Ilustrim, KALLXO.com

Pacientët në hall se ku t’i gjejnë barnat esenciale që nuk po i siguron shteti

Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës Esenciale, të cilat shteti e ka për obligim për t’i siguruar. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave e që quhet Autorizim Marketingu, ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore. 

Thuajse çdo ditë në kohë pauze, Nitës i duhet të shkojë nëpër barnatore për të blerë barna për babanë e saj të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nëse shteti do të kryente obligimet e tij, asaj nuk do t’i binte kjo barrë mbi shpinë.

Nita dhe familja e saj kanë harxhuar më shumë se një mijë euro për katër muaj duke e blerë rregullisht “Phenobarbital-in”,  një ampullë e të cilit kushton 15 euro.

Ne si qytetarë gjithë jetën paguajmë taksa ndaj shtetit … E me ardhë dita me mbet dyerve të barnatoreve t’u vrapu për barna që shteti ish dashtë me i siguru – qaty humb edhe arsyeja. Kur shteti nuk t’i ofron barna atëherë kur je ma s’ngushti, unë s’e di se mbi çfarë baze funksionon ky sistem shëndetësor” – thotë Nita e indinjuar me këtë gjendje.

“Phenobarbital” në formën e tretësirës përdoret në menaxhimin kundër krizave, trajtimin e gjendjes epileptike, pagjumësisë e të tjera.

Ky është njëri prej 88 barnave që janë pjesë të Listës së Barnave Esenciale e që nuk po mund të importohen në Kosovë për shkak se nuk kanë dokumentin e Autorizim Marketingut (AM) i cili garanton sigurinë, kualitetin e efikasitetin e produktit.

Ky dokument lëshohet nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) për kompanitë që aplikojnë për ta marrë atë.

Përveç se institucionet publike shëndetësore nuk i ofrojnë këto barna, pacientët e kanë të vështirë, thuaja gati të pamundur t’i gjejnë ato edhe në tregun privat, pasi që AM-ja është e obligueshme edhe për këtë sektor.

“Veç një barnatore e ka pasë. E, edhe aty pa vulë të QKUK nuk mujshe me marrë. Në QKUK na thojshin që veç me numër serik të spitalit ua japin. Ndryshe ata- ndryshe këta. Maltretim t’u end prej spitalit në barnatore dhe anasjelltas për me ja lidh kryet diqysh” – shpjegon Nita.

Por, edhe kur stoqet e klinikave janë plotë, ka raste kur qytetarët detyrohen të blejnë barna. Vetë drejtori i institucionit më të madh shëndetësor në vend, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi thotë se kanë hasur raste në raste të tilla.

“Edhe vetë kam pasë raste kur mjekët kanë pas ndonjë urgjencë ose kanë qenë më të stresuar, në vend se me kërkuar në Barnatoren Qendrore dhe me shku me sistem të rregullt, kanë dashtë me i ra rrugës më të shkurt dhe nganjëherë – mos të them edhe shpesh, i kam gjet duke i thanë [pacientit] ‘shko bleje’, se e kanë ditë që shkon pacienti më shpejt në barnatoret që janë 100 metra prej këtu, se sa me bo kërkesë zyrtare në Barnatore Qendrore, e cila mandej i furnizon” – tregon ai.

Këtë çështje, ai thotë se e kanë adresuar përmes një kampanje informimi me drejtorët e klinikave, që sipas tij, kanë jetuar në “ishuj të veçantë”.

“Ka qenë çudi shumë e madhe që një pjesë e tyre absolutisht nuk kanë qenë të njoftuar me sistemin e furnizimit. Secili ka jetuar si në një ishull të veçantë edhe nuk i ka interesuar shumë se çka po ndodh në ishujt përreth tij” – ka theksuar Azizi.

Për t’i “bashkuar në një ishull”, ai thotë se i kanë informuar se shumë shpejt do të pasojnë sanksione nëse nuk e përdorin rrugën zyrtare të furnizimit.

Azizi thotë se kanë mbajtur disa takime në Ministri të Shëndetësisë për problemin e furnizimit me këto barna pa AM, që ai e quan problem kronik.

Mjekët vazhdojnë të kërkojnë këto barna nga pacientët e familjarët e tyre, edhe pse nuk janë të furnizuara me to.

Drejtori Azizi thotë se kjo ndodh ndonjëherë për shkak se mjekët nuk janë të informuar që nuk i kanë ato barna e shpesh sepse s’ka tjetër alternativë.

Megjithatë, ai thotë se Departamenti Farmaceutik informon drejtorët e klinikave në vazhdimësi për barnat me të cilat janë të furnizuara.

“Departamenti Farmaceutik gjatë gjithë kohës i informon të gjithë drejtorët e klinikave për pasjen dhe qasjen e produkteve të caktuara në zinxhirin tonë të furnizimit. Çdo të premte u dërgohet Lista Esenciale të gjithë drejtorëve për informim të mëtutjeshëm” – ka deklaruar Azizi.

Si t’ia bëjnë çarën pacientët?

Azizi, që ka punuar si farmacist për më shumë se dy dekada nuk ka një përgjigje konkrete se çfarë zgjidhje mund të ofrojnë për pacientët tani, por tregon se çfarë kanë bërë për ta zbutur situatën. E, sipas tij, ka disa propozime se si mund të adresohet kjo çështje.

Njëra prej tyre është ndryshimi i Listës Esenciale të Barnave, duke i zëvendësuar ato barna që nuk kanë AM e që kanë alternativa të tjera. Ai thotë se këtë çështje e kanë adresuar te Komiteti kyç i cili e bën ndryshimin e listës.

Kryesuesi i këtij komiteti, Driton Vela konfirmon që kanë bërë ndryshime në një numër të vogël të produkteve me alternativat përkatëse. Këto ndryshime duhet të nënshkruhen nga ministri në mënyrë që të hyjnë në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë qysh prej vitit të kaluar ka tentuar që disa prej këtyre barnave t’i sigurojë përmes një marrëveshjeje me UNICEF-in, por ende nuk ka pranuar të gjitha. Azizi thotë se siç duket edhe procedurat e UNICEF-it janë të tejzgjatura.

Zyra e UNICEF-it në Prishtinë bën të ditur se 16 prej produkteve janë dorëzuar, 5 janë në proces, 2 janë anuluar nga Ministria e 3 nuk kanë qenë të disponueshme prej UNICEF-it.

Propozimi tjetër i Azizit është që të bëhen ndryshime në legjislacion, gjë të cilën ai e sheh si të domosdoshme. Sipas tij, ligji duhet ta lehtësojë mënyrën e furnizimit me barna.

“Mendoj që gradualisht duhet të ndryshojë legjislacioni që të bëhet me e qasshme prezenca e barnave” – thotë ai.

Në një situatë të tillë, drejtori thotë se duhet shfrytëzuar mundësia e importit të barnave edhe pa AM. Por, për të ruajtur sigurinë, ai thotë se ato produkte duhet të kenë leje për qarkullim në Bashkimin Europian ose në shtete të tjera, që kanë kontrolle më strikte në këtë aspekt.

“Me siguri do të jenë disa parakushte, po flas edhe si ekspert i farmacisë. Ne e adresojmë këtë rrezik të shtuar për cilësinë e barnave duke ju referuar shteteve të cilat kanë autoritete rregullative strikte. Është një listë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që i përcakton se cilat shtete kanë autoritete rregullative strikte që nuk lejojnë t’ju futen në treg produkte dosido. Kjo lidhet me kërkesë për prezencën e produktit në BE. Një masë e madhe e sigurisë besoj se krijohet veç me këtë parakusht” – thotë ai.

E, sipas tij, kjo mënyrë mundësohet përmes nenit 39 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale, i cili parasheh që në situata të jashtëzakonshme, AKPPM me aprovim të Ministrit të Shëndetësisë mund të lëshojë licencë importi për një sasi dhe lloj të caktuar të produktit medicinal dhe me një afat kohor të definuar, pa autorizim marketingu, për produktet që nuk kanë paralele, pra që nuk mund të zëvendësohen.

Këto situata të jashtëzakonshme, në këtë nen përkufizohen si: në rast të emergjencës akute, mungesës së produkteve medicinale në treg, situatave katastrofike si epidemive, fatkeqësive të mëdha natyrore.

“Unë e interpretoj që në qoftë se një produkt është në LBE, që nënkupton që janë jetike, të domosdoshme, të pazëvendësueshme për me e marrë shërbimin shëndetësor pacienti, mungesa e atij produkti në treg është emergjencë” – tha Azizi, i cili beson që edhe Ministria ka filluar të bindet që kjo është emergjencë.

Ndryshimet që janë bërë në vitin 2022 në Udhëzimin Administrativ për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e barnave pa paralele, sipas tij, e kanë vështirësuar importin e barnave që nuk kanë paralele e as AM.

Ky udhëzim, sipas Azizit, adreson më shumë sektorin privat, importuesit dhe kompanitë se sa sektorin publik, i cili nuk mund të importojë direkt, por vetëm të blejë përmes importuesve privatë.

Në bazë të këtij UA, përmes një autorizimi të kufizuar të marketingut, kompanive që aplikojnë mund t’u lejohet importi i barnave pa AM nëse ato nuk kanë paralele. Ky import mund të jetë maksimumi për 3 mijë kuti dhe në vlerë 50 mijë euro brenda një viti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministri të Shëndetësisë më 13.06.2024 për të pyetur nëse kanë ndërmarrë veprime për të zgjidhur këtë problem. Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ofruar përgjigje për këto pyetje.

Furnizimi me barna 70 për qind

Pas marrjes së detyrës së re, Azizi ishte zotuar për përmirësim të furnizimit me barna të Listës Esenciale.

Sot, ai thotë se ShSKUK është e furnizuar me 70 për qind të barnave të kësaj liste.

Kjo përqindje, sipas tij, ka qenë shumë më e ulët më parë, por është rritur “pas një pune relativisht të madhe”. Madje, ai shton se gjatë vitit të kaluar, në një moment të caktuar kanë qenë aktive vetëm 20 për qind të kontratave që kanë qenë të parapara të lidhen.

“Stabilizimi i furnizimit me barna është njëri prej misioneve shumë të rëndësishme që kam. Kur e kam marrë detyrën, sipas një hulumtimi të prezantuar prej një eksperti të jashtëm të MSh-së, në qershor të vitit 2023, në një moment caktuar kohor gjatë muajit kanë qenë aktive vetëm 20 për qind të kontratave të cilat kanë qenë të parapara me u lidh për vitin 2023” – thotë Azizi.

Kujdes të veçantë, drejtori i ShSKUK-së thotë se i kushtojnë barnave për pacientët me tumor dhe këtu përmend deklaratën e drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, se furnizimi është 90 – 92 për qind.

Për mungesat e barnave në Onkologji, që KALLXO.com ka raportuar, drejtorit tha se bëhet fjalë për aso që nuk kanë AM.

Mungesa e barnave nëpër spitale, klinika e institucione të tjera shëndetësore publike është problem për të cilin qytetarët ankohen në vazhdimësi.

Raporti i punës i 6-mujorit të parë të vitit 2023 në ShSKUK bie ndesh me diskutimet në mbledhjet e Bordit të ShSKUK-së sa i përket furnizimit me barna.

*Emri Nita është pseudonim i vendosur nga KALLXO.com për të ruajtur identitetin e vërtetë të saj.