Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin që e vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kuvendi e miratoi me 69 vota për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsiderohet se rreth 20 mijë gra janë dhunuar seksualisht.
Janë mbi 1 mijë e 400 gra të cilave përmes një komisioni qeveritar iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Këtë projektligj e arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, derisa tha se afati për aplikim do të jetë deri më 15 maj 2025
“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.
Propozimin e afatit kohor për këtë projektligj e kundërshtoi deputetja e PDK- së, Eliza Hoxha e cila shtoi se nuk duhet të ketë afat kohor për njohjen e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.
“Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore” theksoi ajo.
Mbështetje për këtë propozim të deputetes pati edhe nga deputetja e komunitetit boshnjak Duda Balje.
Ajo shtoi se nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi sipas saj një gjë e tille nuk është kufizuar as në Bosnje, Kroaci e as në ndonjë vend tjetër.
“Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë.”
Krahas kësaj, Kuvendi i Kosovës vendosi që i njëjti projektligj të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara, në mënyrë që të miratohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme.
Gjatë miratimit të këtij ligji deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja propozoi që projektligji të trajtohet në dy lexime brenda ditës së sotme.
Ai shtoi se Komisioni do ta trajtojë këtë projektligj në ora 14:30 dhe që të miratohet deri në ora 16:00 .
Për këtë propozim nga deputeti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca hapi votimin e këtij mocionit.
Mocioni i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja për leximin e projektligjit brenda dy afateve u miratua me 67 vota pro, asnjë kundër dhe një votë abstenuese.
Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë në ora 16:00.