Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Nuk miratohen asnjëra nga katër marrëveshjet ndërkombëtare, PDK dhe AAK nuk marrin pjesë në votim

Votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i një tjetrës, janë bartur një seance tjetër të Kuvendit të Kosovës, pasi nuk patën kuorumin e mjaftueshëm për tu kaluar.

Kështu ka njoftuar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili theksoi se një Kuvend i cili nuk e ka kapacitetin objektiv të kalojë këto marrëveshje, sipas tij nuk duhet të ekzistojë fare.

“Me thënë të drejtën unë si kryetar i Kuvendit mendoj që një Kuvend i cili nuk ka kapacitetin e vet objektiv me kalu marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ia vlen me ekzistu legjislatura hiç”- ka deklaruar Konjufca.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se PDK e ka qëndrimin që nuk votojnë asnjë projektligj dhe ka kërkuar që kjo legjislaturë të merr fund e më pas të caktohet data e zgjedhjeve.

“Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që dakordohemi kur ta dërgojmë vendin në zgjedhje, ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jo funksionale, jemi dakord që brenda asaj ditë do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”- tha Tahiri.

“Pra atë ditë që ne dakordohemi që të shpërbëhet ky parlament të njëjtën ditë kemi me i kalu të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”- shtoi ai.

E nëse pajtohemi që zgjedhjet janë në janar të 2025-ës a i votoni marrëveshjet ndërkombëtare?”- ishte përgjigja e Konjufcës ndaj deputetit Tahiri.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se është detyrë e Qeverisë që të krijojë konsensus politik në Kuvend, për çështje që konsiderohen me interes nacional ose me interes të përgjithshëm përtej interesit të qeverisjes.

“Në mënyrën  e funksionimit të parlamentarizmit, detyrë funksionale primare është e shumicës që me kriju konsensusin politik në Kuvend, pra Qeveria nëpërmjet grupit parlamentar e ka për detyrë me kriju konsensus për çështje që konsiderohen me interes nacional ose me interes të përgjithshëm përtej interesit të qeverisjes”- tha Gashi.

“Pra do të duhet të ishte shprehja juaj e saktë, dështim i Qeverisë, sepse përgjithësimi i përgjegjësisë në Kuvend është i pasaktë. Qeveria nuk ka mbrri për asnjë temë asnjë çështje me iniciativë të veten me kriju konsensus në Kuvend në tri vite të qeverisjes”- theksoi ai.

Në korrik të këtij viti, PDK-ja ishte deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votime, “deri në seancën kur do të shpërbëhet Kuvendi”.

Ndërkaq, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë që të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, përveç marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Në rend të ditës sot ishin në votim tri marrëveshje ndërkombëtare; Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit; otimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës” dhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Kurse në shqyrtim të parë, ishte marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.