Foto: Ramush Haradinaj / Facebook

Haradinaj: Me implementimin e plotë të Ligjit për Kryeqytetin do t'i japim Prishtinës fuqinë që i takon

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, më 04.02.2025 e kanë vazhduar fushatën zgjedhore me një tubim në Prishtinë.

Kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se me implementimin e plotë të Ligjit për Kryeqytetin do t’i japin Prishtinës fuqinë që i takon.

Ai ka premtuar përfundimin e unazës së jashtme, stadium të ri dhe sallë koncertale.

“Me implementimin e plotë të Ligjit për Kryeqytetin, do t’i japim Prishtinës fuqinë që i takon. Unaza e Jashtme do të përfundojë më në fund, duke lehtësuar qarkullimin në kryeqytet. Stadiumi i ri dhe Salla Koncertale do ta bëjnë Prishtinën qendër të sportit dhe kulturës në rajon”- ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se me programin qeverisës garanton rritje ekonomike deri në 7 për qind, me paga mesatare mbi 1,000 € dhe pensione jo më pak se 500 euro.

“Do të ulim çmimin e energjisë për 20% duke rritur prodhimin vendor në 1500 MW. Pakoja prej 1 Miliard € për bizneset prodhuese-eksportuese do të hapë vende të reja pune. Çdo student do të ketë bursë, pavarësisht universitetit”- ka shtuar ai.

Ndërsa ka thënë se të rinjtë që nisin biznes do të marrin grante pa kthim, ndërsa punëkërkuesit do të kenë mbështetje financiare deri në punësim.

Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i drejtpërdrejtë në NATO dhe aleanca e përhershme me Amerikën janë çelësi i zhvillimit të vendit.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.