Gjykata e Apelit. Foto: KAllxo.com

Rropatja 8 Vjeçare me Gjyqësorin Deri në Pafajësi

Një informate të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), e dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës më 5 prill të vitit 2008, që përshkruante një aferë të mundshme korruptive lidhur me realizimin e Parkut Industrial në Drenas, iu deshën plot tetë vjet hetim e gjykim për të prekur fundin.

Veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast që nga pranimi i informatës nga AKK pasojnë me kallëzimin penal të Policisë së Kosovës parashtruar në Prokurori më datën 15 nëntor 2008.

Prokuroria tek pasi kaluan afër tri vite nga pranimi i kallëzimit penal ndërmori hapin tjetër.

Aktvendimi për fillimin e hetimeve i prokurorit special në atë kohë (tani prokuror i shtetit), Besim Kelmendi, lidhur me këtë rast mban datën 10 dhjetor 2011.

Ndërsa, tetë vjet pasi u dyshua për një aferë korrupsioni, ky dyshim mori përgjigjen përfundimtare nga Gjykata e Apelit (në maj të këtij viti).

Adem Zogiani, Sadri Hykosmani dhe Safet Fazliu u shpallën të pafajshëm me vendim final nga Gjykata e Apelit ndërsa Nexhat Krasniqi u dënua me 18 muaj burgim me kusht.

Hilmi Bellopoja ishte liruar nga akuza për falsifikim nga Gjykata Themelore pasi akuza ndaj tij ishte vjetërsuar për plot 4 vite.

http://kallxo.com/apeli-liron-ish-zyrtaret-e-ministrise-se-tregtise/

Kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe gjyqtari vendor Driton Muharremi, i dha kështu epilog një rasti i cili zgjati plot 8 vjet nga momenti kur filloi.

Nexhat Krasniqi, në cilësinë e drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Adem Zogiani në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përhershëm në MTI, Safet Fazliu në cilësinë e shefit të Divizionit për Ndërmarrje në MTI dhe Sadri Hykosmani në cilësinë e zyrtarit verifikues në MTI ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën se kishin dëmtuar buxhetin e kësaj Ministrie lidhur me realizimin e projektit për Parkun Industrial në Drenas.

Pjese e aktgjykimit kishte qenë edhe biznesmeni, pronari i kompanisë “Eltoni”, Hilmi Bellopoja, i cili ishte liruar nga akuza sepse vepra për të cilën ai akuzohej – falsifikim i dokumenteve ishte vjetërsuar për hiç më pak se katër vite.

Për të ardhur deri tek aktgjykimi i datës 21 shtator 2015, në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me këtë rast ishin mbajtur plot 22 seanca gjyqësore.

Pas 22 seancave dhe dhjetëra dëshmitarëve të dëgjuar lidhur me këtë rast, Nexhat Krasniqi ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 26 muaj burg, Adem Zogiani me 10 muaj burg me kusht, Sadri Hykosmani me 8 muaj burg me kusht, ndërsa Safet Fazliu ishte dënuar me 7 muaj burg me kusht.

http://kallxo.com/nexhat-krasniqi-denohet-me-26-muaj-burg/

Mbrojtësit e të akuzuarve ishin ankuar lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore ndërsa edhe pse dënimet ishin me kusht për shumicën e të akuzuarve, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesa në Gjykatën e Apelit.

Gjithashtu, në seancën e mbajtur para Gjykatës së Apelit më 20 maj 2016, askush nga Prokuroria Speciale nuk kishte marrë pjesë.

Gjykata e Apelit, si instancë e dytë e drejtësisë në Republikën e Kosovës, pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes dhe duke pasur parasysh të kaluarën e pastër kriminale të Nexhat Krasniqit vendosi që sanksionin penal t’ia zbutë nga 26 muaj burg me kusht në 18 muaj burg me kusht.

Për dallim prej Krasniqit, kolegji i Apelit i dha lajm shumë më të mirë të akuzuarve të tjerë.

Sadri Hykosmani, Adem Zogiani dhe Safet Fazliu u liruan nga akuzat që rëndonin mbi ta.

“Nëse e lexojmë aktgjykimin mund të konstatojmë me lehtësi se gjykata e shkallës së parë ka gabuar në interpretimin e provave dhe dëshmive të prezantuara gjatë shqyrtimit gjyqësor”,  thuhet në arsyetimin e kolegjit të Apelit që i dha pafajësinë Adem Zogianit.

Në vendimin e kolegjit thuhet se nuk ka pasur prova që vërtetojnë dashjen e Zogianit për kryerjen e veprës që ngarkohej.

Në të njëjtën linjë është edhe vendimi i Apelit për Sadri Hykosmanin, për të cilin thuhet se nuk ka prova as të drejtpërdrejta e as deklarata të dëshmitarëve.

Edhe për të akuzuarin e fundit të këtij rasti, Safet Fazliun, të gjeturat e Gjykatës së Apelit janë mjaft shqetësuese shikuar nga këndvështrimi i aktgjykimit që e shpalli fajtor.

Kolegji i Apelit gjen se Safet Fazliu në kohën kur ishte kryer vepra në fjalë ishte në pozitën e shefit të Divizionit për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Zhvillim Regjional në kuadër të MTI-së. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore e shpall fajtor për shkak se ‘nuk ka arritur të mbikëqyrë procesin dhe punët që lidhen me Parkun Industrial në Drenas’.

Huqja e Madhe e Gjykatës Themelore

Sipas gjetjeve të instancës së shkallës së dytë në Kosovë, Safet Fazliu asnjëherë nuk e kishte përgjegjësinë e mbikëqyrjes së asaj kontrate dhe përgjegjësia e mbikëqyrjes ishte e krejt dikujt tjetër.

Sikur të mos mjaftonin këto të gjetura, Gjykata e Apelit gjen se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka edhe shkelje të rënda të dispozitave procedurale.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore përcakton se përgjegjësia e Safet Fazliut përcaktohet në bazë të kontratës së tij të punës e nënshkruar me MTI-në, por Gjykata e Apelit ka gjetur pas kontrollimit të procesverbaleve se kjo provë asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e provave të shqyrtuara në shqyrtimin gjyqësor apo në ndonjë fazë tjetër të procedurës së rastit.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, më saktësisht neni 361, paragrafi 1, përcakton se “Gjykata e bazon aktgjykimin vetëm në faktet dhe provat e shqyrtuara në shqyrtim gjyqësor” ,  ndërsa neni 8 paragrafi 2 i po këtij kodi përcakton “Gjykata vendimin e merr në bazë të provave të ekzaminuara dhe të verifikuara në shqyrtim gjyqësor”.

Se si i ka ikur një detaj kaq thelbësor trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Jorge Ribeiro Martins dhe dy gjyqtarëve tjerë të këtij trupi është mjaft e çuditshme, duke ditur se sidomos gjyqtarët e EULEX-it në Kosovë janë të njohur për profesionalizmin e tyre dhe njohjen e thellë juridike.

Është krejt normale që një proces juridik të fillohet me një kallëzim penal, të rezultojë me aktvendim për fillim të hetimeve e nëse ka prova të vazhdojë me aktakuzë, të mbahet një shqyrtim gjyqësor ku ato prova të administrohen e analizohen e krejt në fund aktgjykimi të përfundojë me pafajësi (për 4 prej 5 të akuzuarve) për të akuzuarit.

Por, rasti i mësipërm të zakonshëm  apo normal ka vetëm epilogun, pra pafajësinë, ndërsa rruga deri tek pafajësia siç konfirmohet nga Gjykata e Apelit, u shoqërua me shumë mangësi.

Përpos faktit se 22 seanca gjyqësore të mbajtura dhe afër 8 vite të kaluara që nga koha e parashtrimit të kallëzimit penal e deri tek epilogu flet shumë për efikasitetin e luftimit të korrupsionit në Kosovë.

Gjithashtu, një trup gjykues, i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor, si dhe në anën tjetër një prokuror special të merren afër 5 vite me një rast dhe në fund Gjykata e Apelit t’u jap pafajësinë të akuzuarve flet shumë për mungesën e efikasitetit.

Kodi i Procedurës Penale i jep të gjitha mundësitë si gjykatës ashtu edhe prokurorit që kur vlerësojnë se nuk ka prova të tërhiqen nga ndjekja në rastin e prokurorit, apo të miratohen kërkesat për hedhje të aktakuzës nga ana e gjykatës, por në këtë rast nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra. Për më tepër kjo nuk ka ndodhur për 5 vite.

Vite të Humbura

Për t’u shqetësuar është edhe fakti tjetër se një trup gjykues në përbërje prej dy gjyqtarësh të EULEX-it dhe një vendori në aktgjykim për të provuar fajësinë e njërit prej të akuzuarve e bazon në një provë e cila nuk është administruar fare në shqyrtim gjyqësor, duke shkelur kështu thellësisht të drejtat  procedurale.

Ndoshta edhe më shqetësues është fakti se si njërit nga të akuzuarit i atribuohet përgjegjësia për mbikëqyrjen e punimeve lidhur me projektin, e nga Gjykata e Apelit vërehet se nga deklaratat e të paktën tre dëshmitarëve thuhet se përgjegjësia ishte e krejt dikujt tjetër që asnjëherë nuk ishte në bankën e të akuzuarve.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto të gjetura si dhe faktin se edhe biznesmeni që ishte pjesë e akuzës, Hilmi Bellopoja, nga gjykata e shkallës së parë u lirua për shkak se i ishte parashkruar vepra me parashkrim absolut prej katër viteve, luftimi i korrupsionit me profesionalizëm dhe përkushtim, të paktën në këtë rast, duket tejet i zbehtë.

Krejt në fund, pas tetë viteve të humbura në hetimin dhe gjykimin e një rasti, ana e vetme pozitive për buxhetin e Kosovës është se të akuzuarit sipas legjislacionit aktual nuk mund të kërkojnë kompensim për kohën e kaluar në paraburgim ose arrest shtëpiak pasi që ishin në procedurë të rregullt gjatë zhvillimi të procesit gjyqësor.

http://kallxo.com/ja-ku-u-gjeten-fajtor-nexhat-krasniqi-me-shoke/