Shqiptarët e Kllokotit Kundër Emrave Serbisht në Rrugët e Tyre

Banorët shqiptarë të Kllokotit janë revoltuar ndaj Komunës që udhëhiqet prej kryetarit serb Sreçko Spasiq dhe komisionit për emërtimin e rrugëve, për shkak që në lagjen e Ballancve, ku jetojnë shqiptarët, rrugët janë emërtuar me emra serbë.

Disa fotografi të shenjave dëmtuara të rrugëve janë dërguar në KALLXO.com nga disa qytetarë të Kllokotit.

Ata i kanë larguar këto tabela dhe janë zotuar se nëse Kuvendi Komunal i vendosë përsëri, ata prapë do t’i largojnë.

Milaim Ymeri, banor i Kllokotit thotë se komisioni për emërtimin e rrugëve nuk është takuar fare me banorët për të diskutuar në lidhje me emërtimin e rrugëve.

“Neve si qytetarë nuk na kanë thirr hiç, e as nuk ka pas ndonjë debat të organizuar në mënyrë publike që me u marrë vesh. Veç kur jemi çu në mëngjes i kemi pa tabelat e vendosura”, thotë Ymeri.

Edhe Fatmir Maliqi thotë se askush nuk i ka kontaktuar për të biseduar rreth emërtimit të rrugëve.

“Na s’jemi që me i lanë rrugës emrin “Ballancë” por “Lagjja e re”, çfarëdo emri. Kur të vjen një mysafir, ti shkon për Zhiti, nuk kthehesh qetu”, u shpreh Ymeri.

Banori tjetër Driton Veseli habitet se si ka mundësi kjo lagje të emërtohet me emra serbë në një lagje ku, sipas tij jetojnë mbi 40 familje shqiptare e vetëm 2 serbe. Ata thonë se nuk e dinë kuptimin e emërtimit të rrugëve dhe as që i njohin.

“Na as nuk po e njohim, as nuk e dimë kush është ky. As ajo “Barska” s’po e dimë çka po i bie, as Petar Koçiq kush është ky apo kush ka qenë, që e kanë vendosë në rrugë tona emrin e tij. As nuk e dimë kush është ky a prej nga ka ardhë, prej Serbisë apo prej nga”, u shpreh i habitur Veseli.

Mirëpo nënkryetari i komunës, Hasan Rashiti, që vjen nga LDK, thotë se i kanë ftuar qytetarët për të diskutuar në lidhje me rrugët, por ata nuk kanë ardhur.

“Komisioni ka bërë punët e veta dhe ka pasur debate me qytetarë. Debatet janë zhvilluara para se me u marrë vendimi përfundimtar për emërtim.

Fatkeqësia më e madhe është që qytetarët tanë kur duhet diskutohet për çështje shumë madhore, nuk i përgjigjen ftesave dhe thirrjeve për organizime të tilla”, tha nënkryetari Rashiti.

Ndërsa Arbër Emini, që i përfaqëson PDK-në në opozitë, thotë se Komuna ka bërë shkelje te ligjit me këto emërtime.

“Ne konsiderojmë se Kryetari i Komunës, komisioni për emërim të rrugëve dhe nënkryetari Hasan Rashiti kanë bërë shkelje të ligjit për sistemin e adresave dhe shkelje të ligjit për përdorim të gjuhës, pasi që të gjitha tabelat janë bërë vetëm në gjuhën serbe”, tha Emini.

Qytetarët gjithashtu kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për të ndërruar emërtimin e këtyre rrugëve.

KALLXO.com mëson se Komuna ka formuar një grup punues që do të merret me këtë çështje.