Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Miratohet Ligji për Zyrtarët Publikë

Ligji për Zyrtarët Publik është miratuar në parim sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Nga 62 vota gjithsej, 61 vota ishin për dhe 1 abstenim.

Opozita nuk e ka mbështetur këtë ligj, për shkak të shumë mospajtimeve që kanë lidhur me dispozitat e këtij ligji.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar sot në Kuvend Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Ai tha se ky projektligj është pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të kësaj shoqërie.

Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tregoi se kjo parti nuk e përkrah dhe nuk do ta votojë Projektligjin për Zyrtarët Publikë në formën që është.

Ai renditi disa arsye se pse ky projektligj është përpjekje e Qeverisë për të degraduar administratën shtetërore dhe komunale, me theks shërbimin civil.

Sipas Veliut ky projektligj është antikushtetues sepse cenon rëndë të drejtën e punësimit si një prej të drejtave kryesore të njeriut dhe për shkak të përpjekjes së qeverisë për të përvetësuar kompetencën e komunave për të rekrutuar stafin e tyre.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që mos të votohet Projektligji për Zyrtarët Publikë.

Ai me përgjegjësinë më të madhe tha se ky ligj nuk është ligji për zyrtarët publikë por, është ligji i kapjes së administratës shtetërore.

“Ka me godit në thelb funksionimin meritokrsatik të ngritjes në karrierë” – shtoi ai.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se me Projektligjin për Zyrtarët publikë po shihen qartë shkeljet e mëdha, pretendimet e mëdha që kjo qeveri sipas tij po tenton t`i instaloj në administratën publike.

Sipas Lushtakut kapja praktike e administratës publike nga një parti që ka kritiku partitë e tjera për kapje të administratës, “po bjen vetë aty ku ka kritiku më së shumti”.

Lushtaku tha se si grup parlamentar shprehin shqetësimet e tyre dhe do të kundërshtojnë që ky projektligj të kaloj në këtë seancë.