Ekipi negociator i Kosovës - Foto: KALLXO.com

‘Politizimi’ i stafit të Delegacionit Shtetëror për bisedimet me Serbinë

Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë ditëve të fundit është vënë në thumb të kritikave për punësimin e militantëve të partive dhe familjarëve në të.

Ekipi Negociator, siç quhet ndryshe Delegacioni Shtetëror, ka hartuar së fundmi edhe një propozim-vendim.

Propozim-vendimi i titulluar “Zyra e Koordinatorit Administrativ” thuhet se do të merret me çështje teknike të palës kosovare në kuadër të dialogut me Serbinë.

Në këtë dokument që është publikuar në mediet vendore, figurojnë emrat e 14 personave me pozitat si koordinator, asistentë, këshilltarë politikë, shoferë e zyrtar për media, ku janë të paraqitura edhe pagat e secilit, që variojnë prej 580 në 1.050 euro.

Në këtë listë figuron edhe emri i Shkodran Hotit nga Partia Socialdemokrate (PSD), i propozuar në pozitën zyrtar për media.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Hoti e ka konfirmuar se emri i tij ka qenë i propozuar për pozitën në fjalë të asaj Zyre.

“Është e vërtetë që emri im ka qenë një ndër propozimet për Zyrën e Koordinatorit Administrativ si zyrtar për media. Megjithatë, unë nuk do të jem pjesë e kësaj Zyre për shkak të përgjegjësive të reja që kam marrë në Partinë Socialdemokrate”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Hoti ka bërë të ditur se tashmë është zgjedhur drejtues i Departamentit për Media në PSD.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një qëndrim lidhur me Zyrën në fjalë edhe nga bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur për Zyrën e Koordinatorit Administrativ, të martën pas mbledhjes së Qeverisë, para gazetarëve tha se nuk është krejtësisht në dijeni të procesit të brendshëm të kësaj Zyre, megjithëse pohoi se ekipi është edhe politik.

“Tani, këto ekipe janë profesionale, por janë edhe politike për shkak se dialogu është edhe politik. Ka logjikë që ka bashkëpartiakë në këto procese të them të drejtën. Për koordinator e kemi lënë të hapur, pra mundësia ka qenë që me koordinu dikush nga PDK-ja, pastaj me marrë pjesë edhe ekspertë të tjerë”, tha kryeministri.

Haradinaj shtoi se nëse ky propozim-vendim dërgohet në Qeverinë e Kosovës, ata do ta përkrahin.

“Nëse vjen në Qeveri, nëse parashihet, ne i japim përkrahje. Dëshira jonë është me përkrahë Ekipin Negociator dhe funksionimin e kësaj Zyre. Por nuk jam krejt në dijeni të procesit të brendshëm për shkak se kjo është në kompetencë të Ekipit Negociator dhe bashkëkryesuesve”, shtoi kreu i ekzekutivit.

Haradinaj, i cili udhëheq me AAK-në, tha se tashmë i duhet ta gjejë zëvendësuesin e Avni Arifit në Delegacionin Shtetëror, pasi ky i fundit është emëruar ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Unë e kam tash një temë që më del mua, pasi meqenëse Avniu shkon, më duhet me siguru me pasë një përfaqësim më dërgu një kandidat në Ekip. Ende është këtu, por në momentin kur shkon më duhet ta bëj një zgjidhje”, tha kryetari i AAK-së.

Stafin në Delegacionin Shtetëror të Kosovës për negociata me Serbinë e ka kritikuar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, ndërkohë që Serbia ka angazhuar, sipas tij, ekspertët më të mirë vendorë që ka, e madje edhe ndërkombëtarë, Kosova po synon të angazhojë “nipa, dajë e tezak”.

Serbia, në dialog me Kosovën, ka angazhuar ekspertët më të mirë vendorë që ka. Ka angazhuar dhe këshilltarë ndërkombëtarë me plot nam. Kosova ndërsa, ‘ekipi negociator’ i saj, ka vendosur që në përballjen më të rëndësishme historike që ka, të angazhojë nipa, dajë e tezak. Për një vend pune për familjarë, marrin në qafë një vend të tanë. Pse të habitemi më pas se Serbia ecën përpara në Evropë; e ne mbesim në llumin e theqafjes së kapësve tonë”, ka shkruar deputeti opozitar në Facebook.

Abdixhikut më pas i ka reaguar deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi.

Përmes një publikimi në Facebook, ai ka shkruar se Ekipi Negociator për krijimin e Platformës Shtetërore, ka angazhuar disa prej ekspertëve më të mirë lokalë e ndërkombëtarë për Kosovën, në mesin e të cilëve Marc Weller dhe Ben Emerson.

“Është e pasaktë, qëllimkeqe dhe e paskrupullt tendenca me e krahasu stafin administrativ të Ekipit tonë me ekspertët e Serbisë. Mos u shqetësoni. Ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombetarë, ka me i pasë Kosova ?, veç mos pritni tash që edhe shoferët dhe asistentët me i pasë ekspertë ndërkombëtarë ?”, është shprehur deputeti i PSD-së.

Ekipi Negociator është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, me 15 dhjetor të vitit 2018, pasi 42 deputetë kishin bërë kërkesë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektrezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Rezoluta e cila e formoi ekipin, ishte miratuar me 52 vota për dhe 2 abstenime.