Foto: Atdhe Mulla

‘Liberalizimi i Korruptuar’, Rastet Gjyqësore Nga të Cilat Varet Liberalizimi

Pas kalimit të demarkacionit, vëmendja është kthehet te gjyqësori. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kriteri thelbësore për liberalizim, me theks në rastet e shënjestëruara për heqjen e regjimit të vizave. Tash barra bie te gjyqtarët.

Në konferencën e organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, ku u prezantua raporti me gjetjet gjetjet nga monitorimi i rasteve gjyqësore të shënjestruara për liberalizimin e vizave u diskutua për këto raste dhe procesin në të cilin janë secila nga to.

U tha që duhet të bëhet punë më e madhe dhe këto janë rastet me prioritet në Gjykatat e Kosovës, duke përmendur Gjykatën Themelore në Prishtinë, si gjykatën që ka më së shumti raste të shënjestruara për liberalizm.

Në hapje të konferencës, u treguan gjetjet e raportit. Labinot Leposhtica, Koordinator i Zyrës Ligjore dhe Projektit të Monitorimit të BIRN/Internews Kosova dhe bashkëhartues i raportit tha se janë në total 39 raste të shënjestruara, duke e vënë fokusin te 19 raste, me theks të veçantë në Gjykatën Themelore në të cilën janë 15 nga këto lëndë.

“Ka mospërputhje mes të dhënave në Këshillit Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor. Në KGJK rezulton që deri tash në shkallë të parë janë 5 lëndë ndërsa me vendim të formës së prerë janë 6. Ndërsa në KPK janë 8 lëndë të formës së prerë 4 lëndë në shkallë të parë”, tha ai.

Nga këto 19 raste, numri më i madh i rasteve të shënjestruara që janë ende në punë janë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Mitrovicë 2 raste, në Prizren e Ferziaj (dega Kaçanik) nga 1 lëndë).

Foto: Atdhe Mulla

Ndërsa, Kryeporokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se pajtohet që nuk ka rezultate konkrete në vendimet përfundimtare në rastet e shënjestruara për liberalizim.

“Pajtohem që nuk kemi përparim dhe rezultate konkrete për vendime përfundimtare. Përpos kësaj duhet të kihet parasysh që rastet e evidentuara si të shënjestruara, ne i kemi cilësuar si rëndët më të lënda në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit. Foto: Atdhe Mulla

Lumezi tha se Prokuroria ka shënjestruar 40 raste, dhe se këto ditë bashkë me me kryeporokurorin e Prokurorisë Speciale janë në fazën e shënjestrimit edhe të disa lëndëve dhe deri në fund qershorit të dalin me rezultate më konktete.

Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, tha se ka përparim në këtë fushë, por ai është milimetrik krahasuar me atë që duhet bërë.

“Ka përparime, ka pasë avansim, por këto janë aq milimitrike e të vogla, gati shpërfillëse”, tha ai.

Tutje Ispahiu ritheksoi edhe diskrepancën që u paraqit në fillim të raportit mes KPK-së e KGJK-së.

“Nuk po shoh strategji e komunikim, koordimin të qartë.  Jo veç strategji në letër, por në verpim”, tha ai.

Ai tha se ka pasur raste kur prokurorët e gjyqtarët duan janë shumë efikas.

Foto: Atdhe Mulla

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, tha se politik-bërja është e rëndësishme në këtë proces.

“Politik-bërja shumë e rëndësishme. Po flas për tri perspektiva të saj: adresimi i çështjeve që dalin nga raporti i progresit;  implementimi i planit kombëtar dhe raporti për zgjerim, ku kërkohen reforma të thella në gjyqësor e prokurori”, tha ai.

Tahiri tha se qeveria dhe ministria që ai drejton ka marrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Ndërsa Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme, një pjesë të fajit e hodhi te EULEX-i.

“Pikërisht prej EULEX janë kompliku gjanat. Për shembull ka rast që ata i kanë dëgju 16 dëshmitarë dhe na i kanë dorëzu lëndët”, tha Peci.

Ai tha se luftimi i krimit dhe korrupsionit, si kriter për liberalizim është proces dhe lëndët nuk mund të maten me ditë e javë.

“Ky është proces, s’mujm me thanë deri në qershor kryhen këto lëndë e nëse s’kryhen s’ka liberalizim. Nuk mujm me e matë kryerjen e landëve me ditë e muaj sepse ka kompleksitet të rasteve”, tha Peci në konferencë.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme. Foto: Atdhe Mulla

Koordinatori i KPK-së këto raste, Reshat Millaku tha se nuk ka njerëz të paprekshëm.

“Kemi shënjestruar të gjitha ata raste [të rënda] me dhanë pasqyrë e apel që nuk ka njerëz të paprekshëm. Jemi të interesuar me shënjestru raste më të rënda”, tha Millaku.

Ai tha se kur e mori detyrën e koordinatorit të KPK-së për rastet e shënjestruara, ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore që të dërgojnë të gjitha lëndët/rastet e korrupsionit e që më pasë kanë bërë një data bazë me këto raste.

Reshat Millaku, prokuror. Foto: Atdhe Mulla

Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit, tha se kjo gjykatë në vitin e kaluar nga 161 ka zgjidhur plot 145 lëndë dhe se do të shkojnë në burg ata që e meritojnë.

“Në 2017 kemi pasë në 161 lëndë korrupsion, 145 i kemi kry dhe i kemi bartë 16. Nga to këtë vit i kemi përfundu 11 dhe kanë mbëtë edhe 5 që do të kryhen brenda muajit”, tha ai.

Në pyetjen se a do të shkojnë njerëz në burg, ai tha se “do të shkojë në burg ai që e meriton dhe ka kry vepër penale”.

Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit. Foto: Atdhe Mulla

Afërdita Bytyqi, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se sfida më e madhe bie mbi gjyqtarët e kësaj gjykate dhe departamentin për krime të rënda.

“Janë 14 gjyqtarë që çdo ditë janë në sallat e gjykimit. Numri i gjyqtarëve është i vogël në krahasim me numrin e lëndëve”, tha Bytyqi.

Ajo tha se e kupton se gjykata në kryeqytet ka më shumë lëndë për shkak që krimi i lartë është më i përqendruar në Prishtinë dhe pavarësisht sfidave, janë në trend pozitiv në zgjedhjen e lëndëve.

“Sfidë lëndët e trashëguara, numri i madh i lëndëve që mbërrijnë çdo ditë. Në këtë gjykatë janë transferuar vetëm nga EULEX 21 lëndë”, tha ajo.

E Skënder Çoçaj, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se do të rritet numri i bashkëpunëtoreve profesionalë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, meqë këtu është numri më i madh i rasteve.

“Do të shtohen 19 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 10 zyrtar ligjorë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, tha asi.

Çoçaj tha se janë edhe disa rekomandime që BIRN dhe IKS i ka dhënë në raport, të cilat kanë nisë me së zbatuari dhe se për disa janë duke e shikuar bazën ligjore.

“Duhet të shohim a ka bazë ligjore që të bëhet transferimi i lëndëve nëpër gjykata tjera”, tha ai.

Tri nga 19 lëndët e llastuara në raport janë lëndët që njihen si: “Ferroikeli”, “Stenta” dhe “Siguria”.

Rasti i njohur si “Ferronikeli”, ku i akuzuar është ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, e që kanë kaluar 129 ditë dhe ende nuk është përcaktuar seanca e shqyrtimit gjyqësor. Ndërsa kanë kaluar 884 ditë që nga koha kur ka nisur shqyrtimi i këtij rasti.

Rasti “Stenta”, në të cilin të akuzuar 59 fizikë dhe 4 juridik. Kanë kaluar 646 ditë që nga koha kur është ngritur aktakuza dhe ende nuk ka nisur shqyrtimi gjyqësor.

Rasti “Siguria”, ku të akuzuar janë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukla; ish kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha dhe ish kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.  Vlera e tederrit për të cilët akuzohen rreth 6 milion euro.

Disa nga remomandimet e BIRN dhe IKS janë: Të rritet komunikimi ndërmjet KPK-së dhe KGJK-së përmes takimeve të përbashkëta, me qëllim të koordinimit dhe harmonizimit të të dhënave; Secili gjyqtar që ka lëndë të shënjestruara të mbështetet nga bashkëpunëtorë profesionalë për t’i ndihmuar në trajtimin e këtyre lëndëve; Prokurorët që kanë raste të shënjestruara të mbështeten me bashkëpunëtorë profesionalë; Prokurorëve të lëndëve të shënjestruara t’u bëhet e mundur që të mos e humbasin asnjë seancë duke i zëvendësuar ata në përfaqësim në lëndët tjera dhe të shkarkohen nga lëndët e tjera; Të refuzohen kërkesat për transferim apo avancim të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lëndë të shënjestruara në punë.

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin edhe gjyqtarë dhe prokurorë të rasteve specifike të shënjestruara, avokatë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.