Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Me mijëra shërbyes civilë rrezikojnë largimin nga puna

Partia Demokratike e Kosovës(PDK), ka akuzuar Qeverinë Kurti që përmes ligjit për Zyrtarët Publik ka nisur të kapë Administratën Publike dhe të largojë nga puna mijëra zyrtarë civilë që kanë pozita menaxheriale.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda, ka thënë se Projektligji për Zyrtarët Publik të Kosovës, paraqet synimin për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Sipas PDK-së, nëpërmjet projektligjit për Zyrtarët Publik të Kosovës, qeveria po cenon sigurinë juridike të shërbimit civil.

“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar”-ka thënë Gruda.

Sipas tyre, me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre dhe do të zëvendësohen me militantë partiak.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që para se ta miratojë këtë projektligj, të largojë sipas tyre, dispozitat kundër kushtetuese që shkelin detyrimet e Kosovës karshi Bashkimit Evropian të marra përmes MSA-së.

“Po ashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit”-kanë thënë PDK në një konferencë për media.

Po ashtu u tha se qeveria nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e Zyrës së Bashkimit Evropian për këtë projektligj.