Vendimi i Kushtetueses, Kuvendi Komunal i Prishtinës pezullon pikën për faljen e tatimit në pronë

Komuna e Prishtinës ka pezulluar pikën e rendit të ditës për falje të tatimit në pronë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të parakohshme për nenin 5 të Ligjit për tatim në pronë, i cili parasheh faljen e tatimit deri në 100 euro për qytetarët.

“Këtë pikë për fat të keq duhet ta pezullojmë pasi gjykata kushtetuese e ka pezullur ligjin për tatim deri në një vendim tjetër të gjykatës kushtetuese”- ka thënë Rama.

Kryetari Rama tha se për falje të tatimit në pronë kanë pasur në plan që të ndihmojnë qytetarët si dhe kanë dhënë edhe propozime për qeverinë.

“Sa i përket faljes së tatimit në pronë, edhe para disa muajsh kemi pas këtë diskutim këtu rreth mundësisë që tu ndihmojmë qytetarëve, atëherë kemi propozu një ngrirje të vitit 2022, tu jepej kohë qytetarëve që të adaptohen me tatime të reja”.

“Si rezultat i një ligji të ri për falje të tatimeve, kemi përgatitë propozimin që secili ndryshim që ndodh prej viti 2022 në 2023 tu falet qytetarëve, kemi propozu poashtu që kjo falje të vij prej nivelit qëndror, por dhe ne po ashtu jemi pajtuar që ta bënim këtë”- tha Rama.

Kushtetuesja në vendim të saj u bazua në kompetencat vetanake të komunave, ku përfshihen edhe e drejta për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe shpenzimin e këtyre të hyrave sipas vendimit të vetë autoriteteve lokale.

“Vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”-  u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli.

Kushtetuesja pezullon zbatimin e nenit i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë