Foto: Ministria e Financave

Hamza: Tatimi në toka një nga reformat më të rëndësishme për komunat

Në takimin e Komitetit Drejtues të projektit ‘Pro Tax 2’  u vlerësuan lart rezultatet e arritura, me theks të veçantë implementimin e tatimit në toka, si një nga reformat më të rëndësishme për komunat e Kosovës.

Komiteti Drejtues i projektit ‘Pro Tax 2’ ka mbajtur sot takimin e radhës të kryesuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza. Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu, përfaqësuesit e Ambasadës suedeze në Kosovë, përfaqësues të SIDA-së, si dhe përfaqësues të komunave të tjera.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza theksoi se Ministria e Financave i ka kushtuar vëmendje të shtuar reformës së tatimit në pronë, me fokus të veçantë  në  zbatimin e  tatimit në tokë, për shkak të rëndësisë madhore të këtij projekti për komunat e Kosovës dhe jo vetëm.

Sipas tij edhe pse është një proces teknikisht shumë sfidues, mund të them se ja kemi dalë të fillojmë implementimin e tatimit në toka.

“Jemi në rrugë të mbarë për sa i përket plotësimit të kuadrit ligjor me aktet e nevojshme nënligjore. Para dy javësh është miratuar një akt tjetër nënligjor mjaft i rëndësishëm për procesin, Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Ankimit. Udhëzimi ka një rëndësi themelore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve si dhe përmirësimin e mëtejmë të të dhënave në regjistrat e tatimit në pronë”, shtoi Ministri Hamza.