Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Qeveria shpall 28 nëntorin ditë pushimi për administratën publike
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se për nder të 28 nëntorit që shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë kjo datë do të jetë ditë pushimi.
“Të nderuar/a nëpunës/e të Administratës Publike të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në Ligjin Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, ju njoftojmë se për nder të Festës së 28 Nëntorit, dita e hënë 28 nëntor 2022, do të jetë ditë pushimi” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës.
Ndërkaq, zyrtari për komunikim nga MPB, Behar Haziraj ka shpjeguar për KALLXO.com se ky vendim vlen për tërë institucionet në Kosovë, por jo edhe për punëtorët e sektorit privat.
“Kur nuk punon administrata e shtetit nuk punon askush…Por ne nuk mund të marrim vendim për dikë që nuk është në përgjegjësi të institucioneve. Institucionet pushojnë me datën 28 (nëntor) nuk punon askush. Me shkolla me krejt…” – është përgjigjur Haziraj.
“Ne i marrim vendim vetëm për ato që i kemi në administrim. Ndonjë ambasadë aty këtu në baza vullnetarë mund të punojë por të paktën ajo mund të ofrojë shërbim por nuk mund të marrë (shërbim) prej neve” – ka vijuar ai.