KBurimi: Ministria e Financave

KBurimi: Ministria e Financave

Komunat regjistrojnë të hyra më të ulëta nga tatimi në pronë në tri vitet e fundit

Të hyrat prej 22.7 milionë euro nga tatimi në pronë i komunave të Kosovës, vitin e kaluar, rezultojnë të jenë të hyrat më të ulëta në tri vitet e fundit. Në raport me vitin 2019, rezulton rënie rreth 17 për qind apo 4.5 milionë euro më pak.

Të dhënat nga Raporti Vjetor Financiar i Ministrisë së Financave, thonë se të hyrat komunale të komunave të Kosovës, në vitin që shkoi, nga tatimi në pronë ishin në vlerën e 22 milionë e 707 mijë euro. Në raport me vitin 2019, këto të hyra janë më të ulëta për më shumë se 4.5 milionë euro apo shprehur në përqindje rreth 17 për qind.

Të hyrat më të ulëta regjistrohen edhe në raport me vitin 2018, me një përqindje prej -6 për qind apo -1.4 milionë euro.

Në vitin 2019 evidentohen 27 milionë e 277 mijë euro, ndërsa në vitin 2018 ishin 24 milionë e 196 mijë euro.

Të dhënat lidhur me këtë lloj tatimi janë grumbulluar nga 34 komuna nga gjithsej 38 sa janë në Republikën e Kosovës. Komunat veriore të Kosovës: Mitrovica Veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveqani, vazhdojnë të mos e mbledhin tatimin në pronë.

Qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj. Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Komunat e Kosovës të hyrat e tatimit në pronë i mbledhin bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë.