I akuzuari Shkumbin Sekiraqa: Kërkoj nga Gjykata të ma ndërpresë masën e paraburgimit

Shkumbin Sekiraqa (djali i Salih Sekiraqës) i akuzuar për 3 vepra penale – tentim vrasje, armëmbajtje pa leje e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është sjellë sërish sot, më 04.02.2025, në Gjykatë për t’u përballur me akuzën për plagosjen e Pajtim Gashit, ngjarje që ka ndodhur në mars të vitit 2024.

Përveç Shkumbin Sekiraqës i përfshirë në këtë rast është edhe M.H., i cili nga Prokuroria po akuzohet për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa dhe M.H. sot më 04.02.2025 kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Shkumbin Sekiraqa gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tha se kërkon drejtësi nga Gjykata e po ashtu kërkoi që t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

“Nëna është vetëm me vëllanë në shtëpi. Ka nevojë familja ime për mua sepse e kam vëllanë e nënën vetëm në shtëpi, e babai im ndodhet në masën e paraburgimit” – tha Sekiraqa.

“Dhe ju betohem se do i përgjigjem të gjitha thirrjeve të Gjykatës” – shtoi tutje Sekiraqa.

Shkumbin Sekiraqa sot ka dhënë versionin e tij lidhur me ditën kritike 04.03.2024 se si kishte ndodhur ngjarja.

Ai rrëfeu se atë ditë kishte qenë duke shkuar në shtëpinë e tij dhe rrugës, përkatësisht afër shtëpisë së tij, rreth 100 metra pa shkuar të shtëpia, kishte hasur në një automjet “pickup” përballë tij, i cili ia kishte bërë me drita dhe me sirenë.

Pastaj tha se ishte ndalur dhe e kishte parë si figurë të njohur ngasësin e automjetit, ishin ndalur përballë – përballë dhe i kishin hapur dritaret.

Dhe ngasësi i “pickup” e kishte pyetur për veturën “Audi A7” të cilën ky kishte qenë duke e vozitur në atë moment. “Më ka pyetur: A e shet? Sepse e kishte parë në internet që është në shitje. Unë i tregova se kjo veturë nuk është në shitje” – tha Sekiraqa.

Sipas rrëfimit të tij, gjatë bisedës kishte ardhur Pajtim Gashi, të cilit tha se atëherë nuk ia kishte ditur emrin.

Sekiraqa tha se Pajtim Gashi ishte afruar te dritarja duke e sharë me nënë dhe familje e duke e pyetur: “Pse jeni ndalur këtu?” dhe i kishte kërkuar të dilte nga vetura.

I pandehuri tha se Pajtim Gashi kishte pasur armë dhe nga frika se mos po e vriste ishte përpjekur ta qetësonte duke i thënë: ”O kojshi çka u bë?”.

“E kam hapur derën e veturës ‘Audi’ dhe e kam shtyrë me derë Pajtimin. Kam dalë nga vetura dhe jam munduar me ia marrë armën nga dora dhe në ato momente ka dalë personi nga ‘pickup’, ka hyrë në mes, mes meje dhe Pajtimit dhe aty ia kam arritë t’ia marr armën nga dora Pajtimit” – tha Sekiraqa.

“Pastaj ia kam marrë armën dhe jam larguar dy-tre hapa mbrapa, e kam repertitë armën, gjatë repertitjes ka dalë një fishek nga arma dhe kam shtënë 4-5 herë në drejtim të tokës dhe aty i kam thënë Pajtimit: Mos u afro! Mirëpo ai nuk ndalej” – theksoi Sekiraqa.

I pandehuri tregoi se Pajtim Gashi i ishte afruar përsëri dhe kishte tentuar t’ia merrte armën, duke e tërhequr nga dora. Sekiraqa tha se e kishte pasur këmbën e djathtë keq të lënduar dhe duke e tërhequr Pajtimi të dy ishin rrëzuar në tokë ndërsa kur ishte ngritur në këmbë, armën e Pajtimit e kishte pasur në dorë dhe kishte shtënë edhe një herë në drejtim të tokës ndërsa Pajtimi përsëri kishte tentuar t’i vërsulej. “Dhe me sa e di e kam goditë 1-2 herë në kokë me kondak të armës me qëllim që ta largoj” – shtoi ai.

Tutje Sekiraqa rrëfeu se pas këtyre reagimeve ishte larguar nga aty dhe 2 apo 3 metra më poshtë kishte gjuajtur armën nga dritarja në rrugë dhe nuk e dinte se çka kishte ndodhur me të.

Pas kësaj ai kishte shkuar drejt e në shtëpi dhe i kishte treguar babait të tij se çka kishte ndodhur.

Në të njëjtën ditë, me datë 04.03.2024, para derës së shtëpisë së tyre ai tha se në mbrëmje ishte sulmuar babai dhe daja i tij nga disa persona me automatik.

Po ashtu gjatë dhënies së mbrojtjes Sekiraqa tha se “Audia A7” të cilën e kishte drejtuar atë ditë kishte qenë pronë e Valdrin Hamitit dhe këtë veturë e kishte marrë para lokalit “Caffe Bar” pasi aty kishte qenë e parkuar.

Ndërsa në pyetjen e prokurores Bukurije Gjonbalaj: “Si ke ditë me repertitë armën?”, i pandehuri tha: “Armën vetëm e kam tërheq, dhe e kam repertitë ashtu siç e kam parë në filma”.

“A të kujtohet atë ditë a ka marrë ai ndonjë shkrepje këmbë”- e pyeti kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi.

“Me sa kam parë unë, tani i dëmtuari nuk ka marrë ndonjë lëndim nga të shtënat e mia me armë” – u përgjigj Sekiraqa.

Ndërsa i akuzuari i dytë M.H. gjatë dhënies së mbrojtjes tha se punon në një institucion shtetëror të Kosovës ndërsa si aktivitet i dytë tha se punon pas orarit të punës merret me shitblerje të veturave.

“Veturat për shitje i mbaj para shtëpisë time dhe garazh” – tha i akuzuari M.H.

Ai rrëfeu se nuk ka njohuri në rast se veturën “Audi A7” e ka përdorur dikush me 04.03.2024 ndërsa çelësat e kësaj veture tha se kanë qenë në “Free Shop” apo kafeterinë përballë – pronë e Sabriut dhe aty i kishte lënë nëse dikush vjen me pa veturën ta shikojë pa praninë e tij pasi që ai kishte qenë në punë.

“Ditën kur ka ndodhur ngjarja për të cilën jemi këtu vetura ‘Audi A7’ ka qenë në garazh”- tha i akuzuari M.H.

“Unë s’kam qenë në dijeni se veturën time e ka marrë Shkumbin Sekiraqa” – shtoi tutje i akuzuari M.H.

Po ashtu në seancën e sotme janë dhënë fjalët përfundimtare, fillimisht nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj dhe pastaj nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Naser Sopjani dhe Muhamet Mehmeti.

Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Naser Foniqi, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Kujtojmë se në seancën e datës 10.09.2024 gjyqtari Naser Foniqi kishte obliguar mediat që për të akuzuarin M.H. të publikohen vetëm inicialet për arsye se avokati i cili mbron të akuzuarin M. H., për ndihmë pas kryerjes së veprës penale, ka kërkuar nga gjyqtari që të udhëzohen mediat që të bëjnë publikimin vetëm me inicialet e të akuzuarit.

Sipas avokatit të tij, M.H. është zyrtar i një institucioni publik.

I akuzuari M.H. nuk ka pranuar fajësinë, po ashtu Shkumbin Sekiraqa i akuzuar për tri vepra penale nuk e ka pranuar fajësinë.

Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.

“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një ‘pickup’, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalë “paja shoq a po më njeh mua”, ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.

Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.

“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuajë në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.

Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas Prokurorisë ka kryer veprat penale – vrasjes në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Shkumbin Sekiraqa në Polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.

“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.

E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.

“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është afru dhe më ka thënë: “Pse po më këqyrë?”. Ka filluar të më shajë me fjalë banale “çka k… po më këqyrë?”, i kam thënë: “Nuk jam ka të këqyri o vëlla po shko rrugës tande”. Ai më ka thënë: “Je kah më këqyrë shtremtë”. Pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë, vetura e ka pasë derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë veturën, ka dalë nga vetura, është nisë në drejtim të tij, nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në Prokurori ngjarjen e marsit 2024.

Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.

“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh, nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifikojë Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje.

Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M.H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës pasi është kryer vepra penale, duke e fshehur në garazhin e tij veturën “Audi A7” e që në deklaratën e dhënë në Polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.

Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjeve Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë zjarrit mes disa personave, ku një person kishte ndërruar jetë e 5 të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024 është edhe babai i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.

Raportimet e KALLXO.com – LINK