Foto: Kallxo.com

PDK e opozita bëhen bashkë, qytetarëve të Prishtinës u falen deri 75 euro e tatimit në pronë për vitin 2023

Pas një dakordimi mes asamblistëve të opozitës dhe partisë në pushtet PDK në Kuvendin Komunal në kryeqytet me 27 vota për u mor vendimi që qytetarëve t’u falen 75 euro nga shuma e tatimit në pronë për vitin 2023.

Asamblistë të Kuvendit të Prishtinës thirrën seancë të jashtëzakonshme për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro për vitin 2023, derisa seanca u bojkotua nga grupi i LDK-së e u pasua me shumë kritika nga asamblistë të PDK, AAK, AKR, të cilët kërkuan një dakordim për shumën që do falet.

Nora Kelmendi nga LVV, e cila udhëhoqi këtë seancë në mungesë të kryesuesit Pëllumb Bajqinovci, deklaroi si në vijim:

“Miratohet vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin 2023. Shuma për falje do jetë jo më shumë se 75 euro. Në rast se tatimpaguesit kanë paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur llogaritet si paradhënie për vitin 2024”- u shpreh ajo.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës javë me parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

“…Si i tillë, ky i fundit [neni 5 i Ligjin për tatimin në pronë], nuk cenon përgjegjësitë komunale apo nuk zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm në kontekst të ushtrimit të kompetencave të komunës për të caktuar, mbledhur dhe shpenzuar tatimin në pronën e paluajtshme brenda territorit të komunës përkatëse”, u tha në njoftimin e Kushtetueses.

Drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, para asamblistëve sqaroi se përse propozimi për falje deri në 100 euro paraqet dëm financiar për të hyrat e Komunës së Prishtinës.

“Në mbledhjen e 6-të të këtij Kuvendi kam paraqitur propozimin e kryetarit për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 e që propozim ka qenë diferenca e rritjes mes vitit 2022 dhe 2023. Pra, nëse i ke pasur 20 euro në vitin 2022 dhe në 2023 e ke 40, falet diferenca e rritjes, jo 100 sepse dëmtohet Komuna”- sqaroi Makolli.

Sipas saj, nëse falen deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit, i bie që Komuna nuk do të marrë tatim nga më shumë se 50% e tatimpaguesve.

“Në vitin 2023 dhe 2024, numri i faturave nga sistemi Protax i Ministrisë së Financace janë rigjeneruar 92 mijë tatimpagues, prej 1-100 euro kemi mbi 47 mijë tatimpagues që i bie më shumë se 52% e tatimpagsëve dhe fatura mbi 100 euro janë mbi 44 mijë fatura. Propozimi që ka bërë kryetari është shumë më e vogël se kjo që është propozuar. Nëse nga 92 mijë fatura secilit i falen nga 100 euro komuna do ketë humbje mbi 9 milionë euro nga të hyrat e tatimit në pronë”- shtoi tutje Makolli.

Gëzim Sveçla nga grupi i asamblistëve të LVV-së sqaroi se afati për falje të tatimit vlen deri të premten (8 dhjetor).

“Ky afat është edhe nesër. Si Kuvend Komunal e kemi këtë mundësi që qytetarëve të Prishtinës t’ua lehtësojmë këtë barrë tatimore” – shtoi ai.

Derisa, Leutrim Retkoceri nga PDK, parti e cila është në koalicion qeverisës me LDK-në, tha se përfaqësojnë interesin publik andaj edhe janë të pranishëm në seancë.

“PDK e ka të qartë pse janë në këtë sallë, përfaqësojmë interesin publik dhe do votojmë për interesin publik për zbritje të rritjes së vlerës për tatimin në pronë. Ne të parët kemi kundërshtuar raportin e ri të vlerësimit të pronave që ka ndikuar në rritje enorme të tatimit ne pronë”- deklaroi ai.

Sipas tij, proklamimi për falje është mashtrim, pasi është e rëndësishme se kush e solli rritjen e tatimit në pronë.

“Si bëhet një ligj e më pas nga efekti i rritjes në po atë vit kërkohet falja deri në 100 euro, por nuk ka falje për ato kategori të tatimpaguesve që tashmë rritja e tatimit në pronë shkon 200%, 300% , pse nuk i ka paraparë ligji”- u shpreh Retkoceri para se të bëhej dakordim për zbritjen deri në 75 euro.

Më herët gjatë këtij viti, kreu i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.

Falja e tatimit në pronë për 2023 në Prishtinë, LDK bojkoton seancën e Kuvendit Komunal

www.kallxo.com