Jusuf Azemi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Sindikata e Sektorit Privat: Nënçmuese që 28 nëntori do të jetë pushim veç për sektorin publik

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës njoftoi sot punëtorit e sektorit publik se me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë nuk do të punohet.

Këtë vendim, kjo ministri e kishe nxjerrë duke u bazuar në Ligjin për Festat Zyrtare.

Se bëhet fjalë veç për sektorin publik dhe kjo nuk pritet të vlejë edhe për sektorin privat, e kishte rikonfirmuar edhe njëherë Zyra për Media e Ministrisë, duke thënë se ata nuk mund të marrin vendim për dikë që nuk është në përgjegjësi të institucioneve.

Në lidhje më këtë vendim, ka reaguar Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, e ka quajtur “nënçmues” vendimin e qeverisë, duke shtuar se 28 Nëntori është një festë që u takon punëtorëve të të dy sektorëve.

“Këtë vendim që e paska nxjerrë sot qeveria, faktikisht është një nënçmim i punëtorëve të sektorit privat të Kosovës sepse kryeministri i Kosovës është kryeministër i të gjithëve dhe festa e 28 nëntorit është festë e të gjithëve edhe e atyre të sektorit publik edhe atyre të atij privat” – është shprehur ai derisa këtë vendim e ka konsideruar si të padrejtë për punëtorët e sektorit privat.

“Është nënçmim sepse me këtë del që në një farë forme ne nuk paskemi të drejtë që ta festojmë festën e 28 nëntorit” – tha Azemi për KALLXO.com.

“Në bazë të këtij vendimi, nëse punëtorët e sektorit privat duan ta festojnë festën e 28 nëntorit, në bazë të këtij vendimi ata që nuk shkojnë në punë pronarët e kompanive mund t’i dënojnë dhe realisht ne mund ta kuptojmë që në një farë forme lihet në vullnetin e punëtorëve se a duan të punojnë” – ka thënë kreu i Sindikatës së Sektorit Privat.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe Inspektoratin e Punës por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Inspektorati nuk ka kthyer përgjigje.

Qeveria shpall 28 nëntorin ditë pushimi për administratën publike