Kurti: Nuk përgjigjem në pyetje parlamentare pasi nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në seancën e sotme plenare është shprehur se nuk mund të përgjigjet në pyetje parlamentare për shkak se nuk po votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai në një replikë me deputeten e AAK-së, Time Kadriaj u shpreh se atëherë kur do jeni deputet i Kuvendit të Kosovës, do përgjigjet në pyetje parlamentare.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi koleg të të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik dhe shtetëror. Atëherë kur do jeni deputetë i kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë do përgjigjem në pyetjen parlamentare sepse sigurohem se bëhet fjalë për parlamentin”- u shpreh ai.

Kurti theksoi se gjatë kohës sa ka qenë në opozitë gati të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare janë votuar në Kuvend.

“Nuk ka pasur kryeministër që është përgjigjur më shpesh dhe përpikëri në pyetje parlamentare, nga 377 marrëveshje ndërkombëtare kur unë isha opozitë, vetëm 3 nuk janë votuar. Nuk mund t’i bësh pyetje kryeministrit dhe ta dëmtosh shtetin me 360 milionë euro me marrëveshje ndërkombëtare. Me keqardhje nuk mund të përgjigjem në pyetje parlamentare”- shtoi tutje Kurti.

Derisa, deputetja Kadriaj e pyeti nëse ai ka votuar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“A ke votu ti marrëveshjen e Stabillizim Asociimit, ti je këtu për të shkatërruar shtetin e Kosovës, ti deputetët e tu nuk i ke lejuar të votojnë për policinë e Kosovës, për përkrahje me mjete financiare. Shko shetitu nëpër Greqi sa të duash, nuk i ke bërë hajr këtij shteti”-ia ktheu ajo.