Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell pret që BE-ja t'i heq sanksionet ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell në një konferencë për media, më 24.06.2024, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se do të vazhdojë përpjekjet që të arrihet një zgjidhje operative, teksa theksoi se problem mbetet moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Unë vazhdoj të përpiqem që në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje operative, sepse ne tashmë kemi një marrëveshje. E kemi Marrëveshjen e Ohrit. Problemi është se marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë ato për çfarëdo arsye dhe mendoj se ishte e nevojshme të rifillonin takimet e nivelit të lartë për të ditur se ku jemi, veçanërisht në një kohë kur vendet anëtare po diskutojnë propozimin tim për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës”- ka deklaruar Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së nënvizoi se pret që masat kufiziuese ndaj Kosovës do të largohen.

“Nëse këto sanksione hiqen, të paktën ky është propozimi im, qoftë edhe në formë graduale, por shpejt, atëherë kjo mund të krijojë një skenar në të cilin nuk them se dialogu do të rifillojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur. Dy liderët nuk janë takuar prej kohësh në kuadër të dialogut dhe nuk dua të dorëzohem para se të përfundoj mandati im”- tha Borrell.

Pas më shumë se 10 muajsh “pauzë në dialog”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26.06.2024 pritet të takohen për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara ne shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe me emisarin special për dialogun, Mirosllav Lajçak, më 26.06.2024.

Sipas një komunikate për media nga BE-ja, takimet e ndara me liderët do të nisin nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh.

BE thotë se takimi do të shërbejë për “të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”.

Në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.