Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Foto: REL

Ukraina i kthen në vendlindje 12 fëmijë të rrëmbyer nga Rusia

Ukraina i ka kthyer në vendlindje 12 fëmijë, të cilët ishin marrë me dhunë nga Rusia – ka konfirmuar shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – raporton të martën, më 04.02.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Andriy Yermak ka shkruar në një mesazh në Telegram se fëmijët janë kthyer në kuadër të nismës së Presidentit ukrainas për t’i bërë presion Rusisë, që të lejojë rikthimin e fëmijëve të rrëmbyer gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

Në mesin e fëmijëve të kthyer ishte një 16-vjeçar që ia kishin vrarë nënën, një 17-vjeçar që ishte rrëmbyer nga Ushtria ruse për të shërbyer dhe një vajzë 8-vjeçare – ka konfirmuar Yermak.

Zyra për informim e shefes së Komisionit rus për të Drejtat e Fëmijëve, Maria Lvova-Belova ka thënë se nuk ka informacion për 12 fëmijët.

Megjithatë nëpërmjet një letre elektronike dërguar nga Zyra e saj Reutersit është bërë në bashkëpunim me Ukrainën dhe me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Në e-mail është thënë gjithashtu se kthimi i fëmijëve është bërë brenda legjislacionit aktual dhe me përfshirje të Agjencive qeveritare.

Moska dhe Kievi ka kryer disa këmbime të fëmijëve për bashkim me familjet e tyre, prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Ukraina ka bërë të ditur se 19 mijë e 500 fëmijë janë rrëmbyer nga Rusia ose në territoret e kontrolluara nga rusët, pa pëlqimin e familjeve ose kujdestarëve të tyre ligjorë gjatë luftës. Rrëmbimin e tyre e ka quajtur krim, sipas përcaktimit të gjenocidit në Traktatin e Kombeve të Bashkuara.

Rusia ka thënë se ka evakuuar vullnetarisht këta fëmijë dhe se ka ofruar mbrojtje për fëmijët e cenuar nga lufta.

Sipas Qeverisë ukrainase Kievi ia ka dalë të kthejë deri më tani 388 fëmijë në vendlindje.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com