Foto: Kallxo.com

Falja e tatimit në pronë për 2023 në Prishtinë, LDK bojkoton seancën e Kuvendit Komunal

Seancë e jashtëzakonshme për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për kryeqytetin, u bojkotua nga grupi i LDK-së si dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Pëllumb Bajçinovci. I pranishëm nuk është as kryetari Përparim Rama.

Të pranishëm në seancë ishin asamblistët e PDK, LVV, AAK, AKR, nënkryetarja nga radhët e PDK, Donjeta Sahatçiu si dhe drejtorët Valbona Osmani e Lulzim Fushtica.

Në mungesë të kryesuesit, asamblisti Fehmi Kupina u thirr që si anëtari më i vjetër i Kuvendit Komunal të udhëheq seancën, por ky i fundit nuk pranoi nën arsyetimin se është me grip.

“Kërkoj falje por nuk und të udhëheq këtë seancë pasi jam me grip, kisha lutur që dikush tjetër ta udhëheq atë” – u shpreh ai.

Në qershor të këtij viti Fehmi Kupina dha dorëheqje nga LDK, derisa javë më pas Kuvendi Komunal shkarkoi Kupinën nga pozita e kryesuesit të Kuvendit.

Personi i dytë në radhë për nga mosha Rabije Hoxhaj nga LVV. Por asjo Rabije Hoxha nuk pranoi të udhëheq këtë seancë ‘jam me kimioterapi, por për shkak të përgjegjësisë do ia lë radhën zonjës Nora Kelmendi”- u shpreh ajo.

Nora Kelmendi nga LVV më pas procedoj tutje me seancën.

Propozim i LVV-së për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerë 100 euro më pas u prezantua nga shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla.

“Falja për tatim vlen për të gjithë tatimpaguesit për vitin 2023, shuma e faljes jo më shumë se 100 euro. Në rast se tatim paguesit kanë paguar faturën e tatimit në pronë për këtë vit, shuma e falur llogaritet si paradhënie për vitin pasues” – u shpreh ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës jave me parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.