Greva në shkolla, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com, shtator 2022

Pas më shumë se një muaji pezullohet greva në administratën publike

Greva e përgjithshme e punëtorëve të administratës publike e cila ka filluar më 25 gusht në Kosovë është pezulluar deri në janar të vitit të ardhshëm.

Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot ka njoftuar se kanë marrë vendim për pezullimin e grevës në të gjithë sektorin publik.

“Si këshill grevist i BSPK-së, i SBASHK-ut, dhe i Sindikatës së Administratës Publike jemi të obliguar të veprojmë sipas vullnetit të shumicës. Qeveria dhe opinioni le ta dinë që greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023”- ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së dhe kryetar i SBASHK-ut.

Jasharaj ka thënë se shumica e shoqatave sindikale kanë votuar pro pezullimit të grevës deri në janar të vitit 2023.

“Nga deklarimi i shoqatave tjera sindikale dhe nga raporti i tyre thuhet se, ‘nga 25 shoqata sindikale 24 janë deklaruar pro pezullimit të grevës’”- ka thënë Jasharaj.

Qytetarët e Kosovës për më shumë së një muaj nuk kanë mundur të marrin disa prej shërbimeve në administratën publike si pasojë e grevës.

Pjesë e grevës të BSPK-së kanë qenë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Institucionet arsimore pritet ta fillojnë mësimin të hënën më 3 tetor pas më shumë se një muaji grevë.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se greva nuk do të ndërpritet, por do të pezullohet.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shfrytëzojë pezullimin e grevës dhe të reflektojë.

“Nga qeveria kërkojmë të takohemi për dialog të sinqertë. Uroj që qeveria ta mbajë fjalën për ligjin e pagave dhe skemave pensionale. Qeveria dhe opinioni le ta dinë që greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janar e vitit 2023”- ka thënë ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) më 25 gusht ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Pezullohet greva deri në janar 2023