thënë ai, duke propozuar që të menaxhohet përmes një Partneriteti Publiko-Privat.
Sipas tij, ajo duhet të menaxhohet përmes bordit të kompanisë ose konsorciumit të kompanive.
Abazi ka përfunduar duke theksuar se ky model ka pasur sukses në shumë vende të botës dhe duhet të adaptohet për Kosovën për të sjellë zhvillim dhe menaxhim më efikas të ndërmarrjeve publike.
Ky kandidat ka shpjeguar që ndërmarrjet rajonale duhet të kalojnë nën kompetencën e komunave, duke theksuar se kjo kërkon ndryshime ligjore.
Ai ka theksuar se kryetarët e komunave të cilët zgjidhen direkt nga qytetarët, duhet të kenë përgjegjësi të plotë për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe se asambleistët e komunës duhet të mbajnë kontrollin mbi këto shërbime.
Abazi ka kritikuar funksionimin aktual të bordeve të kompanive rajonale, duke thënë se ato nuk japin llogari dhe se ministrat nuk kanë kohë as për t’u takuar me to, e lëre më t’i monitorojnë në mënyrë të rregullt.
“Nuk mundemi më të kemi borde që nuk i përgjigjen askujt, ku ministri nuk ka kohë të pranojë as në takim, e lëre më të merret me to në mënyrë ditore për të ofruar shërbime”- ka thënë ai.
Një tjetër problem që Abazi ka përmendur është cilësia e ujit dhe infrastruktura e dobët për shpërndarjen e tij. Ai ka theksuar se shumë komuna ende përdorin gypa asbesti, të cilët janë kancerogjenë dhe përdoren për shpërndarjen e ujit, një situatë që duhet të adresohet me urgjencë.
“Shumica e komunave të Kosovës ende përdorin gypa asbesti, që janë kancerogjenë dhe përdoren për shpërndarjen e ujit. Këto duhet të adresohen me prioritet dhe sa më shpejt”- ka deklaruar Abazi, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje.
Abdullah Klinaku, kandidati për deputet nga Demokracia Konservatore që është pjesë e këtij Koalicioni, ka theksuar se zgjedhjet e fundit kanë dërguar një mesazh të qartë për të gjitha partitë politike: nëse nuk qeverisni mirë, mund të përballeni me ndëshkimin e qytetarëve.
Ai ka përmendur vitin 2021 si një vit kur të gjitha partitë politike e paguan barrën e qeverisjes së mëparshme, qoftë për arritje pozitive, qoftë për ngarkesa ndaj qytetarëve.
Klinaku ka shtuar se kishte pasur një shpresë të madhe që qeveria do të realizonte punët e mira, por këto shpresa janë shuar.
“Ka pasur një shpresë të madhe që kjo qeveri do t’i realizojë punët e mira, por shpresat janë shuar,” ka theksuar ai, duke shtuar se premtimet elektorale, sidomos ato që lidhen me punësimet, meritokracinë dhe luftën kundër korrupsionit, shpesh janë populliste dhe të paplotësuara.
Në lidhje me meritokracinë, ai ka theksuar se shumë konkurse kanë qenë të manipuluara, me ankesa që vijnë nga institucionet dhe bordet, për shkak të mosrespektimit të kritereve dhe kualifikimeve të kandidaturave.
“Meritokracia, përveç ankesave që vijnë nga institucionet dhe bordeve, dëshmon se shumë konkurse kanë qenë të manipuluara”- ka thënë Klinaku.
Ai ka propozuar që një qeveri e re duhet të hartojë një strategji të fuqishme për luftimin e korrupsionit, e cila duhet të fokusohet në avancimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe zbatimin e ligjit.
“Çështja e parë që duhet bërë nga një qeveri e re është hartimi i një strategjie të fuqishme për luftimin e korrupsionit”- ka deklaruar ai. Klinaku ka theksuar se Agjencia Kundër Korrupsionit duhet të luajë një rol më aktiv për të parandaluar dhe ndëshkuar korrupsionin.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e meritokracisë dhe ka propozuar që shkarkimi i bordeve të bëhet pas një analize të thelluar dhe bazuar në rekomandimet e analizave.
“Shkarkimi i bordeve, sipas bindjes sime, duhet të bëhet pas një analize të thelluar dhe bazuar në rekomandimet e analizave”- ka thënë ai, duke shtuar se ky proces nuk duhet të bëhet përmes mbledhjeve të qeverisë, pasi mund të hapë mundësinë për emërime të dyshimta.
Në lidhje me përfshirjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga organizatat ndërkombëtare, ai ka theksuar se kjo do të luante një rol të rëndësishëm në ruajtjen e meritokracisë gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve.
Klinaku ka përfunduar duke thënë se Strategjia kundër korrupsionit duhet të realizohet brenda 100 ditëve të para të qeverisjes dhe se një qeveri që dëshiron të luftojë korrupsionin duhet të përvetësojë metodat më të mira nga shtetet që kanë pasur sukses në këtë fushë.
“Një qeveri me qëllime të mira, që dëshiron të avancojë agjendën anti-korrupsion, mund të përvetësojë metodat më të mira dhe t’i adaptojë ato për nevojat tona”- ka thënë ai.
Klinaku ka shpalosur tri parimet kryesore të Strategjisë kundër korrupsionit.
“E para është parimi i transparencës, i dyti meritokracia dhe i treti fuqizimi i institucioneve për luftimin e korrupsionit”- tha ai.
Fati i Telekomit dhe i transmetuesit publik
Haki Abazi, ka shprehur mendimin e tij për situatën aktuale në Telekomin e Kosovës dhe për mundësinë e privatizimit të tij.
Ai ka theksuar se fokusimi duhet të jetë në përmirësimin e performancës të operatorit publik, dhe jo në tentimin për ta kontrolluar atë politikisht.
“Ne duhet të fokusohemi te performanca dhe jo të tentimi për ta kontrolluar Telekomin në mënyrë politike, sepse tregu nuk lejon kësi lloj intervenimesh” – ka thënë ai, kur u pyet se a mendon që duhet të privatizohet Telekomi.
Abazi ka kritikuar situatën aktuale të Telekomit të Kosovës, duke theksuar se operatori publik është shumë pas kompanive private.
“Operatori ynë është në mungesë të plotë të tregut të brendshëm… shikoni përqindjen e mbulueshmërisë me internet, ta zëmë, është në minimum krahasuar me kompanitë private”- ka theksuar ai, duke shtuar se cilësia e shtrirjes së rrjetit me fibra optike është gjithashtu e dobët.
Ai ka propozuar që për të bërë Telekomin të garueshëm në treg, duhet të investohet në teknologji të reja përmes një Partneriteti Publik-Privat.
“Ne duhet ta zëmë hapin me masa të cilat e bëjnë operatorin publik të garueshëm në tregun e shërbimeve që ofrohen këtu dhe kjo realizohet vetëm nëpërmjet një Partneriteti Publiku-Privat”- ka thënë Abazi.
Sipas tij, nëse ky proces nuk realizohet, Telekomi mund të zhduket nga tregu ose të vazhdojë të jetë një barrë për buxhetin publik, që “Kosova nuk mund ta përballojë”.
Në lidhje me pohimet e Vetëvendosjes (VV) se Telekomi ka arritur një nivel të mirë, Abazi ka dhënë një shembull konkret, duke thënë: “Unë jetoj në Velani dhe nuk ka rrjet të Telekomit për internet.”
Ai ka theksuar se tre operatorët privatë kanë qëndruar në treg me sukses, dhe prandaj, është e nevojshme të hapet dera për partneritete publiko-private, që investitorët privat të mund të investojnë në modernizimin e rrjetit dhe avancimin e kapaciteteve të shërbimeve.
“Nëse kemi tre operatorë privat të cilët po qëndrojnë në treg me sukses, atëherë ne duhet hapur derën për Partneritet Publiko-Privat”- ka shtuar ai.
Abazi ka përmendur gjithashtu rëndësinë e sigurisë në komunikim, duke thënë se prioritet duhet të jetë krijimi i një niveli të lartë të sigurisë për komunikimet brenda institucioneve dhe për qytetarët.
Kurse për “çkapjen e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK)”, Abazi ka thënë se ekziston nevoja për një reformë të thellë në këtë medium publik.
Abazi ka theksuar se vullneti politik ekziston për t’i dhënë RTK-së mundësinë të hyjë në një konkurrencë të shëndetshme me mediat e tjera, duke paralajmëruar se nëse ky hap nuk merret, RTK do të mbetet i “vdekur” si medium.
Ai ka nënvizuar se dëmtimi i RTK-së dhe gazetarëve që punojnë atje do të ketë pasoja të rënda për sektorin e medias.
“Mjafton të shkoni dhe të shihni ndërtesën e RTK-së, që është një mjerim dhe nuk ngjan fare me një medium publik,” ka thënë Abazi, duke kritikuar gjendjen aktuale të këtij mediumi.
Ai ka propozuar një model të ri për RTK-në, duke sugjeruar se ai duhet të përshtatet me modelin e BBC-së, me një politikë redaktuese që është tërësisht në interes të publikut.
“Mendoj se modeli i BBC-së do t’i përshtatej më së miri RTK-së, me një politikë redaktuese të orientuar krejtësisht në interes të publikut dhe një formë të kombinuar financimi” – ka shtuar ai.
Sipas Abazit, financimi i RTK-së mund të bëhet përmes një pjese që do të mbulohej nga buxheti i Parlamentit, ndërsa pjesa tjetër do të mund të mbulohej nga abonentët që janë të interesuar për shërbime, duke paguar për t’u bërë pjesë e programit.
Abazi ka theksuar gjithashtu se nëse RTK nuk i ofron përmbajtje cilësore dhe nuk angazhohet në një garë të shëndetshme me mediat e tjera, ajo mund të bëhet një mjet për sulme politike dhe për shpërndarjen e informacionit të njëanshëm.
“Nëse njerëzit nuk e shikojnë RTK-në dhe ajo përdoret vetëm për të nxjerrë bomba politike, siç kemi parë këtë mandat, ku ‘kryeministri sulmohet në Maqedoni (të Veriut)’ ose bëhet ‘tentim atentati’ ndaj tij, atëherë RTK do të jetë thjesht një kanal i sulmeve ndaj mediave të tjera”- ka përfunduar ai.
Reforma në rregullatorin, institucionet dhe kompanitë energjetike
Haki Abazi, ka paraqitur disa plane për reforma në sektorin e energjisë në Kosovë, duke përfshirë institucionet si: Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Ai ka theksuar se hapi i parë është transparenca e nevojave energjetike të Kosovës, duke kritikuar mbylljen e këtyre proceseve gjatë katër viteve të kaluara.
“Ajo që ka ndodhur këto katër vite është një mbyllje e mëtejshme dhe kontroll jashtë institucioneve”- ka thënë ai, duke shtuar se ky proces duhet të eliminohet nga vendimmarrja.
Abazi ka kritikuar strategjinë energjetike të deritanishme, duke e cilësuar atë si një “punim seminarik”.
“Strategjia e energjisë që na është dorëzuar në Parlamentin e Kosovës është një punim seminarik, dhe për këtë arsye pas katër vitesh, ndodhemi në krizë energjetike”- ka theksuar ai, duke shtuar se masat e shpejta dhe efikase janë të domosdoshme për të rritur efikasitetin e energjisë elektrike.
Ai gjithashtu ka përmendur një gabim të madh që është bërë në politikën energjetike të vendit, konkretisht subvencionimin e termo-pompave dhe klimave, të cilat furnizohen me energji elektrike.
“Gabimi themelor që është bërë është subvencionimi i termo-pompave dhe klimave, të cilat realisht furnizohen me energji elektrike”- ka thënë Abazi.
Për të adresuar krizën energjetike dhe për të siguruar një burim të qëndrueshëm energjie për të ardhmen, Abazi ka propozuar disa masa afatshkurtra dhe afatgjata.
“Ne kemi një masë afatshkurtër që mund të heqë TVSH-në, deri sa të arrijmë të krijojmë dhe gjenerojmë energji elektrike”- ka shtuar ai. Një mundësi për të mbushur këtë hendek është ndërtimi i një termocentrali me gaz, si një burim backup energjie derisa të mundësohet kalimi në energjinë e rinovueshme, përmes subvencionimit të bizneseve dhe ekonomive familjare për panelet solare.
Prioriteti i Abazit është ndërtimi i një termocentrali me gaz brenda tri viteve, një projekt që është mbështetur dhe promovuar edhe nga lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj.
“Prioriteti numër një që z. Haradinaj e thotë në çdo tubim dhe paraqitje është që brenda 3 viteve, të ndërtohet termocentrali me gaz, që do të vijë nga gazi amerikan përmes Shkupit drejtë Prishtinës”- ka përmendur Abazi, duke shtuar se lokacioni i mundshëm për ndërtimin e këtij termocentrali është në Ferizaj.
Si do të veprojë AAK-ja me sekretarët permanentë “të emëruar nga VV-ja”?
Ahmet Isufi ka komentuar situatën aktuale të sekretarëve të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se shumica prej tyre janë ushtrues detyre dhe se është e nevojshme një angazhim institucional për të siguruar një proces të drejtë dhe të bazuar në meritokraci.
Ai ka thënë se për të pasur funksionim të mirë në institucione, duhet që ata që konkurrojnë për pozita të zgjidhen përmes konkurseve të hapura dhe të kenë përgjegjësinë e plotë për punën e tyre.
“Duhet të kemi parasysh se sot shumica e sekretarëve janë ushtrues detyre. Më mirë është që të bëhet një angazhim institucional në këtë drejtim, në mënyrë që ata që konkurrojnë të zgjidhen dhe të kenë përgjegjësinë e plotë për punën e tyre në institucione”- ka thënë Isufi.
Ai ka kritikuar praktikat e deritanishme të emërimeve në institucionet e Kosovës, duke theksuar se në vend të profesionalizmit dhe meritokracisë, ka pasur emërime të familjarëve që kanë shtrembëruar sistemin institucional.
Ai ka shtuar se, kur të vijë në pushtet, koalicioni i tij do të angazhohet për të hapur konkurset dhe për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe ligjore, duke shmangur ankesat që mund të çojnë në vonesa dhe në vendime të gabuara.
Në lidhje me “sekretarët e emëruar nga Vetëvendosja”, Isufi ka theksuar se, nëse ata janë emëruar në mënyrë të ligjshme dhe nuk kanë dëmtuar interesin e funksionimit të ministrive ose të shtetit, nuk do të shkarkohen.
Megjithatë, ai ka theksuar se, nëse ata janë ushtrues detyre dhe kanë bërë veprime antiligjore ose janë emëruar pa kaluar nëpërmjet një konkursi, duhet të ndërmerren veprime ligjore adekuate.
“Nëse ata janë ushtrues detyre dhe kanë bërë veprime antiligjore ose kanë hyrë në pozita pa konkurs, atëherë duhet të ndërmerren veprime ligjore adekuate”- ka përfunduar Isufi.
Abdullah Klinaku, ka diskutuar rreth reformave të nevojshme në sektorin e shëndetësisë, duke u fokusuar në decentralizimin dhe meritokracinë.
Ai beson se decentralizimi duhet të vazhdojë deri në nivelin e spitaleve, duke theksuar se aktualisht, shumë spitale regjionale ose të përgjithshme duhet të presin miratimin nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik i Kosovës (SHSKUK) për procedura të thjeshta, që e ngadalësojnë zhvillimin dhe funksionimin e tyre.
Klinaku ka theksuar se gjatë këtij viti ka pasur tendenca që rekrutimi dhe organizimi i konkurseve të bëhen vetëm nga SHSKUK-ja.
Ai ka propozuar dy reforma kyçe në sektorin e shëndetësisë: vazhdimi i decentralizimit deri te spitalet, për t’i dhënë atyre më shumë autonomi në marrjen e vendimeve dhe në ofrimin e shërbimeve; dhe, zonimi i spitaleve, ku çdo spital do të ketë përgjegjësinë për një zonë të caktuar, duke i mundësuar atij të specializohet në fushat ku ka forcë dhe kapacitete më të larta.
Për shembull, sipas tij, Spitali i Vushtrrisë dhe Spitali i Mitrovicës mund të ofrojnë shërbime të përgjithshme, por duhet të përqendrohen në sektorët ku janë më të aftë dhe të përmirësojnë ato shërbime.
Kjo qasje, sipas Klinakut, do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë, duke krijuar hapësirë për meritokraci dhe duke kontribuar në parandalimin e korrupsionit.
Përvoja e Aleancës në pushtet
Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.
Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.
Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.
AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për meritokraci se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetër e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.