Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme. Foto: Atdhe Mulla

Enver Peci: Rastet e Liberalizimit Nuk Maten me Ditë, EULEX i Ka Komplikuar Gjërat

Pas kalimit të demarkacionit, vëmendja është kthehet te gjyqësori. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kriteri thelbësore për liberalizim, me theks në rastet e shënjestëruara si kusht për heqjen e regjimit të vizave.

Në konferencën e organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, ku po flitet për raportin me gjetjet nga monitorimi i rasteve gjyqësore të shënjestruara për liberalizimin e vizave, Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme fajin e hodhi tek EULEX-i.

“Pikërisht prej EULEX janë kompliku gjanat. Për shembull ka rast që ata i kanë dëgju 16 dëshmitarë dhe na i kanë dorëzu lëndët”, tha Peci.

Ai tha se luftimi i krimit dhe korrupsionit, si kriter për liberalizim është proces dhe lëndët nuk mund të maten me ditë e javë.

“Ky është proces, s’mujm me thanë deri në qershor kryhen këto lëndë e nëse s’kryhen s’ka liberalizim. Nuk mujm me e matë kryerjen e landëve me ditë e muaj sepse ka kompleksitet të rasteve”, tha Peci në konferencë.

Ai tha se fokusi i tyre është që këtyre lëndëve t’u jepet përparësi.

“Përveç rasteve të shënjestruara, kemi plan veprimi edhe për lëndë të korrupsionit. Me i trajtu edhe këto raste me prioritet gjyqtarët, jo veç ato për liberalizimit”.

Ai tha se beson që shpejt ka me pasë rezultate konkrete, por siç u shpreh “s’mujm me thanë në fund të qershorit krejt kanë me u kry. Në Gjykata nuk punohet me automatizëm”.

Në konferencën e organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, ku është  publikuar raporti me gjetjet nga monitorimi i rasteve gjyqësore të shënjestruara për liberalizimin e vizave po flasin Faik Ispahiu, Kallxo.com; Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Shtetit;  Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme; Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë; Reshat Millaku, Prokuror, Koordinator i KPK-së për rastet e shënjestruara; Hasan Shala, Kryetar i Gjykatë së Apelit; Afërdita Bytyqi, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë; Skënder Çoçaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pjesëmarrës janë edhe gjyqtarë dhe prokurorë të rasteve specifike të shënjestruara, avokatë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.