Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

Pas formimit të institucioneve të reja, Kosovës i kërkohet të përqendrohet në dialogun me Serbinë

Formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Kosovës po i kërkohet të përqendrohet në vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

BE-ja nuk ka treguar se kur pritet të rifillojë procesi i negociatave mes të dyja vendeve.

Një zëdhënës i BE-së, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se do të njoftojnë për takimin e ardhshëm kur të jetë përshtatshme.

Blloku evropian ka theksuar se e mirëpresin zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Vjosa Osmanit.

“Ne e mirëpresim zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës dhe i shprehim urimet tona Vjosa Osmanit. E përgëzojmë angazhimin konstruktiv të një numri deputetësh të opozitës që mundësuan që procesi zgjedhor të përfundonte”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, të dielën e kaluar, me 71 vota për të deputetëve.

BE-ja ka shtuar për KALLXO.com, se “Kosova tani mund të përqendrohet në mënyrë të vendosur në punën e rëndësishme përpara, duke çuar para reformat e lidhura me BE-në dhe dialogun e lehtësuar nga BE”.

Kurse, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në fjalimin e saj pasi u zgjodh kryetare e shtetit, tha se dialogu me Serbinë duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

“Dialogu është vërtetë rruga që kemi përpara, por ai duhet të jetë i drejtë e i barabartë. E paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi  për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se procesi i negociatave me palën serbe, nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, ka thënë Kurti në konferencë për media, më 14 shkurt, atëherë në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Një dekadë dialog Kosovë-Serbi

Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nisi dialogun teknik me Serbinë.

Më 8 mars të vitit 2011, u mbajt takimi i parë mes të dyja vendeve, për të pasuar me shumë të tjerë, me mbi 30 marrëveshje të arritura, shumica e të cilave nuk kanë gjetur zbatim as pas 10 vitesh negociata.

Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Nga ai teknik, dialogu Kosovë-Serbi kaloi në nivel politik për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, në tetor të vitit 2012.

Në këtë fazë, dialog u ndërpre në nëntor të vitit 2018, pasi Kosova vendosi tarifë 100 për qind për produktet që importoheshin nga Serbia.

Ky vendim ishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë, për shkak të fushatës kundër Kosovës në mos anëtarësimin në organizatën e sigurisë Interpol.

Procesi i negociatave rifilloi pas rreth 20 muajsh, në korrik të 2020-s.

Në kuadër të diskutimeve të shumta mbi përmbylljen e mundshme të negociatave me marrëveshje, “iniciativë e rrezikshme” u cilësua ajo për korrigjimin e kufijve, e nisur në vitin 2018 dhe e proklamuar nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në bisedimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Një vit më parë, Bashkimi Evropian emëroi edhe emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, diplomatin sllovak Mirosllav Lajçak, me ndërmjetësim të të cilit u zhvilluan disa takime mes të dyja palëve, por që “përafrimi i qëndrimeve” ishte larg të arrihej.

Në anën tjetër, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan, Donald Trump palët nënshkruan një marrëveshje zotimesh në Shtëpinë e Bardhë.

Njëra prej  pikave të kësaj marrëveshje, ishte edhe që Kosovë të pezullojë për një vit aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia të ndalë fushatën e saj për çnjohjen e Kosovës.

Pas një dekade, procesi i negociatave  i gjen palët në atë që quhet faza finale e dialogut, megjithëse marrëveshja përfundimtare “me njohje reciproke” duket të jetë ende larg të ndodhë.