Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Më 2021 nga mbi 36 milionë euro nga tatimi në pronë, asnjë cent nga komunat veriore

Në vitin e kaluar të hyrat nga tatimi në pronë i komunave në Kosovë arriti vlerën mbi 36.2 milionë euro. Këto të hyra rezultojnë të jenë më të larta në tre vitet e fundit.

Të dhënat vjetore financiare për vitin 2021 nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve, të cilat janë ende të paaudituara, tregojnë se të hyrat nga tatimi në pronë kishin vlerën e 36 milionë e 258 mijë euro.

Në raport me të hyrat e vitit 2020 rezulton se janë më të larta për 13.55 milionë euro ndërsa në raport me vitin 2019 janë më të larta për 8.98 milionë euro.

Në vitin 2020, kur edhe filloi pandemia e COVID-19, u regjistruan të hyra më të ulëta nga tatimi në pronë.

Komunat që mblodhën më shumë të hyra janë komunat më të mëdha në vend: Komuna e Prishtinës, e Prizrenit, Ferizajt, Pejës, e kështu me radhë.

Komunat veriore: Komuna Mitrovicës së Veriut, e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe e Zveçanit ende nuk e mbledhin tatimin në pronë,

Përkundër se qeveritë në Kosovës ndërrohen njëra pas tjetrës, qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronë.

Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj.

Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Vendimi i ministrit që mund të dëmtojë mbledhjen e tatimit në pronë

Në tetor të vitit të kaluar, kreu i kuletës së shtetit, Hekuran Murati, kishte njoftuar për nisje për në Qeveri të projekt-rregullores e cila do t’i lejonte qytetarët t’i regjistrojnë automjetet edhe pa vërtetimin për tatimin në pronë.

Nëse miratohej në Qeveri, projekt-rregullorja mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë automjetet.

“Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast se pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë”, citohej ministri Murati në Facebook.

Sipas ministrit Murati, kjo projekt-rregullore e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave,

“Dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim”, shpjegoi Murati.

Tutje ai kishte përmendur se projekt-rregullorja ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është një nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesës së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë.

Në anën tjetër, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) kishin vlerësuar se projekt-rregullorja do të ketë ndikim në mospagesën e tatimit në pronë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e kishte quajtur “surprizë  të ditës” paralajmërimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati ,sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për t’i regjistruar veturat e tyre.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ibrahimi kishte thënë se Murati nuk ka konsultuar komunat për heqjen e kushtit për regjistrim të veturës.

“Kjo ka qenë një surprizë e ditës, ku ministri Murati pa asnjë konsultim paraprak, ndoshta nuk e ka parë të nevojshme t’i konsultojë komunat, kur komunat janë përfituese direkte nga këto mjete, sepse ligjërisht të gjitha mjetet të cilat mblidhen nga tatimi në pronë me automatizëm përkthehen në investime kapitale”, kishte thënë Ibrahimi.

Më tej Ibrahimi kishte thënë se tatimi në pronë përbën mbi 70 për qind të të hyrave vetanake të komunave.

”Kur është vendosur ky kusht, është vendosur në bazë të një analize, që është konstatuar që një kusht i tillë do të sjellë ndryshime në inkasimin e të hyrave vetanake, sepse tatimi në pronë përbën mbi 70 për qind të të hyrave vetanake të komunave, edhe të gjitha këto përkthehen në investime kapitale”, kishte thënë ai

BQK e mirëpriti vendimin e ministrit Murati

Për dallim nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e kishte mirëpritur inicimin e ndryshimit nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, të projekt-rregullores mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë.

BQK konsideron se një masë e tillë do të kontribuojë në zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara. BQK konsideron se një masë e tillë do të kontribuojë në zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara.

njoftimin e BQK-së thuhej  se numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë është në rreth 25-30%, ndër më të lartit të Evropë.

mbledhjen Qeverisë së Kosovës të datës 27 tetor 2021, u miratua projekt-rregullorja mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë.

Së fundmi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se ka marrë vendimin lidhur me zgjatjen e afateve për kryerjen e obligimeve të tatimit në pronë, si dhe deklarimit të të ardhurave personale. Bazuar në vendimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve afati për paraqitjen e ankesave ndaj faturës së tatimit në pronë zgjatet deri më 31 maj 2022, kurse afati për pagimin e këstit të parë të tatimit në pronë zgjatet deri më 30 qershor 2022.

Nisma për tatimin në tokë

Në mars të vitit 2019, në takimin e mbajtur të Komitetit Drejtues të projektit ‘Pro Tax 2’ ishin vlerësuar lart rezultatet e arritura, me theks të veçantë implementimin e tatimit në toka, si një nga reformat më të rëndësishme për komunat e Kosovës.

Komiteti Drejtues i projektit ‘Pro Tax 2’  që atëherë përbëhej nga ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, e në takim pjesëmarrës ishin edhe ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përfaqësuesit e Ambasadës suedeze në Kosovë, përfaqësues të SIDA-s, si dhe përfaqësues të komunave të tjera.

Ish-ministri Hamza e kishte vlerësuar si një proces teknikisht shumë sfidues.

“Jemi në rrugë të mbarë për sa i përket plotësimit të kuadrit ligjor me aktet e nevojshme nënligjore. Para dy javësh është miratuar një akt tjetër nënligjor mjaft i rëndësishëm për procesin, Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Ankimit. Udhëzimi ka një rëndësi themelore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve si dhe përmirësimin e mëtejmë të të dhënave në regjistrat e tatimit në pronë”, kishte thënë ish-ministri.

Një muaj më vonë, departamenti i pronës në kuadër të Ministrisë së Financave kishte dalë me njoftim për tatimin në tokë.

“Për parcela bujqësore, tatimi në toke do të implementimet më 2020. Toka e kultivuar bujqësore do të lirohet nga tatimi në pronë. Tatimi do të jetë i bazuar në vlerën e vlerësuar të parcelave. Vlera e vlerësuar reflekton vlerën e tregut dhe ajo përcaktohet përmes një vlerësimi zyrtar gjithështetëror. Tatimi në tokë do të implementohet gradualisht, në mënyrë që të shmangen rritjet e papritura të mëdha të tatimit për t’u paguar. Kjo do të bëhet përmes një zbritje e përgjithshme gjatë përcaktimit të vlerës së taksueshme. Normat tatimore përcaktohen nga Asambleja komunale. Faturat e tatimit në pronë për parcela do të lëshohen nga viti 2019. Nëse jeni përgjegjës për të paguar tatimin në pronë për objekte, fatura juaj do të mbuloj edhe tokën edhe objektet. Fatura do të dërgohet parimisht në adresën e tatimpaguesit, jo në adresën e pronës sikur më herët. Nëse nuk e keni pranuar faturën tuaj, atë gjithmonë mund ta merrni në shërbimin tonë elektronik ose në komunë”, thuhej në njoftimin e këtij departamenti.