Dominimi i politikës po ngulfatë debatin për korrupsionin

Brenda vitit Auditori gjeneral publikon mbi 50 raporte për menaxhimin e komunave dhe institucioneve publike në Kosovë. Në to identifikohen qindra skandale të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parasë e pronës publike, por fokusimi i gazetarëve në incidentet e sigurisë ka larguar në tërësi vëmendjen e publikut nga këto skandale.

Në fillim të muajit maj Auditori gjeneral nisi të publikoj raportet për vitin 2023 por nga monitorimi i mediave lehtësisht mund të konstatohet se gjetjet nuk u shndërruan në temën kryesore të debatit publik.

Shembull në muajin maj 2024 Auditori gjeneral publikoi raportin e auditimit për komunën e Novobërdës.

Një material me shumë informacione për problemet e komunës dhe keqmenaxhimin në sektorë të caktuar nuk u bë publik as nga mediat qendrore, as nga mediat lokale. Në kërkimet online nuk gjenden raporte të mediave në të cilat trajtohen seriozisht gjetjet nga ky raport.

Një gazetar i mirë nga ky raport do gjeneronte të paktën 10 storie që tregojnë për probleme në menaxhimin e dhjetëra mijëra eurove në këtë komunë.

Tashmë është botërisht e njohur se fokusimi i mediave lokale e qendrore vetëm në temat e sigurisë ka ulur interesimin e gazetarëve për të raportuar për temat reale të qytetarëve dhe për skandalet e korrupsionit të cilat ndodhin në qeverisjet lokale.

Shembull në komunën e Vushtrrisë Auditori gjen se komuna ka paguar pllaka të granitit, ndërsa kompania ka shtruar pllaka të betonit në një tender publik.

Një temë e tillë do duhej të trajtohej nga mediat qendrore e madje edhe mediat lokale, ndërsa përgjegjësit do duhej të thirreshin në përgjegjësi.

Duke injoruar raportimin për tema të korrupsionit dhe duke u fokusuar në tema për politikën gazetarët nga të gjitha komunitetet në Kosovë janë duke u mundësuar politikanëve e zyrtarëve të shpëtojnë nga kritika publike për keqpërdorimet të cilat i bëjnë.

 

Pse jemi në këtë situatë?

Një numër i madh i mediave në Kosovë punojnë me resurse të limituara dhe me financim të limituar.

Institucionet publike përfshirë qeveria nuk kanë garantuar në vitet e fundit asnjë financim për të përkrahur gazetarinë hulumtuese ndërsa mediat financohen vetëm nga reklama që vie nga bizneset.

Kjo situatë dëmton pavarësinë financiare të mediave dhe shton rrezikun për ndërhyrje në politikat editoriale të tyre.

Përpos mungesës së financave raportimet cungohen edhe nga interesimi i lartë i publikut për t`u informuar për temat politike.

Politikanët shqiptarë e serb në vazhdimësi krijojnë situata tensioni e frike tek qytetarët dhe kjo krijon interesimin e tyre për të marrë lajmet e fundit për zhvillimet politike.

Në këtë situatë mediat duhet të marrin vendime editoriale dhe të shtojnë angazhimin e tyre për të qenë në anën e qytetarëve.

Gazetarët duhet të nisin të shtojnë raportimet për keqpërdorimet dhe të paktën të përdorin të dhënat e hapura për t`i njoftuar qytetarët për keqpërdorimet e autoriteteve.

Është e domosdoshme që të paktën raportet e auditorit të cilat do publikohen gjatë muajve në vijim të gjejnë vend në raportimet e mediave dhe të përdoren për debate publike.

Bashkë me këto raporte mediat nuk duhet të injorojnë vlerësimet e raporteve ndërkombëtare për punën e qeverisë dhe vlerësimet e institucioneve të pavarura, si Avokati i Popullit për punën dhe performancën e institucioneve.

Duke përdorur këto mekanizma arrijmë që t`i japim qytetarëve një pasqyrë më të qartë se si po qeveriset vendi dhe ku po përfundojnë taksat tona.

 

Branisllav Kërstiq – Bane, është gazetar me përvojë shumëvjeçare.