
Ministria në Maqedoninë e Veriut, që iu referua Kosovës si "Kosovë e Metohi", largon njoftimin
Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 – shkruan media në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.
Zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte zotuar fillimisht se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.
Megjithatë, siç vërehet nga dita e mërkurë, më 29.01.2025, nga gjurmët në uebfaqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shihet se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.
Nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se janë kontaktuar disa herë.
Kujtojmë se në një komunikatë lidhur me ngjarjen e kampit sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohej me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë: “Kosova dhe Metohija”.
Ky veprim i Stoilkoviqit hapi debat dhe pati reagime të shumta në opinion, nga analistët, partitë politike shqiptare në RMV. Nga Republika e Kosovës reagoi vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e përcollën vetëm verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe duke u dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Qeveria e Kosovës nuk reaguan për këtë veprim, pavarësisht se Portalb.mk tentoi të marrë qëndrimin e tyre.
Për këtë rast ka raportuar edhe KALLXO.com.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për KALLXO.com, pati thënë se sa i përket këtij rasti kanë dërguar Notë te Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup.
“MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë, lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar Notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Ministria në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi”, MPJD shpreh indinjatë