Flamuri i BE-se/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

BE nuk tregon nëse do i largojë masat ndaj Kosovës, fokusi i takimit të nesërm - hapat drejt shtendosjes së situatës në veri

Të mërkurën do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se fokusi i takimit të nesërm do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtendosjes së situatës në veri të Kosovës.

“Nesër, emisari Mirosllav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Fokusi do të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtendosjes së situatës në veri të Kosovës”- ka shkruar Stano në Twitter.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Bashkimit Evropian nëse BE ka konsideruar që të fillojë me tërheqjen e masave ndaj Kosovës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

Takimi i nesërm do të ndërmjetësohet nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pala kosovare do të përfaqësohet nga Besnik Bisimi, zëvendëskryeministër për dialog, ndërsa pala serbe nga Petar Petkoviq.

Mbajtjen e takimit të mërkurën e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.

Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ndërkaq javën e kaluar, Bislimi ka mbajtur një takim joformal me emisarin Lajçak, janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.

Të mërkurën mbahet takimi i kryenegociatorëve në Bruksel