Motivet e errëta të plagosjes në pikë të ditës

“Krimi pa përgjigje” titullohet hulumtimi i emisionit “Kallxo Pernime” i transmetuar të dielën më 23.06.2024, i cili zbardh dështimin e shtetit për të zbuluar motivet e vrasjes në tentativë.

Albert Zeneli ishte plagosur para 12 viteve. Ai pretendon se ende nuk i di motivet se çka e shtyu të dënuarin për tentim vrasjen e tij, ta godasë atë me plumba në pikë të ditës në kryeqytet. 

Historia e kësaj ngjarjeje ka nisur mesditën e datës 03.01.2012, në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës. Siç përshkruhet në shkresat e lëndës, tash i dënuari për tentim vrasje, rreth mesditës nga afërsia dhe në mënyrë tinzare pa folur asnjë fjalë, nga brezi nxjerrë revolen dhe gjuan pesë plumba në drejtim të Alberitit duke e goditur katër herë atë. 

I dyshuari ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes në afërsi të QKUK-së. 

Pas arrestimit ai dënohet nga te gjithash shkallët e gjyqësorit me dënim unik prej 5 viteve burg, dënim të cilin ai e ka mbajtur të plotë. Albert Zeneli ishte goditur më plumba në pjesën e sipërme të trupit, në fytyrë, kraharor dhe në dorë.  

“Kam qenë duke ecur në trotuar në ‘Ulpianë’ dhe e kam pa një person pas meje me revole në dorë jam kthy e kam këqyrë edhe kam keshë, kur jam kthy herën tjetër e kam pa revolen në kokën time dhe e kam vendos dorën ne mes të kokës dhe revoles dhe e kam dëgjuar krismën një herë. E kam kthyer kokën kah ai, më ka dhënë plumbin tjetër tek goja, jam ra në tokë dhe tri herë të tjera më ka goditur në krahëror afër zemrës”- ka rrëfyer Zeneli.

Ai ka treguar se më pas një person e ka ndalur një veturë dhe e kanë dërguar në QKUK, e i cili  më pas ka kërkuar që të shkojë në Gjermani për shërim ku atje i ka kryer disa operacione. Disa muaj pas plagosjes, Albert Zeneli kthehet në Kosovë për ta përcjellë gjykimin, aty i akuzuari i kërkon falje dhe i thotë se e ka plagosur pasi e ka ngatërruar me një person tjetër.

“Në gjykim pas një pauze që u bë, i akuzuari e pranoi fajësinë dhe më tha ‘më fal Albert se të kam plagosë gabim, të kam ngatërruar me dikë tjetër, unë u mundova i thojsha avokatit ‘vete me kë me ka ngatërruar’, por nuk e pyeti askush”- pohon Zeneli. 

Rreth një vit e gjysmë pas ngjarjen, Albertit i shkojnë disa mesazhe shumë interesante, në të cilat cipas tij thuhet se: “Kisha pasë qef me u taku me ty se ti në liri e dikush tjetër burg kurrë jo valla”,  pastaj përmendet edhe emri i një gruaje në to. Alberti në fillimi nuk i deponon mesazher në polici, por në vitin 2017 pasi ka dëgjuar disa fjalë i merr dhe i dërgon në polici dhe kërkon që rasti të rihapet për shtytje në vrasje. 

Në hetimet e saj prokuroria gjeti se numri i përkiste një personi që merrej me biznese, mirëpo ky i fundit i tha policisë se numrin e kishte blerë për qëllime biznesi dhe personalisht nuk e kishte përdorur për shumë vite dhe nuk e di se kush ishte duke e përdorur. Hetimet për këtë person u mbyllën pasi policia nuk gjeti asnjë lidhje në mes tij dhe mesazheve. 

Motivet se pse u plagos Alberti thellohen edhe me shumë nëse shikohen shkresat e lëndës pasi rihapet rasti. I dënuari për plagosjen e Alberit në deklaratën e tij fillestare nuk kishte folur asgjë duke e shfrytëzuar të drejtën e heshtjes për ngjarjen, ndërsa ditën kur e kishte pranuar fajësinë në gjykatë e i kishte kërkuar falje Albertit për plagosjen, kishte thënë se arsyeja e plagosjes është se e ka ngatërruar më një person tjetër, me vonë pasi Alberti kishte kërkuar te rihapet çështja, i dënuari ka thënë se Albertin e ka plagosur se ka qenë i zemëruar në vëllain e tij Agronin, pasi që kishte dëgjuar se ky i fundit ia ka ngacmuar apo ia ka keqpërdorur seksualisht një familjare të tij. 

Identiteti i personit të dënuar për tentim vrasjen ndaj Albert Zenelit është mbuluar për shkak të mbrojtjes së identitetit të viktimës së pretenduar të keqpërdorimit seksual. 

Kur Alberti e merr në dorë vendimin e Prokurorisë për mbyllje të rastit, e aty e lexon pretendimin se ky apo vëllai i tij Agroni dyshohen se e kanë keqpërdorur dikë seksualisht, kërkojnë që kjo çështje të trajtohet edhe një herë dhe bënë ankesë në Prokurorinë e Shtetit, e cila kërkon më pas nga Prokuroria e Prishtinës që të intervistohen të gjithë dëshmitarët. 

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj, e cila një herë e kishte mbyllur këtë rast e mbyll përsëri dhe kësaj radhe e quan “kallauz të krejt kësaj ngjarje” Agronin, vëllain e Albertit. Çështja ishte hapur e rihapur dy herë nga viti 2018 deri në vitin 2023, kur përfundimisht Prokuroria pretendon se nuk ka të dyshuar për shtytje në tentim vrasjen e Albert Zenelit. Në shënimin zyrtar për mbyllje të rastit nuk evidentohet se është marrë në pyetje viktima e pretenduar që ka qenë e ngacmuar apo e keqpërdorur seksualisht. 

Agron Zeneli, i vëllai i Alberitit që  sipas prokurores pretendohet se ishte “kallauzi”, pretendon  se i ka mbetur njolla në derën e tij. Vëllai i Albertit Agroni kërkon që çështja të shkojë deri në fund pasi ai ka mbetur me njollën e dhunuesit seksual.

“Qysh kur ajo gruaja që pretendohet se u keqpërdor seksualisht nuk u mor në pyetje, unë qenkam dhunues e po flas prej shtëpie, në Kosovë për një puthje po shkojnë 15 vite burg, a këtu pa kurrfarë fakti na e veshën neve,  edhe të plagosur edhe me njollë”- thotë Zeneli. 

Për ta vërtetuar se vajza që pretendohet se është viktimë, nuk është kontaktuar asnjëherë nga Prokuroria. Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” kanë kontaktuar me familjarë të saj. Për shkak të mbrojtjes së identitetit nuk u publikua identiteti i tyre, por ishte lexuar vetëm një pjesë nga transkriptim i atij takimi. 

“Nuk është marrë në pyetje asnjëherë e as që e ka kontaktuar ndokush nga Policia e Prokuroria, po për siguri po e thërras edhe një herë në telefon për t’ua dëshmuar juve saktë se çka po thotë. Edhe ajo po e thotë se askush nuk e ka marrë në pyetje, e as që e ka thirrur ndonjëherë”- kanë thënë familjarët e gruas. 

Dosja u mbyll sërish pa e takuar vajzën që pretendohet se ishte viktimë e sulmit apo ngacmimit seksual. Prokurorja e rastit, Bukurie Gjonbalaj nëpërmjet një përgjigje me shkrim tregon se veprat të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare janë ndjekur të gjitha.

“Iu njoftojmë se në bazë të të gjitha provave të siguruara gjatë procedurës, nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale e shtytjes në vrasje dhe asnjë vepër tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, andaj prokurorja e çështjes e ka mbyllur këtë rast. Në këtë çështje penale ka pasur pretendime vetëm të veprës penale të shtytjes në vrasje, megjithatë iu njoftojmë se prokurorja e rastit ka marrë një mori veprimesh hetimore, në kuadër të hetimeve është marrë deklaratë edhe nga personi siç e keni theksuar, e cila ka deklaruar se nuk ka qenë viktimë e dhunës, madje nuk ka pretenduar për një gjë të tillë.”

“Prokurorja e çështjes i është referuar deklaratave të marra nga dëshmitarë, të cilët vetë e kanë pohuar një gjë të tillë dhe nisur nga të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra nga prokuroria, theksojmë se nuk kanë mbetur pezull pretendimet për veprën penale të dhunimit dhe për asnjë veprim tjetër. Sa i përket pyetjeve që mund të ndërlidhen me këtë çështje, neve nuk mund të lëshohemi në detaje dhe pretendime të cilat prekin çështje familjare dhe ndikojnë në to. Krejt në fund, iu njoftojmë se për të gjitha veprimet rreth këtij rasti, ka qenë i njoftuar ish-Kryeprokuror i kësaj prokurorie, si dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit”.- thuhet ne përgjigjen e Prokurorisë. 

Për ta sqaruar situatën, hulumtuesit e emisionit kishin kontaktuar edhe me personin e dënuar për tentim vrasjen. Ai pretendon që çështja tash është e mbyllur dhe kanë vetëm nevojë për pajtim, duke mos dashur të flas gjatë në telefon. “Më nuk ishte lajmëruar në telefon ai, pasi disa ditë kishte kthyer edhe disa mesazhe dhe e ka pranuar se e ka plagosur Albertin dhe se e ka kryer dënimin, por ka thënë se nuk dëshiron me u taku me neve pasi që nuk dëshiron që kjo çështje të bëhet publike.” 

“E vërtetë është se unë e kom plagosur personin që ju referuat. Më vjen shumë keq për rastin që ka ndodhë, ka qenë një moment i keq. Momentin që e kom pa e kom hup kontrollin. Unë jam para një situate shumë të rëndë. Dënimin e kom vuajt para 12.6 vite. Unë ju drejtohem me një lutje që mos ta boni mediatike. Mundohuni të më kuptoni që jam në një situatë shumë të rëndë. Ju lutna ta merrni në konsideratë”- thuhet në mesazhet e dërguara nga personi i dënuar për plagosjen e Albertit, duke shtuar se “fjalët e tilla sjellin vetëm më shumë probleme.”

“Ky po luan me ndjenjat e mia. Nuk është që nuk i ka gjërat e kuptueshme. Por publikimi i kësaj ngjarje në media është një dënim i pa përballuar për mua. E ky këtë po e kërkon. Ky po do me shkatërru një familje. Në jetë ndodhin gjëra më të rënda, por njerëzit gjejnë kurajë dhe këqyrin me shku drejt një pajtimi. E kam fjalën për Albertin. Shpifjet nuk janë të nevojshme munden me sjellë vetëm më tepër probleme jo zgjidhje”- shtoi ai. 

Krahas këtyre veprimeve hetimore penale në Prokurori e Polici, në Gjykatën e Prishtinës ishte zhvilluar edhe një proces civil. Ditë më parë Gjykata Themelore e Prishtinës ka përfunduar një gjykim civil dhe me aktgjykim ka kërkuar kompensimin e shumës prej 40 mijë euro që i dënuari i detyrohet Albertit, për shkak se e kishte plagosur në vitin 2012. Lënda tash ka kaluar me ankesë në shkallën e dytë pasi që avokati i të dënuarit, Afrim Krasniqi nuk është pajtuar me shumën e vendosur ne aktgjykimin e shkallës së parë.