Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Kalimi i Thaçit nga 'korrigjimi' në 'korrigjim të lehtë të kufijve'

Ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me demarkacionin midis Kosovës dhe Serbisë, pas një ‘gjumi’ të tej zgjatur, është rikthyer përsëri në tavolinë, por tani paksa më ndryshe.

Thaçi qysh nga korriku i vitit 2018, kur ka folur për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut final, i ishte referuar idesë së tij vetëm me fjalën “korrigjim të kufijve”, ndërsa ditëve të fundit ai e ka futur një fjalorin e tij termin “korrigjim i lehtë” kur flet për korgjimin e kufijve.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për nevojën që stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor të ruhen me çdo çmim. Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit. Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hirë të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli”, kishte thënë Thaçi në një konferencë për media në muajin qershor të vitit 2018.

E në muajin gusht kishte thënë pothuajse të nëjtën deklaratë.

“E ritheksoj do të jenë dikund rreth 400 kilometra që do të ndodhë vërja e kufirit Kosovë-Serbi, pra korrigjim i kufirit mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kushdo që e prezanton opinionin tjetër, le të jetë i bindur se Kosova herët a vonë do të ballafaqohet sikurse edhe Serbia me këtë realitet. Unë pres një mbështetje të fuqishme, dhe këshilla shumë profesionale edhe nga NATO në këtë drejtim.   Dhe në fund, për të hequr të gjitha dilemat, marrëveshja eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe në rast se e njëjta nënkupton korrigjim të kufijve në mënyrë paqësore, në asnjë rrethanë nuk nënkupton hapje të ashtuquajturës Kuti e Pandorës, apo efektit domino”, kishtë thënë Thaçi me 3 gusht të vitit 2018.

Deklarata të tilla ai kishte bërë pothuajse tërë vitin që e lamë pas.

Megjithëse gjatë muajit nëntor dhe dhjetor ai nuk ishte shumë aktiv për të folur rreth idesë së tij. Por,  me të hyrë në vitin 2019, ai nuk e kishte ndërruar termin në lidhje me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e kufijve, por edhe me aspekte të tjera. Kjo marrëveshje do të jetë gjithëpërfshirëse, e cila trajton edhe çështje të tjera, si çështjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit, të cilët edhe më tutje nuk janë kthyer në vendlindje. Marrëveshja ka për qëllim të zgjidhë përfundimisht problemet dhe të mos jetë një zgjidhje e përkohshme, të cilës pastaj duhet t’i rikthehemi”, kishte shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook me 20 janar 2019.

Kurse para disa ditësh Thaçi në ShBA në “Council on Foreign Relations”, duket se e ka ndërruar mendjen paksa.

Kur ishte pyetur nga gazetarët për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi përmendi se në kuadër të kësaj do të ketë “korrigjim të lehtë të kufirit”.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme. Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, kishte thënë Thaçi.

Analistët: Thaçi po ndryshon termet për arsye personale

Nga analistët dhe shoqëria civile ky ndryshim i termeve të presidentit Hashim Thaçi shihet si një aryse për interesa personale.

Violeta Haxholli nga KDI tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo gjë është bërë nga ana e tij për shkak se nuk e ka gjetur pëlqimin e idesë së tij nga ana e politikës në vend.

“Mendoj se Presidenti mund t’i ketë zbutur deklaratat e tij nga “korigjim i kufijeve” në “korigjim të lehtë të kufijeve” pasi ka hasur në kundërshtime të ashpra përbrenda Kosovës rreth mundësisë së korigjimit të kufijeve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes potenciale të re të dialogut. Rikujtojmë se, kryeministri i Kosovës është shprehur fuqishëm kundër kësaj ideje. Po ashtu edhe të gjithë kryetarët e partive politike në Kosove, kanë bërë thirrje që në dialog të mos cenohet integriteti territorial i Kosovës. Kjo pikë është edhe pjesë e Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës”, tha Haxholli për JnK.

Ajo gjithashtu tha se 78% e qytetarëve të Kosovës janë shprehur kundër kësaj ideje, në sondazhin e KDI-së të publikuar në shtator 2018.

“Prandaj Presidenti Thaçi në deklarimet e tij publike dhe takimet zyrtare jashtë vendit duhet të përmbahet nga deklaratat e njëanshme sa i përket kësaj ideje e cila nuk është qëndrim shtetëror i Republikës së Kosovës duke qenë se po vazhdon të kundërshtohet nga i gjithë spektri politik dhe shumica e qytetarëve të Kosovës. E duke qenë se politika e jashtme e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës formulohet nga Qeveria dhe Kuvendi dhe Presidenti vetëm e përfaqeson atë politike, ai duhet të prezantojë në takimet e tij zyrtare vetëm qëndrimet e artikuluara nga insitucionet e Kosovës dhe jo idetë e tij personale. Prandaj qoftë ideja për korigjim të kufirit apo korigjim të lehtë të kufirit, aktualisht asnjëra nga këto mundësi nuk ka përkrahje brenda vendit”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa analisti politik, Haki Abazi tha se Thaçi po deklartohet për kufijt e Kosovës sikur të ishin “të tij” dhe po e bënë për arsye personale.

“Presidenti është duke u deklaruar për ndryshimet dhe idenë e këmbimit të territoreve sikur të ishin këto arat e tij perosnale. Kosova është shtet parlamentar dhe cfarëdo lëvizje drejt ndryshimit të kufijve qoftë i lehtë apo jo i lehtë nuk mund të këtë për protagonisit presidenti i cili nuk ka kompetenca kushtetuese për të bërë një gjë të tillë. Thaçi është duke bërë këtë gjë për të destabilizuar Kosovën dhe për të ikur procesit të Gjyaktës Speciale të cilën e ka sjellur vet në Kosovë dhe tani si duket për të është e pa pranueshme që kushdo tjetër të jetë në gjykatë përvec atij dhe Veselit”, tha ai për JnK.

Abazi po ashtu tha se kjo lojë e Thaçit është shumë e rrezikshme për rajonin.

“I gjithë ky inxhiniering krijon klimën për një konflikt të kontrolluar që shaktuesit e saj të dalin si heronjët e ndaljes së atij konflikti dhe një zgjatje artificiale të jetë së tyre të dështuar politike. Ky është një skenar shumë i rrezikshëm sepse inxhinieringu i njerëzve të dështuar në poltikë gjithmonë prodhon ekfekte të cilat dalin nga kontrolli sa herë që gjeoplitika bëhet më rëndesishëm se sa vullneti i qytetarëve”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndryshe, Thaçi që nga fillimi që ka shpalosur idenë e tij nuk e ka pasur përkrahjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe të opozitës.

 

Thaçi Shmang Mediat me Rekorde Facebook-u

.