Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Qeveria largoi kushtëzimin e tatimit në pronë për regjistrimin e veturave

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar projekt-rregulloren mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë sipas të cilës qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetim për pagesën e tatimin në pronë kur regjistrojnë veturën.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati ka arsyetuar marrjen e këtij vendimi në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

“Gjeneza e kësaj ka të bëjë me padrejtësinë dhe kushtetueshmërinë e një mase dhe veprimi të tillë, gjë që është dëshmuar edhe me veprimet e avokatit të popullit edhe me të gjitha instancat e tjera që një mase e tillë nuk është dashur të bëhet”, tha ai.

Duke ju referuar kritikave të komunave për këtë vendim, Murati tha që ka mënyra të tjera të mbledhjes së tatimit në pronë.

“Ne kemi vendosur drejtësi në mënyrë që qytetarëve të mos u bëhet e padrejtë dhe ky kufizim që mos u zbatohet atyre që realisht kostoja dhe pritja e kanë bërë që ata qytetarë që e kanë paguar me rregull tatimin dhe kush nuk e ka paguar nuk ka shku fare me nxjerrë, e ka vozitur veturën pa e regjistru. Ka plotë mënyra të tjera që mund të mblidhet tatimi në pronë, nuk konsideroj që ajo që thonë komunat është e vërtetë, tatimi do të vazhdon të mblidhet”, tha Murati.

Ministri Murati kishte paralajmëruar këtë vendim ditë më parë, por drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi kishte vlerësuar se një vendim i tillë mund të ndikoj që qytetarët të mos e paguajnë fare tatimin.

“Në aspektin ligjor ministri ka të drejtë të merr një vendim kësisoj, nuk mund të them nëse ka qenë momenti i duhur, mirëpo kjo do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në mos inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, pati thënë ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, sipas Raportit të Auditorit, janë miliona euro që qytetarët dhe bizneset  ia kanë borxh komunave për pagesat e tatimit në pronë.

Në Komunën e Prishtinës, vlera e borxhit të cilin e kanë qytetarët dhe bizneset për tatimin në pronë është rreth 38 milionë euro.

Në komunën e Pejës borxhi për tatimin në pronë nga qytetarët dhe bizneset është rreth 12 milionë euro, ndërsa në komunën e Ferizajt ky borxh është rreth 9 milionë, kurse në Gjilan borxhi i qytetarëve për mos-pagesë të tatimit në pronë është rreth 9 milionë euro.

Asociacioni i Komunave: Vendimi i ministrit Murati do të ketë ndikim në mos pagesën e tatimit në pronë