Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria pritet të aprovoj rregulloren që i lejon qytetarët të regjistrojnë veturat edhe pa vërtetimin e tatimit në pronë

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se ka nisur për në Qeveri një Projekt – Rregulloren e cila do t’i lejojë qytetarët t’i regjistrojnë veturat edhe pa vërtetimin e tatimit në pronë.

Murati, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se nëse miratohet në Qeveri Projekt-Rregullorja mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën.

“Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast se pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë”, tha ai në njoftimin e tij në Facebook.

Sipas tij kjo Projekt – Rregullore e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, pasi që e njëjta heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë.

“Dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim”, shpjegoi Murati.

Ai tha se Projekt – Rregulloja e ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesë së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë.

“Qytetarët megjithatë duhet të paguajnë me rregull faturat e tatimit në pronë, edhe pas heqjes së këtij detyrimi, sepse me ligjin e ri që rregullon këtë çështje, të gjithë personat që kanë borxhe mbi 300 euro, do të trajtohen përmes përmbaruesit”, ka përfunduar Murati.