“E ardhmja e pasigurt e Serbisë”: Efektet e protestave studentore në politikat e brendshme dhe rajonale

Ngjarja tragjike në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona, nga shembja e një strehe në Stacionin hekurudhor, ka nxitur protesta masive nga studentët të cilët kërkojnë përgjegjësi për këtë rast.

Për rrjedhojë, më 28.01.2025, kryeministri i Serbisë Milosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Pas këtij akti, Serbia duhet të zgjedhë Qeverinë e re, me apo pa Zgjedhje të reja.

Slobodan Georgiev, drejtor i Lajmeve në Televizionin Nova S në Serbi thotë se e ardhmja politike e Serbisë mbetet e pasigurt. E gjitha, sipas tij, kjo varet nga kalkulimet dhe strategjia që do të ndjekë presidenti serb Aleksandër Vuçiq – krahas kontrollit që ai mund të ketë në Qeveri.

“Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviq, së bashku me rënien e Qeverisë, duket të jetë një manovër taktike e orkestruar me kujdes dhe jo një përgjigje e vërtetë ndaj pakënaqësisë publike. Është një mundësi që partia në pushtet të pretendojë: ‘Ne kemi kryer reforma të rëndësishme edhe përtej asaj që na kërkohet’. Megjithatë, realiteti mbetet se pushteti politik në Serbi është i centralizuar në duart e Vuçiqit dhe formimi i një Qeverie të re nga të njëjtët partnerë të Koalicionit do të ishte kryesisht simbolikë dhe jo diçka thelbësore.” – deklaroi Georgiev për KALLXO.com.

Ai thotë se Vuçiqi mund të kërkojë Zgjedhje të parakohshme që të riafirmojë “dominancën e tij politike, të kontrollojë narrativën dhe të dobësojë momentumin e protestave”.

Vuçiqi rëndom ka përdorur Zgjedhjet e parakohshme si mjet për të konsoliduar fuqinë e tij e për të margjinalizuar opozitën, megjithatë Georgiev thotë se protestat e studentëve janë më të organizuara se protestat e mëhershme.

Nëse protestat vazhdojnë me këtë ritëm, sipas tij, Vuçiqi do të përballet me një sfidë më të madhe – krahasuar me të kaluarën.

Situata e paparashikueshme në Serbi

Njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi thotë se për shkak që “Serbia është një territor i panjohur” edhe situata është e paparashikueshme.

“Protestat janë më seriozet kundër Vuçiqit ndonjëherë dhe duket se e gëzojnë një mbështetje të gjerë popullore, me gjasë edhe të shumicës së popullsisë (sipas një Ankete të CRTA rreth 60% i mbështesin). Vuçiq u mundua ta zbusë situatën me dorëheqjen e Kryeministrit, por duket sikur kjo vetëm e bën të duket më i dobët dhe po i jep edhe më shumë zemër protestuesve.” – deklaroi Maliqi për KALLXO.com.

Megjithatë, sipas tij, edhe protestat e kanë një problem. E ky problem siç thotë ai është se nuk kanë prodhuar platformë politike dhe as liderë që do kishin mundësi të artikulonin kërkesat politike, apo të paraqitnin alternativë në garë me Vuçiqin.

“Udhëheqja e protestave është në duart e studentëve të papërfshirë në skenën politike dhe për sa kohë që situata është e tillë do të vazhdojë të mbetet në nivel të protestave dhe akteve të mosbindjes civile – gjë që i jep kohë Vuçiqit të konsolidojë pozitën e tij.” – shton Maliqi.

Georgiev nga këndvështrimi i tij konsideron se këto protesta do të përcaktojnë të ardhmen e peizazhit politik të Serbisë.

Ndonëse protestat filluan nga partitë opozitare në fillim të nëntorit, ai sqaron se vëmendja e publikut shpejt u largua nga ta.

“Opozita zgjodhi të bënte një hap mbrapa, duke lejuar që protestat e drejtuara nga studentët të marrin qendrën e vëmendjes. Kjo ishte një lëvizje e llogaritur për të mos u perceptuar si oportunistë apo zbehëse e vërtetësisë së kërkesave të studentëve.” – thotë Georgiev.

Megjithatë tani sipas tij opozita do të duhej të vendosë se cili do të jetë hapi i radhës.

Ky momentum është mundësi që të tregohet lidership politik dhe të artikulohet një alternativë ndaj Vuçiqit.

“Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ata janë në gjendje ta bëjnë këtë. Opozita në Serbi ka luftuar prej kohësh me fragmentimin, mungesën e një vizioni të qartë dhe paaftësinë për të mobilizuar në mënyrë efektive mbështetje të gjerë. Nëse ata nuk arrijnë të kapitalizojnë energjinë dhe legjitimitetin e lëvizjes studentore, rrezikojnë të zbehen në irrelevancë politike.” – thotë tutje Georgiev.

Sipas tij, presioni po rritet dhe në javët që vijnë do të merret vesh nëse liderët e opozitës mund të përballen me sfidën apo do të mbeten aty ku janë.

Ndërsa, Maliqi e sheh si sfidë edhe atë që protestuesit janë të ndarë rreth shumë çështjeve.

“Aty ka edhe liberalë properëndimorë, por edhe nacionalistë prorusë. Lëvizja e protestave vërtetë e ka prodhuar një ndryshim të klimës politike, teksa ka arritur t’i mbajë këto ndasi në nivel të dytë, por kjo mbetet një pengesë për hapat e mëtutjeshëm.” – thotë Maliqi.

Kjo është shpresë për Vuçiqin, mendon ai.

“Janë të dukshme përpjekjet e tij për t’i përçarë protestuesit, për t’i paraqitur si vegla të opozitës apo të fuqive të huaja.” – thekson Maliqi, teksa shton se “sfidë për protestuesit është edhe mbështetja që e ka Vuçiqi nga ndërkombëtarët – përfshirë vendet kyçe të BE-së”.

“Disa prej tyre më shumë se demokracinë në Serbi e kanë si prioritet çështjen e nxjerrjes së litiumit, për shembull, për të cilën protestuesit janë unanimisht kundër.” – thotë Maliqi.

Ndikimi i protestave në politikat rajonale të Serbisë

Për momentin nuk pritet ndonjë lëvizje e Serbisë në aspektin e politikave rajonale.

Trazirat politike në Serbi janë kryesisht për çështje të brendshme – bazuar në atë që thotë Slobodan Georgiev.

“Derisa një riorganizim i mundshëm i Qeverisë mund të ndryshojë tonin e angazhimeve diplomatike, nuk ka gjasa të çojë në një ndryshim thelbësor në politika, veçanërisht në lidhje me Kosovën.” – thotë ai.

Qëndrimi zyrtar i Serbisë për Kosovën ka qëndruar i ngurtë, sipas tij, pa progres real drejt njohjes reciproke.

“Çdo Qeveri e re në Beograd – nëse del e tillë – ka të ngjarë të vazhdojë përgjatë së njëjtës trajektore, pasi Vuçiqi mban kontroll të rreptë mbi vendimet e politikës së jashtme. Megjithatë, ajo që mund të ndryshojë është qasja e përgjithshme ndaj Dialogut.” – shton Georgiev.

Sipas tij, dy Qeveri me të vërtetë demokratike, në Beograd e Prishtinë, do të mund të kishin një proces më konstruktiv, të bazuar në interesa ekonomike dhe politike më tepër se në retorikën nacionaliste.

Përmirësimi i bashkëpunimit dhe i komunikimit sipas tij është i mundshëm, nëse të dy palët i pranojnë përfitimet nga stabiliteti dhe integrimi rajonal.

Megjithatë, paqëndrueshmëria politike në Serbi, në rast se nuk kontrollohet do të mund të dobësojë fuqinë e ndikimit në skenën ndërkombëtare.

“Nëse Vuçiq detyrohet të zhvendosë fokusin e tij tërësisht në çështjet e brendshme, aftësia e tij për t’u përfshirë në negociatat rajonale dhe diplomacinë ndërkombëtare mund të zvogëlohet ndjeshëm. Kjo pasiguri mund të ndikojë gjithashtu në mënyrën se si aktorët ndërkombëtarë – përfshirë BE-në dhe SHBA-në – angazhohen me Serbinë për të ecur përpara.” – thotë ai.

Shumëçka, sipas tij, varet nga ajo sesi Qeveria [serbe] reagon ndaj protestave dhe nëse peizazhi politik do të lëvizë drejt demokratizimit më të madh apo centralizimit të fuqisë.

Kosova aktualisht është në vlugun e Zgjedhjeve parlamentare. Më 9 shkurt, votuesit do të përcaktohen se kujt do t’ia japin besimin për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme. Por, cilado parti a cilido Koalicion që e krijon Qeverinë e re pritet ta ketë në Agjendë Dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Si proces i nisur qysh në vitin 2011, Dialogu paraqitet si obligim i palëve për të trazuar rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Kaja Kallas, pas takimeve të para që ka pasur me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pas emërimit të saj si Shefe e Diplomacisë në BE, më 03.12.2024, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të bëhet duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.

“Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.” – ka shkruar Kallas në platformën “X”.

Fatkeqësia e Novi Sadit

Më 01.11.2024, në Stacionin e trenit në Novi Sad humbën jetën 15 persona, për shkak të shembjes së strehës.

Që nga atëherë studentët në Serbi kanë filluar protestat.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

Ata kërkojnë gjithashtu që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për Universitetet.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq, më 28.01.2025, dhe të kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriq, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka marrë 13 Vendime për falje – duke përfshirë studentë, profesorë dhe qytetarë të tjerë kundër të cilëve janë zhvilluar procedura penale pas pjesëmarrjes së tyre në protestat e fundit.

Presidenti i Serbisë deklaroi më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, derisa studentët po vazhdojnë protestat.

Aktualisht, Qeveria serbe është në mandat teknik dhe do të vazhdojë ashtu deri në zgjedhjen e një të reje ose deri në mbajtjen e Zgjedhjeve të reja.

Pas rënies së Qeverisë së Serbisë, seanca e Kuvendit në të cilën do të mbahej votëbesimi për Ekzekutivin u shty deri në një njoftim të dytë.

Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr nga ish-kryeministri Vuçeviq, ka 112 nga 250 deputetët e Kuvendit të Serbisë, ndërsa partneri më i madh i Koalicionit, Partia Socialiste e Serbisë ka 13.

Koalicioni qeverisës përfshin edhe parti të tjera më të vogla.

Majin e kaluar 152 deputetë votuan pro zgjedhjes së Qeverisë, ndërsa 61 votuan kundër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë të martën e 28.01.2025 se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një Qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh Ligji – apo do të shpallen Zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit nga pozita e Kryeministrit të vendit.

“Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi Zgjedhje pas 75 ditësh. Muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë Qeveri të përkohshme.” – ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.

Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje

Vuçiq i hapur edhe për qeveri të re, edhe për zgjedhje të reja

Rënia e Qeverisë – disfatë për Vuçiqin apo blerje kohe?

Vuçiq fal 13 protestues, përfshirë studentë e profesorë