Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE
Opozita kritikon Qeverinë për mostransparencë në dialog, pozita s’pret diçka “të rëndësishme” nga takimi Kurti-Vuçiq
Pozita nuk pret “diçka të rëndësishme dhe esenciale” nga takimi i rundit të ri të bisedimeve në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësve nga Bashkimi Europian. Ndërkaq, opozita kritikon qeverinë për mostransparencë në këtë proces.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk pret nga Serbia që të zbatojë Marrëveshjen Bazike, e dakorduar mes palëve në shkurt të vitit 2023, duke shtuar se kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Kosovën.
“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë Marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”- tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 24.06.2024.
Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri u shpreh se nuk pret diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Kurti në dialog, e që sipas tij, janë vetëmenaxhimi, Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj si dhe draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Nuk mund të presim që do të del diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Kurti në dialog. Pra, normalisht nuk e di për agjendën. Nuk e di se si është organizuar. Nuk është punë e imja për me ditë mënyrën se si është thirrur e organizuar, por ajo çka mund ta vlerësoj është se komplet angazhimi në këtë takim të dialogut do të jetë në tema që i ka prodhuar kryeministri Kurti këto dy vite e gjysmë”- theksoi Tahiri.
E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj kritikoi Qeverinë për mostransparencë në lidhje me informimin e ligjvënësve për procesin e dialogut.
Zemaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të jetë e përgjegjshme në hapat e ardhshme të dialogut sa i përket marrëveshjeve të arritura dhe të përkrahura nga aleatët e vendit.
“Ka vend për shqetësim sepse gjithë ky proces është përcjellë me një mostransparencë dhe me një ikje nga përgjegjësia nga i zgjedhuri i popullit tek Kuvendi i Kosovës. Pra ekziston një rezolutë që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo rundi të bisedimeve. Vetë vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet dhe të shihet si preferenciale ose në atë mënyrën se si e ka trajtuar Qeveria vizitën e Lajçakut, është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq, ku mendoj që duhet ta përdorim si thirrje për qeverinë që të jetë e përgjegjshme në atë çka do të bëjë tutje “- deklaroi Zemaj.
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë se Kosova është në një moment të definimit se a ka me të vërtetë një marrëveshje.
“A kemi një marrëveshje? Sepse me 28 shkurt 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër, dhe pastaj vit pas viti, e masë pas mase, Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve”- tha Muja.
“E para është përpjekja që të izolohet Kosova për prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimin e asaj marrëveshje. E dyta është ndërhyrja në punë të brendshme të Kosovës, që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Aty kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor kur kryeministrja e Serbisë Brnabiq dërgoi letër ndërmjetësit dhe tha se pika katër nuk vlen sikurse edhe pika dy”- shtoi ai.
Muja tha se Kosova duhet të rezervohet nga zbatimi i detyrimeve por edhe të manifestojë qëllimin e saj, që në mënyrë konstruktive të jetë e gatshme t’i zbatojë ato detyrime, në rast se marrëveshja ende vlen.
“Sa i përket draft-statutit besoj që Kurti e ka shfaq këtë edhe në Ohër, që Kosova duhet të jetë e gatshme të inkorporojë letrën e Mogherinit- 25 korrik 2015, mënyra se si BE e ka parë Asociaconin, dhe e dyta është 29 janar 2023 letra e Chollet dhe Escobar se si SHBA e sheh Asociacionin dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”- nënvizoi Muja, teksa shtoi që gjithashtu pret që të hiqen masat kufizuese të BE-së, pasi sipas tij, deeskalimi ka ndodhur në veri.
Pas më shumë se 10 muajsh “pauzë në dialog”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26.06.2024 pritet të takohen për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara ne shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe me emisarin special për dialogun, Mirosllav Lajçak, më 26.06.2024.
Sipas një komunikate për media nga BE-ja, takimet e ndara me liderët do të nisin nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh.
BE thotë se takimi do të shërbejë për “të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”.
Në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.