Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Kosova rrezikon të humbë miliona euro nga BE-ja nëse nuk i përmbush synimet për reformën në administratën publike

Kosova rrezikon të humbë miliona euro nga Bashkimi Europian nëse nuk arrin t’i përmbush synimet e vendosura për reformën në administratën publike deri në fund të vitit 2021.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, në një intervistë për KALLXO.com në muajin korrik ka thënë se nëse këto synime nuk përmbushen nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Kosova rrezikon të humbë një asistencë vlera e së cilës mund të jetë nga 5 deri në 10 milionë euro.

“Deri në dhjetor kemi shumë synime të reja kështu që nëse synimet nuk arrihen…. jo 20 milionë, mund të kenë qenë 10, 5 apo 8 por përsëri ka rrezik që të ndodh kjo nëse synimet nuk arrihen”, kishte përfunduar ai.

Kosova gjatë vitit 2020 kishte humbur miliona euro donacion nga BE-ja pasi nuk kishte arritur t’i përmbush synimet e vendosura për reformën në administratën publike.

“Mungesa e fokusit dhe vëmendjes i humbi Kosovës miliona euro” 

Reforma në administratën publike është një nga pikat më të rëndësishme të asistencës së BE-së për Kosovën dhe bashkëpunimit me Qeverinë.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se për shkak të mungesës së fokusit dhe vëmendjes, Kosova ka humbur me miliona euro nga BE sepse Kosova sipas tij nuk po arrin t’i përmbush synimet e vendosura.

“Gjithashtu duhet të them se unë kam qenë i frustruar si person por edhe ne si institucion me mënyrën se si nuk po zbatohet apo nuk është zbatuar kjo reformë. Është një histori tipike e Kosovës ekziston legjislacioni që është pak a shumë i mirë, është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, neve ende na mungojnë rregulloret përcjellëse dhe vendimet por legjislacioni ekziston është mjaft i mirë”, kishte potencuar Szunyog në korrik në intervistën për KallxoPërnime.

Szunyog tha se pas bashkimit të Ministrisë së Administratës Publike me atë të Punëve të Brendshme, gjërat gjatë vitit të fundit 2020 nuk kanë funksionuar siç duhet dhe për shkak të mungesës së fokusit dhe vëmendjes sipas tij, Kosova ka humbur tashmë me miliona euro të asistencës evropiane.

“Ne e kuptojmë që reforma nuk mund të kompletohet sepse Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për pagat e shërbyesve civilë dhe kjo duhet të zgjidhet, në kuptim të propozimit të legjislacionit të ri dhe miratimin e një legjislacioni që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Ku ka arritur Kosova me përmbushjen e synimeve?

Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike është duke punuar në arritjen e synimeve të caktuara për reformën në administratën publike.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kanë thënë për KALLXO.com se në rrafshin e reformave të administratës publike ka përfunduar hartimin e katër projektligjeve.

Sipas Ferdinand Nikollës, këshilltar politik në kabinetin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, në rrafshin e reformave të administratës publike ka përfunduar hartimin e katër projekt-ligjeve.

Konkretisht, sipas tij është hartuar projekt-ligji për valën e parë të racionalizimit të agjencive të pavarura, projekt-ligji për valën e dytë të racionalizimit të agjencive ekzekutive, projekt-ligji për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin përkatës për Procedurat e Përgjithshme Administrative dhe projekt-ligji për inspektimin administrativ.

Të gjitha këto projekt-ligje sipas tij tashmë janë në procedura përkatëse qeveritare dhe pritet që së shpejti t’i nënshtrohen aprovimit qeveritar.

Nikolla ka thënë se Komisioni Shtetëror i Pranimit është duke i zhvilluar procedurat e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese.

Sipas tij, grupi punues ndërqeveritar për hartimin e projekt-ligjit për pagat në sektorin publik është duke zhvilluar punimet.

“Së shpejti pritet të zhvillohen takimet edhe me akterët relevantë sindikal të sektorëve që preken nga ky projekt-ligj”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Szunyog gjatë intervistës në Kallxo Përnime kishte përmendur çështjet të cilat duhet t’i realizojë Kosova për reformën në administratën publike që sipas tij janë legjislacioni i ri për pagat e shërbyesve civil, rregulloret e reja dhe vendimet që e bëjnë zbatimin e legjislacionit.

“Ekziston tani një departament i ri në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ka detyrë specifike rekrutimin e shërbyesve civil. Fatkeqësisht ky departament nuk ka funksionuar shumë mirë, prandaj edhe nuk kemi parë rekrutim të duhur të shërbyesve të rinj civil gjatë muajve të fundit por ka edhe një numër çështjesh të tjera një listë tragetesh që nëse nuk plotësohen deri në dhjetor atë herë ne duhet të kthejmë ato para në Bruksel”, tha Szunyog.

Edhe ministria e ka konfirmuar se ky departament tashmë ekziston dhe se janë duke i dhënë kapacitete shtesë për rekrutimin e nëpunësve civil.

“Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme tashmë ekziston Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, së cilës strukturë i janë injektuar edhe kapacitete shtesë për rekrutimin e nëpunësve civilë”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Nikolla tha se BE ka kërkuar synime të reja në mënyrë që Kosova të jetë përfituese e donacionit.

“Kontrata sektoriale për mbështetje buxhetore parasheh ndër tjerash edhe racionalizimin e agjencive, të cilat Ministria e Punëve të Brendshme i ka adresuar me dy projekt-ligje të ndara si dhe harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin përkatës për procedura të përgjithshme administrative – harmonizim ky i cili është adresuar poashtu me projekt-ligj të veçantë”, tha Nikolla.

Gjatë vitit 2020, në Kosovë janë ndërruar dy qeveri. Më tre shkurt 2020 Qeveria Kurti u miratua në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua më 25 maj 2020 nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, më 3 qershor 2020 deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Dhe përfundimisht më 21 dhjetor qeveria Hoti rrëzohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.