Murati: Dërgimi në Kushtetuese i Ligjit për Tatimin në Pronë, hipokrizi e Asociacionit të Komunave

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka komentuar paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, duke thënë se një veprim i tillë është absurd dhe hipokrizi.

Në konferencë për media, Murati ka thënë se qeveria vetëm e ka krijuar bazën ligjore, vendimi për falje i takon komunave.

“Kjo na kthen përsëri në atë pikën fillestare që çdo herë kemi thënë që kryesisht tek opozita e që në këtë rast edhe AKK dominohet nga opozita, ka një lloj hipokrizie sa i përket çështjeve të halleve të qytetarëve që shpesh herë pretendojnë se i qajnë. Nëse kërkesa ka qenë se duhet të ulet barra tatimore për qytetarët ne u kemi mundësuar me këtë ligj, dhe tani janë pikërisht komunat që po e kundërshtojnë” – tha Murati.

Sipas tij, pretendimi i asociacionit se do të dëmtohet buxheti është i pavërtetë.

“Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri më datën 22 gusht pra deri në datën e djeshme janë mbledhur në tatim në pronë janë mbledhur 33.2 milionë euro, në tërë vitin e kaluar kanë qenë të mbledhura 34.5 milionë euro, tashme në muajin gusht jemi në nivelin e tërë vitit të kaluar, pra nuk mund të flitet për dëmtim të buxhetit të kaluar. Çfarëdo falje që bëhet e këstit të dytë nuk e dëmton buxhetin e komunave”- tha tutje ai.

Asociacioni i Komunave te Kosovës sot njoftoi se Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme do ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, Ministria e Financave gjatë procesit të amendamentimit nuk konsultoi fare Komunat e Republikës së Kosovës.

Në korrik Kuvendi i Kosovë ka miratuar përmes të cilit mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

Qeveria dhe Komunat në fillim të këtij viti kanë pasur ‘përplasje’ për vlerësimin e tatimit në pronë, sepse qyteteve çmimi për tatimin në pronë i ka ardhur më i lartë se vitet paraprake.

 

Kuvendi miraton Ligjin që parasheh zbritjen për 100 euro në faturën e tatimit në pronë