Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti - PDK-së: Kosova mundet pakrahasimisht më mirë sesa kur keni qenë ju dikur

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në Ferizaj më 04.02.2025.

Ai ndër të tjera ka përmendur sloganin e PDK-së për këto zgjedhje: “Kosova mundet ma mirë”.

Sipas Kurtit, Kosova mundet pakrahasimisht më mirë sesa kur ka qenë PDK-ja në pushtet.

“Të dashur qytetarë e keni parë se çka po thotë partia e këtij kryetarit të komunës, po thotë: “Ma mirë”, “Ka ma mirë”, “A bën ma mirë” a nuk e di… Tash, shumë gjëra janë bërë, shumë të tjera kanë nisur, që të gjitha të mira me qeverinë tonë e tuaj të mirë. E nëse dikush mendon se Kosova “mundet ma mirë” – ne i themi: po! Jo që mundet më mirë po mundet shumë më mirë, mundet pakrahasimisht më mirë sesa kur keni qenë ju dikur”- ka thënë Kurti.

Ndërsa, tutje ai ka thënë se me LVV-në në mandatin e ri “qytetarët kanë me ia pa skejen të mirës”.

“E në anën tjetër populli e ka një shprehje të mirë, thotë: “E mira s’ka skej”. Mirëpo me mandatin tonë të ri, e me Kosovën cep më cep me sovranitet e integritet edhe skejen e të mirës kemi me e pa, edhe të mirës skajin kemi për t’ia parë”- u shpreh ai.

Kurti ka përmendur edhe projektet që lidhen me Ferizajn, ngrohtoren dhe spitalin e qytetit.

“Do të vazhdojnë investimet në efiçiencë të energjisë, për familjet që kanë nevojë për përkrahje për të izoluar shtëpitë e tyre e për të siguruar kushte më të mira për nxënësit, pacientët, sportistët, e zyrtarët në ndërtesa publike si shkolla, spitale e salla sporti. Kësisoj sigurojmë kushte më të mira jetese për qytetarët, ngrohje me çmime të përballueshme, e lehtësim të ngarkesës në rrjetin elektro energjetik”- ka thënë Kurti.

Sipas tij, me qeverinë e re spitali i do të jetë i sigurt dhe në shërbim të të gjithëve në rajonin e Ferizajt.

“Spitali do të kushtojë gati 28 milionë euro, buxhetin e kemi siguruar, punimet fillojnë sivjet, Ferizaji do ta ketë spitalin më modern në Republikën e Kosovës”- ka thënë ai.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.