Mitrovica e Veriut Foto: Atdhe Mulla

Problemet e Komunave me Shumicë Serbe Pas 22 Tetorit

Komuna e Zveçanit

Kandidati për kryetar të Zveçanit. Dragisha Milloviq nga Gi Zvecan thotë se prioriteti i tij kryesor është siguria e qytetarëve të Zveçanit, pasi që siç thotë ai krimi është i pranishëm në Veri. Për këtë ai ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it

Edhe ai njëjtë si kandidatët e tjerë në komunat me shumicë serbe thotë se prioritet e ka punësimin e të rinjve dhe infrastrukturë.

Zveçani si shumë komuna tjera, qoftë shqiptare qoftë serbe ka probleme me furnizim të ujit të pijshëm.

Deponitë ilegale janë poashtu problem i madh në komunën e Zveçanit. Kandidati Dragisha Milloviq në Debat Pernime tha se kjo çështje duhet të rregullohet në bashkëpunim me të gjitha komunat veriore.

Komuna e Zubin Potokut

Komuna e Zubin Potokut përballet me problemin e largimit të të rinjve nga kjo komunë. Përveç largimit të të rinjve, në Zubin Potok edhe papunësia ka një vlerë të madhe.

Kandidati për kryetar i Zubin Potokut, Sllavisha Bishevac nga GI Zubin Potok tha për Debat Pernime se prioritetet e tij kryesore janë gjetja e zgjidhjeve për të parandaluar largimin e popullsisë nga kjo komunë si dhe zbutjen e papunësisë.

Edhe Zubin Potoku përballet më mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse sistemi për furnizim me ujë ka filluar që në vitin 2013 ai nuk është përfunduar ende. Bishevac thotë se këtë problem do ta zgjidhë përmes fondeve edhe buxhetit komunal. Ai shtoi se punësimin e të rinjve do e bëjë duke funskionalizuar ato ndërmarrje të cilat kanë kohë që nuk funksionojnë.

 Komuna e Graçanicës

Komuna e Graçanicës që popullohet me pak më shumë se 10 mijë e 500 banorë ka probleme të shumta. Graçanica që është rreth 10 minuta larg kryeqytetit, ka mjaftueshëm probleme.

Kandidati i Gi Novi Pocetak për kryetar të Komunës së Graçanicës, Aleksandar Çoliq ka thënë për Debat Pernime se një prej prioriteteve kryesore të tij nëse vjen në krye të Graçanicës është zhvillimi i bujqësisë. Ai shtoi se do të jepet vëmendje e veçantë rinisë në Graçanicë.

Problemi me ujë është evident edhe në komunën e Graçanicës ndërsa komuna përballet me problemin e deponive ilegale.

Komuna e Leposaviqit

Komuna e Leposaviqit njëjtë si komunat tjera në veri vuan nga korrupsioni dhe nepotizmi. Problemi i ujit vazhdon të mbetet gjallë që prej vitit 2008. Edhe pse ishin dhënë 5 milionë euro për ndërtimin e një bazeni të ujit, ky problem ende vazhdon t’i preokupoj qytetarët e Leposaviqit. Problem tjetër në këtë komunë janë edhe meturinat. Deponia e plehurave është duke u ndërtuar që disa vite, ku BE ka shpenzuar afër 10 milion euro, por proejkti ende nuk është përfunduar.

Kryetari i deritanishëm i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq në intervistën e dhënë për emisionin “Jeta në Komunë” ka treguar prioritete e tij kryesore nëse zgjedhjet edhe për një mandat tjetër. Ai thotë se do të vazhdojë punimet në infrastrukturë, ku si qëllim e ka shtrimin me asfalt të cdo rruge. Ai thotë se prioritet do ta ketë edhe zhvillimin e bujqësisë.

Kandidati i Gi Narodna Pravda, Nenad Radosavleviq ka prezantuar 3 projektet kryesore të tij, që thotë se janë punësimi, siç thotë ai i të rinjve, pasi që është problem i madh në këtë komunë. Prioriteti tjetër i tij nëse ai do ta udhëheq komunën e Ranillugut është edhe forcimi i ekonomisë si dhe kthimin e qytetarëve në zonat rurale, pasi që ka fshatra që tashmë nuk jeton askush në to.

Edhe qytetarët e Leposaviqit vuajnë nga papunësia dhe largimi i të rinjve nga ky vend.

Komuna e Mitrovicës së Veriut

Komuna e Mitrovicës së Veriut e cila është e banuar kryesisht me serbë ka probleme të mëdha. Hulumtimi i KALLXO.com tregon se Komuna e Mitrovicës së Veriut çalon shumë transparencën komunale. Në këtë komunë papunësia është e lartë si dhe nepotizmi është problem i madh.

Problem tjetër në Mitrovicë të Veriut është edhe mungesa e ujit.

Ndërtimet pa leje në këtë komunë nuk janë të pakta. Pasiguria dhe kriminaliteti në këtë komunë është në nivel të lartë.

Në këto zgjedhje janë edhe dy kandidatë shqiptarë. Gonxhe Çaushi nga PDK dhe Betim Osmani nga AKR.

Kandidatët shqiptarë prioritet e kanë sigurinë dhe kthimin e shqiptarëve në vendbanimet e tyre.

Kandidati i SDP-së për Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq si prioritet thotë se ka luftimin e krimit të organizuar në këtë komunë.

Të tre kandidatët e intervistuar nga Debat Pernime kanë deklaruar se pjesë e prioriteteve të tyre janë edhe të rinjtë.

Kandidatët kanë deklaruar se do ta luftojnë nepotizmin në këtë komunë. Kandidati i AKR-së, Betim Osmani thotë se do të hap konkurs për pozitat e drejtorëve të drejtorive në këtë komunë.

Kandidatët kanë deklaruar se do të jenë transparentë sa u përket projekteve që do të implementohen në Mitrovicë të Veriut.

Komuna e Kllokotit

Komuna e Kllokotit ka problem me mungesën e ujit të pijshëm edhe pse kanë resurse të mjaftueshme të ujit. Ata e kanë rrjetin e ujësjellësit por që nuk është i funksionalizuar.

Në komunën e Kllokotit sipas kandidatët të Nismës për Kosovë, Mervan Rexhepi nuk funksionin ambulanta. Një prej premtimeve të tij që nëse vjen në pushtet do ta funksionalizojë atë.

Edhe arsimi në Komunë nuk është mirë. Sipas kandidatëve në këtë komunë duhet të punohet që të ngritët niveli i arsimimit në këtë komunë.

Komuna e Kllokotit nga regjistrimi i fundit numëron 2 mijë e 556 banorë, por nuk ka çerdhe. Kandidati i Nismës për Kosovë, Rexhepi ka premtuar në emisionin “Jeta në Komunë” se do të funksionalizohet çerdhja.

Brenda vitit të dytë të qeverisjes, ai ka premtuar se do ta funksionalizojë edhe çerdhen edhe ambulantën. Ai thotë se trajtimi i komunitetit serb dhe shqiptarë do të jetë i barabartë.

Kandidati i Iniciativës Qytetare për Kllokot, Nexhat Rexhepi tha se do të punoj në zhvillimin e turizmit në komunën e Kllokotit.

Sipas tij në këtë komunë nuk janë aspak të zhvilluara sporti dhe kultura. Ai në intervistën e dhënë për emisionin “Jeta në Komunë” tha se do të punojë që këto dy degë të zhvillohen në Kllokot.

Sipas kandidatit të PDK-së në këtë komunë, Naser Shabani mungesa e trotuareve dhe ndriçimit publik nuk do të jetë problem pas 2 viteve të qeverisjes.

Kllokoti ka probleme edhe me deponitë ilegale. Kandidatët kanë premtuar se gjatë mandatit të tyre deponitë nuk do të jenë problem.

Kryetari aktual i Komunës së Kllokotit ishte dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

KALLXO.com kishte shkruar vitin e kaluar për protestën e komunitetit shqiptarë në këtë komunë, pasi që nuk janë pajtuar me emërtimin e rrugëve me emra serb.

Komuna e Ranillugut

Komuna e Ranillugut përballet me papunësinë dhe ikjen e qytetarëve nga kjo komunë. Kandidatët për kryetar të Komunës së Ranillugut në emisionin “Jeta në Komunë” kanë premtuar se do të punojnë në mirëqenien e qytetarëve të kësaj komune të vogël, ku jetojnë 3 mijë e 886 banorë.

Ndërsa kandidati tjetër në këtë komunë, Bojan Arsiq nga PDS, thotë se qëllimi i tij kryesor është të punojë në pajtimin e qytetarëve, pasi që sipas tij në këtë komunë ka raste kur “vëllai nuk flet me vëllain”, krejt për shkak të politikës.

Arsiq thotë se prioritet do ta ketë edhe zhvillimin ekonomik në komunë. Këtë ai thotë se do ta bëjë në bashkëpunim me qeverinë qendrore duke kërkuar nga ta që të ndihmojnë në zhvillimin e bujqësisë në këtë komunë.

Kandiati Ivan Dimiq nga NSK thotë se problemi më i madh është ikja e qytetarëve nga Ranillugu dhe nepotizmi.

Ai thotë se ka mungesë të ujit të pijshëm gjatë stinës së verës. Problem ka edhe me prerjen e pishave që ekzistojnë në këtë komunë. Dimiq thotë se Ranillugu ka probleme edhe ndërtimet pa leje.

Komuna e Parteshit

Në komunën e Parteshit jetojnë 1 mijë e 787 banorë. Edhe në këtë komunë problem i madh është punësimi, e sidomos i të rinjve.

Në komunën e Parteshit mbi rreth 65% e qytetarëve jetojnë nga bujqësia.

Kandidati për kryetar i Komunës së Parteshit nga radhët e Gi Narodna Sloga, Nenad Cvetkoviq në intervistën e dhënë për Debat Pernime ka premtuar që do të punojnë në sektorin e bujqësisë duke dhuruar mjete pune për bujqit e kësaj komune. Sipas tij në mandatin e ardhshëm çdo shtëpi do ta ketë kontejnerin dhe kësisoj nuk do të ketë problem me deponitë ilegale. Ai ka premtuar se gjatë mandatit të ardhshëm nuk do të ketë rrugë të pashtruar në komunën e Parteshit. Ai gjithashtu ka premtuar se në mandatin e ardhshëm komuna e Parteshit do të pajiset me ndriçim publik dhe do të ndërtohen trotuare.