Kushtetuesja pezullon zbatimin e nenit i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë i cili parasheh faljen e 100 euro të taksapaguesve.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli.

Vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, “ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë”. Ndërkohë qe edhe Kuvendi Komunal i Prishtinës sot e ka në rend të ditës këtë vendim.

Ministri Hekuran  Murati e kishte quajtur paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, si vendim absurd dhe hipokrizi.

Në konferencë për media më datën 23 gusht 2023, Murati ka thënë se qeveria vetëm e ka krijuar bazën ligjore, vendimi për falje i takon komunave.

Asociacioni i Komunave te Kosovës sot njoftoi se Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme do ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, Ministria e Financave gjatë procesit të amendamentimit nuk konsultoi fare Komunat e Republikës së Kosovës.

Në korrik Kuvendi i Kosovë ka miratuar përmes të cilit mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

Qeveria dhe Komunat në fillim të këtij viti kanë pasur ‘përplasje’ për vlerësimin e tatimit në pronë, sepse qyteteve çmimi për tatimin në pronë i ka ardhur më i lartë se vitet paraprake.