Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Hekurudha, central me gaz dhe digjitalizim të sistemit bujqësor: Planet e PDK-së për infrastrukturë, ambient e bujqësi

Në planin zgjedhor të PDK-së është paraparë  funksionalizimi i hekurudhave, përfundimi i autostradave, digjitalizimi i shpërndarjes të granteve dhe subvencioneve në bujqësi si dhe mundësia e krijimit të një sistemi të qëndrueshëm për prodhimin dhe shitjen e produkteve bujqësore. 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur rëndësinë e funksionalizimit të rrjetit të hekurudhave, përfshirë ndërtimin dhe elektrifikimin e tij, si një mënyrë për të lehtësuar transportin dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik.

Kandidatët për deputetë nga kjo parti: Bernard Nikaj, Ganimete Musliu dhe Hava Mlinaku kanë theksuar nevojën për investime të mëdha në infrastrukturë publike, për realizimin e të cilave pretendojnë se do të përdoren fonde nga Bashkimi Europian dhe nga burime të tjera, duke u përqendruar veçanërisht në zhvillimin e rrugëve dhe lidhjeve hekurudhore me rajonin.

Në fushën e bujqësisë, këta tre kandidatë për deputetë, në “DebatPërnime” më 01.02.2025, kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për fermerët, shpërndarje të  subvencioneve dhe digjitalizimit të këtij sektori me qëllim të luftimit të korrupsionit në shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve.

PDK gjithashtu ka propozuar zgjidhje për problemet energjetike të Kosovës, duke përfshirë fokusimin në burimet e energjisë të ripërtritshme dhe bashkëpunimin rajonal për projekte energjetike.

Kandidat i PDK-së për kryeministër është Bedri Hamza, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

Planet për infrastrukturën

Bernard Nikaj, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka theksuar se një prej fokusimeve kryesore është funksionalizimi i rrjetit të hekurudhave në Kosovë, i cili do të kontribuonte në lehtësimin e transportit, jo vetëm për çështje ekonomike, por edhe për udhëtarët.

Një nga premtimet e Partisë Demokratike është ndërtimi i këtij rrjeti, duke përfshirë edhe elektrifikimin e tij dhe vendosjen e trenave në funksion.

planprogramin e PDK-së është paraparë ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Shqipërinë; negocimi dhe projektimi i një lidhjeje të re me autostradën dhe hekurudhën me Malin e Zi; funksionalizimi i linjës Klinë – Prizren dhe elektrifikimi i rrjetit hekurudhor për ta ngritur nivelin e shërbimit me shpejtësi prej 120 km/h.

Nikaj gjithashtu shprehur dëshirën për një linjë hekurudhore që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me Prishtinën.

“Unë e kam shumë për zemër një linjë hekurudhore që lidh Aeroportin me Prishtinën dhe kjo do të bënte një transformim”- tha ai.

Në lidhje me programin e Partisë Demokratike të Kosovës, Nikaj ka theksuar se në të gjitha fushat e tij, përfshirë infrastrukturën, arsimin dhe shëndetësinë, është vendosur një bazament i quajtur “gjelbër dhe digjital.”

Një tjetër çështje e përmendur nga Nikaj është tarifa për përdorimin e autostradave për ata që vijnë nga shtetet e rajonit. Ai nuk u përgjigj nëse kanë program për këtë çështje, edhe pse përmendi disa modalitete për të ardhmen.

Kandidati i PDK-së Bernard Nikaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Ne së pari duhet ta përmbyllim çështjen e autostradave, sepse nuk është e përmbyllur në aspektin infrastrukturor”- tha ai.

Sipas tij, pasi të përfundojë ndërtimi i autostradave, “do ta shqyrtojmë mënyrën më të mirë se si qarkullimi në autostrada të bëhet me pagesë, por jo domosdoshmërish si modelet që kanë vendet e rajonit, por me mënyra tjera si europianët”.

Se kah do i sigurojnë mjetet financiare për projekte infrastukturore, Nikaj theksoi se aktualisht janë duke planifikuar që një pjesë të konsiderueshme të investimeve të financohen nga fondet e BE-së.

Ai gjithashtu kujtoi se në dy vitet e fundit rreth 600 milionë euro të BE-së [janë bllokuar] si pasojë e masave të BE-së. Ndërkaq përmendi që do të shfrytëzojnë fondin e Planit të Rritjes prej rreth 900 milionë euro për investime në Kosovë.

“Prioritetet kryesore për këto fonde janë infrastruktura publike dhe sektori i energjisë”- tha ai.

Kur u pyet për investimet në asfalt që pas luftës kanë qenë të bollshme dhe pse duhet akoma të investohet në të, Nikaj u shpreh se gjatë pesë viteve të fundit nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, duke theksuar se duhet rishikuar periudha e 15 viteve.

Ai përmendi dy autostrada të ndërtuara gjatë viteve të fundit, të cilat, siç tha ai, “kanë bërë ndërlidhje transformuese të trafikut në Kosovë, edhe në raport me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.”

Nikaj është i bindur se gjatë mandatit të udhëhequr nga Bedri Hamza, do të nënshkruhet dhe nisë realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë edhe një zhvillim të konsiderueshëm të hekurudhës drejt Shqipërisë, i cili, siç theksoi ai, “do të sjellë një zhvillim transformues.”

Ai gjithashtu nënvizoi se gjatë katër viteve të qeverisjes do të shpenzohen mbi 6 miliardë euro nga buxheti i Kosovës për investime kapitale, ndërsa beson se këtyre fondeve mund t’u shtohen edhe 3 miliardë euro nga donatorët dhe burime të tjera. Nikaj tha se për hekurudhat, do ta ndajnë një pjesë të konsiderueshme të këtij buxheti, edhe pse numri i saktë do të llogaritet më vonë.

Kurse për çështjen e homologimit të veturave, ai reagoi ndaj premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për largimin e tarifës 10% për veturat e importuara.

Ai u shpreh se këto tarifa janë larguar që nga viti 2015 me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“E pashë një premtim të Lëvizjes Vetëvendosjes për largim të tarifës prej 10 për qind për veturat e importuara. Këto janë larguar në vitin 2015 me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Asnjë veturë që vjen nga Bashkimi Europian nuk paguan, nuk do duhej të paguajë”- tha ai.

Nikaj theksoi se monopolistët e sponsorizuar nga shteti nuk do të kenë vend në qeverisjen e ardhshme. Ai gjithashtu tha se procedura e homologimit për veturat që kanë nevojë do të zhvillohet në një treg konkurrues, duke nënvizuar se “procedura të homologimit për ata që kanë nevojë do të ketë në një konkurrencë të lirë si për krejt tjerat.”

“Unë besoj që 80 përqind e asaj që vjen në Kosovë vjen nga Bashkimi Europian dhe nevoja për homologim për të gjitha veturat që importohen ka kaluar kohën me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”- tha Nikaj.

Homologimi është një procedurë me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Çështja e homologimit të veturave, kishte krijuar zhurmë të madhe edhe nga shoqëria civile, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe faktori ndërkombëtar, për shkak se është vetëm një kompani që e zhvillon këtë veprimtari në treg, duke krijuar monopol në tregun e Kosovës.

Ky monopol ishte trashur vitin 2020 përmes një Udhëzimi Administrativ për të cilën ekskluzivisht kishte raportuar atëkohë Drejtësia në Kosovë.

Planet për energjinë

Në lidhje me rindërtimin e dy Njësive të Termocentralit “Kosova A” të nisur si procedurë së fundmi nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Bernard Nikaj theksoi se nuk mund të bëhet një vendim pa analizuar situatën në detaje, por theksoi se fokusi do të jetë në burime të energjisë të rinovueshme.

“Unë nuk them që do e ndalim pa e analizuar, por fokusi ynë është që ‘Kosova A’ mund të shërbej vetëm për një periudhë të limituar kohore. Ne duhet të fokusoheni në burime të energjisë të ripërtëritshme të qëndrueshme edhe në vitet e ardhshme”- tha ai.

Nikaj gjithashtu theksoi se për momentin, termocentralet mund të shfrytëzohen, por kjo është një periudhë kalimtare deri sa të dalin në termocentrale me gaz dhe burime të ripërtristhme.

“Fokusi ynë është që të shfrytëzojmë termocentralet për aq kohë sa na nevojitet për të bërë tranzicionin me gaz, me burime të ripërtëritshme dhe projekte tjera si për shembull i kam për qejfi investimet e përbashkëta me Shqipërinë për energji”- tha ai.

“Planifikojmë ndërtimin e termocentralit me gaz me një kapacitet prej 350 MW krahas lidhjeve me tubacione me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në programin zgjedhor të Bedri Hamzës.

Pas ndryshimeve që ka proklamuar presidenti amerikan Donald Trump për thëngjillin, Nikaj edhe pse njëherë tha që kjo nuk është e mundur në këtë kontekst botëror, më pas shtoi: “Nëse krijohen mundësitë atëherë duhet ta shqyrtojmë, pse jo, mirëpo në kontekstin që jetojmë sot është e pamundur që ta kontraktojmë, ta ndërtojmë dhe atë rrymë ta shfrytëzojmë”.

Në lidhje me çmimet e larta të biletave për fluturimet nga Prishtina, Nikaj theksoi se këto kanë lidhje me pozitën ndërkombëtare të Kosovës e cila shkakton kufizime.

“Unë kur kam qenë ambasador në Bruksel me grupin special të NATO-s për hapjen e hapësirës së lartë dhe të poshtme. Një pjesë e çmimit ka të bëj me hapësirën e ulët për aeroplanët që aterojnë në Kosovë”- tha ai.

Sipas tij, është bërë progres me Shqipërinë, por ende ka shumë për të bërë pasi që duhet përmbyllur hapësirën e ulët e cila do të lejonte më shumë linja për aeroplanë që aterojnë në Kosovë.

Ai gjithashtu nënvizoi se është e nevojshme të hapet konkurrenca.

Nikaj, ka shprehur mendimin se mënyra më e efektshme për të përmirësuar kontrollin e cilësisë së karburanteve është rritja e kapaciteteve të doganave.

Sipas tij, kjo mund të arrihet përmes krijimit të laboratorëve të specializuar me staf të kualifikuar dhe pajisje moderne që do t’u mundësonin autoriteteve doganore të kryejnë kontrolle më efikase.

Nikaj gjithashtu theksoi se bashkëpunimi midis Doganës dhe sektorit privat është kyç për një kontroll më të mirë të cilësisë së naftës. Ai beson se nëse është e nevojshme, procesi i kontrollit mund të centralizohet dhe të menaxhohet në mënyrë të përqendruar nga Dogana.

Planet për bujqësinë

Ganimete Musliu, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar anashkalimin e Skenderajt nga Qeveria Kurti, duke pretenduar se ka pasur një veprim të padrejtë për qytetarët e kësaj komune.

Ajo theksoi se Skenderaj ka pësuar një dëm të madh nga vërshimet dhe katastrofat natyrore të vitit 2022, ku qytetarët e kësaj zone nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.

“Skenderaj ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm nga vërshimet ose katastrofat natyrore, dhe fatkeqësisht nuk ka marrë dorën e shtetit”- tha Musliu, duke shtuar se kjo ka ndodhur deri në pikën ku Forca e Sigurisë së Kosovës e ka bojkotuar ndihmën për qytetarët.

Musliu theksoi se janë 9 ura të dëmtuara në Skenderaj që presin ndërtimin dhe shprehu besimin se Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për kryeministër, do të jetë ai që do t’i realizojë këto projekte.

Për sa i përket politikave të bujqësisë, Musliu garantoi se PDK do të vazhdojë të mbështesë fermerët dhe do të fokusohet në digjitalizimin e sektorit për të luftuar korrupsionin në shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve.

Kandidatja e PDK-së Ganimete Musliu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Në programin e Bedri Hamzës ka një pikë të qartë për digjitalizimin dhe monitorimin e granteve dhe subvencioneve”- tha Musliu.

Ajo foli gjithashtu për nevojën e fuqizimit të fermerëve dhe shpërndarjen e subvencioneve dhe granteve, si dhe për mundësinë e krijimit të një sistemi të qëndrueshëm për prodhimin dhe shitjen e produkteve bujqësore.

“PDK do të sigurojë që fermerët dhe prodhuesit e Kosovës të kenë mundësi të shesin produktet e tyre dhe të mbështeten nga shteti”- u shpreh Musliu.

Sipas saj, nëse prodhimtarëve u mbesin produktet pa u plasuar në treg, ato do t’i marr shteti.

“Kur ju them që ju garantoj shitjen, ne nuk nënkuptojmë që do ta ndalim tregun e lirë. Shteti do të kujdeset që të gjitha rezervat apo për ato që ata nuk kanë mundur t’i shesin shteti duhet t’i subvencionojë, t’i ruaj në ambiente adekuate që të jenë në përdorim për raste të caktuara emergjente”- tha ajo.

Kurse, Bernard Nikaj tha se duhet të investojnë në shtretër të lumenjve dhe në teknologji që u mundëson bujqve të adoptohen me ndryshime klimatike.

Planet për investime në rajonin e Mitrovicës

Hava Mlinaku, kandidate për deputete nga PDK, njëherësh nënkryetare e Komunës së Vushtrrisë, ka folur për disa prej prioriteteve që partia e saj ka në programin e ardhshëm, duke përmendur projektin për prodhimin e energjisë elektrike përmes erës në Qyqavicë, i cili, sipas saj, ka qenë i bllokuar për disa vite për shkak të burokracisë në ministritë përkatëse.

Megjithatë, ajo nuk ofroi asnjë zgjidhje se çka parasheh PDK-ja për këtë çështje.

“Projekti për energjinë me erë në Qyqavicë ka qenë ndërprerë për disa vite për shkak të burokracisë dhe problemeve me dokumentacionin në ministritë përkatëse”- tha Mlinaku.

Ajo theksoi se tashmë do të shihen mundësitë për të avancuar këtë projekt me Qeverinë e ardhshme.

“Do të shohim me Qeverinë tonë çfarë do të ndërmarrim për të përshpejtuar realizimin e këtij projekti”- shtoi ajo.

Mlinaku po ashtu foli për nevojën e përmirësimit të sistemit arsimor duke u fokusuar në rritjen e numrit të shkollave për të përballuar fluksin e nxënësve.

“Mësimi gjithëditor është në plan, por paraprakisht na duhet të rrisim numrin e shkollave, sepse shumica e shkollave aktualisht punojnë me dy ndërrime”- tha Mlinaku.

Ajo theksoi se ndërtimi i shkollave të reja është një parakusht për të mundësuar implementimin e mësimit gjithëditor në të gjitha shkollat.

Kandidatja e PDK-së Hava Mlinaku. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Kështu që duhet të merremi fillimisht me ndërtimin e shkollave dhe pastaj të mendojmë për implementimin e mësimit gjithëditor”- përfundoi Mlinaku.

Ganimete Musliu duke u përqendruar në qytetin e Skenderajt, kritikoi ndalimin e disa projekteve të rëndësishme për zhvillimin e kësaj komune duke përmendur projektin e subqendrës në fshatin Qirez dhe në Runik.

“Projekti i subqendrës në fshatin Qirez është penalizuar për arsye politike, duke u bllokuar shpronësimi i pronave”- tha Musliu, duke shtuar se po ashtu, projekti në Runik është bllokuar, dhe aktualisht aty ka vetëm gërmadha, pasi Ministria e Kulturës e ka marrë objektin dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Musliu theksoi se PDK do të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk do të lejojë ndarje të padrejta.

“Ne nuk guxojmë të bëjmë ndarje. PDK do të trajtojë çdo qytetar të Kosovës me respekt dhe barazi, pavarësisht nga cili rajon vjen”- u shpreh ajo.

Përvoja e PDK-së në qeverisje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.