I akuzuari Granit Elshani në Gjykatën e Pejës - Foto: KALLXO.com

Avokatja e Granit Elshanit: Gjykatave po u mungon guximi shkak i fuqisë së mediave

Avokatja e Granit Elshanit, të akuzuar për një vrasje të vitit 2010 në një diskotekë të Pejës deklaroi se gjykatave po u mungon guximi për shkak të mediumeve dhe portaleve.

Granit Elshani ishte liruar nga Gjykata Themelore lidhur me akuzat për vrasje, por ky vendim ishte kundërshtuar nga Prokuroria.

Në seancën e datës 24.06.2024, avokatja e Granit Elshanit, Kosovare Kelmendi tha se arsyeja që kjo çështje nuk është vendosur në gjykimin e parë është mungesa e guximit të gjyqtarëve ndaj mediave.

“Edhe herën e parë kur është ndërpre [gjykimi] besomëni ka pasë vend me u vendosë në Pejë. Krejt çka ka mungu është një lloj guximi pikërisht për shkak të fuqisë që kanë mediumet, portalet që gjykojnë para kolegjeve [të gjyqtarëve]. Është ndërpre për mu bo ballafaqimi në mes të ekspertit të balistikës dhe mjekësisë ligjore. D.m.th. ka aq shumë ka mangësi, montime edhe obstruksione përveç provave mbi të cilat është ndërtuar kjo aktakuzë” – deklaroi avokatja Kosovare Kelmendi.

E njëjta u shpreh e kënaqur me vendimin e fundit të shkallës së parë duke thënë se kanë analizuar dhe vlerësuar drejtë çdo provë.

“Kjo lëndë është me të vërtetë shumë voluminoze siç tha edhe gjyqtarja referuese dhe unë me të vërtetë kam bo mund me sqaru që këtu Granit Elshani është akuzuar veç pse ka qellu një prej Elshanëve në Kosovë” – shtoi avokatja duke e kujtuar hasmërinë në mes të familjes Elshani dhe Kelmendi.

“Fotografitë e vendit të ngjarjes tregojnë qartë që është trup femre dhe që këto fotografi janë të vitit 2009, këta [prokuroria] ia atribuojnë kësaj çështje. Nuk ka vërtetim mbi konfiskim të armëve, nuk ka fotografi të konfiskimit të armëve në vendin e ngjarjes… [Në ankesë]prokurori nuk bënë elaborim por radhitje të provave” – tha ndër të tjera avokatja Kosovare Kelmendi.

Në fund të fjalës së saj, avokatja Kosovare Kelmendi deklaroi se ligji dhe provat nuk do të lejojnë që Granit Elshani të shpallet i fajshëm.

Trupi gjykues i përbërë nga Ferit Osmani – kryetar dhe anëtarët: Afërdita Bytyqi dhe Burim Ademi nuk patën pyetje për avokaten Kosovare Kelmendi.

Në këtë seancë mungoi i akuzuari Granit Elshani, si dhe nuk pati asnjë përfaqësues nga radhët e prokurorisë.

Kryetari i trupit gjykues Ferit Osmani tha se vendimi lidhur me këtë rast do të merret jashtë seance.

Kujtojmë që në vitin 2018, Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vite dënim me burgim por që Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Lidhur me këtë rast, Elshani për herë të dytë në vitin 2022 ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 24 vite burgim nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.

Ky vendim ishte Apeluar nga palët duke kthyer rastin në rigjykim për t’u gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.

Prokuroria pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Granit Elshani akuzohet se më datën 02 janar 2010, në Pejë, në diskotekën “C.C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin Valdet Kelmendi, ka shtënë me armë.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se Elshani ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V. K., A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë.

Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C.C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H. B.”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.