Ilustrim

Asociacioni i Komunave: Vendimi i ministrit Murati do të ketë ndikim në mos pagesën e tatimit në pronë

Asociacioni i Komunave: Vendimi i ministrit Murati do të ketë ndikim në mos pagesën e tatimit në pronë

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e ka quajtur “surprizë  të ditës” paralajmërimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për t’i regjistruar veturat e tyre.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ibrahimi ka thënë se Murati nuk ka konsultuar komunat për heqjen e kushtit për regjistrim të veturës.

“Kjo ka qenë një surprizë e ditës, ku ministri Murati pa asnjë konsultim paraprak, ndoshta nuk e ka parë të nevojshme t’i konsultoj komunat, kur komunat janë përfituese direkte nga këto mjete, sepse ligjërisht të gjitha mjetet të cilat mblidhen nga tatimi në pronë me automatizëm përkthehen në investime kapitale”, tha ai.

Sipas tij, një vendim i tillë do të ndikoj që qytetarët të mos kryejnë obligimin për të paguar tatimin në pronë.

“Në aspektin ligjor ministri ka të drejtë të merr një vendim kësisoj, nuk mund të them nëse ka qenë momenti i duhur, mirëpo kjo do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në mos inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, tha ai.

Sipas tij, kushtëzimi të cilin sot Murati ka paralajmëruar se do ta largoj, ka sjellë rezultatet në mbledhjen e të hyrave vetanake.

”Kur është vendosur ky kusht, është vendosur në bazë të një analize, që është konstatuar që një kusht i tillë do të sjellë ndryshime në inkasimin e të hyrave vetanake, sepse tatimi në pronë përbënë mbi 70 për qind të të hyrave vetanake të komunave, edhe të gjitha këto përkthehen në investime kapitale”, tha ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati sot ka njoftuar se e ka dërguar në qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë.

Sipas tij, me anë të kësaj qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetim për pagesën e tatimin në pronë kur regjistrojnë veturën.

“Kjo e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë (dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim). Dhe ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesë së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar Murati në facebook.

Në anën tjetër, sipas Raportit të Auditorit, janë miliona euro që qytetarët dhe bizneset  ia kanë borxh komunave për pagesat e tatimit në pronë.

Në Komunën e Prishtinës, vlera e borxhit të cilin e kanë qytetarët dhe bizneset për tatimin në pronë është rreth 38 milionë euro.

Në komunën e Pejës borxhi për tatimin në pronë nga qytetarët dhe bizneset është rreth 12 milionë euro, ndërsa në komunën e Ferizajt ky borxh është rreth 9 milionë, kurse në Gjilan borxhi i qytetarëve për mos-pagesë të tatimit në pronë është rreth 9 milionë euro.

Qeveria pritet të aprovoj rregulloren që i lejon qytetarët të regjistrojnë veturat edhe pa vërtetimin e tatimit në pronë