Kosova në proces të lehtësimit të kritereve për fitimin e shtetësisë

Mbi tre mijë veta kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2023. Ndërkohë, Qeveria është aktivizuar në krijimin e lehtësirave për fitimin e shtetësisë kosovare duke e proceduar në Kuvend Projektligjin e ri për shtetësinë. Nëse deputetët e miratojnë versionin e tashëm të këtij projektligji, atëherë çdo fëmijë lind shtetas i Republikës së Kosovës, nëse në momentin e lindjes të paktën njërin prind e ka shtetas kosovar.

Në një krahasim që KALLXO.com ka bërë mes Ligjit për shtetësinë që është në fuqi dhe Projektligjit që tashmë ka kaluar në fazat e shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse parlamentare, vërehet qartazi se në këtë të fundit ka më pak kushtëzime për fitimin e shtetësisë së Kosovës.

Derisa me Nenin 6 të ligjit në fuqi për “fitimin e shtetësisë me lindje në bazë të origjinës”, përcaktohet që një fëmijë mund të fitojë shtetësinë vetëm nëse në kohën e lindjes të dy prindërit janë shtetas të Kosovës, me projektligj parashihet që një fëmijë mund të fitojë shtetësinë edhe nëse lind në një shtet tjetër por që të paktën njërin prind e ka kosovar.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha njëherësh kryetar i Komisionit për Siguri, bën të ditur për KALLXO.com se tashmë brenda komisionit është krijuar grup punuesi që e trajton projektligjin për shtetësinë.

Deri tani, për aq sa ai është në dijeni, nuk ka pasur ndonjë vërejtje që vlen për t’u theksuar në përmbajtjen e këtij projektligji.

“Nuk kam informatë që ka pas ndonjë kundërshtim të theksuar”- thotë Berisha.

Edhe deputeti nga Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci, i cili është emëruar si kryesues i Grupit Punues për Projektligjin për shtetësisë, thekson për KALLXO.com se ky dokument parasheh lehtësira për fitimin e shtetësisë, por nuk parapëlqen të jap më shumë hollësi për këtë çështje.

“Do të ketë lehtësira dhe disa gjëra tjera që i ka propozuar ministri. Së shpejti do të mbajmë dëgjim publik dhe do i thërrasim palët e interesit”- paralajmëron Bajçinovci.

Me projektligj parashihet që fëmijës t’i takojë e drejta për t’u regjistruar si shtetas i  Kosovës, nëse dëshmon se në momentin e lindjes, të paktën njëri prind ka pasur dokument të statusit të banorit të përhershëm të fituar në bazë të origjinës.

Ndërkaq me ligjin në fuqi, nëse në kohën e lindjes së fëmijës vetëm njëri prind e ka shtetësinë e Kosovës, fëmija e fiton shtetësinë sapo të lindet, vetëm këto tri raste: nëse fëmija është i lindur në Kosovë; nëse fëmija është i lindur jashtë Kosovës dhe prindi tjetër është me shtetësi të panjohur ose pa shtetësi; dhe nëse fëmija është i lindur jashtë Kosovës dhe prindi tjetër ka shtetësi tjetër, por të dy prindërit pajtohen me shkrim që fëmija të fitojë shtetësinë e Kosovës.

Në rastin kur fëmija lind jashtë shtetit, Projektligji parasheh që nëse njëri prej prindërve ka shtetësi të ndryshme nga ajo e Kosovës, atëherë të dy prindërit duhet të pajtohen me shkrim që fëmija të fitojë shtetësinë e Kosovës. Për fëmijët nga mosha 14 deri 18 vjeçare është i obligueshëm pëlqimi i fëmijës. Pavarësisht mungesës së pëlqimit të prindërve fëmija fiton shtetësinë kosovare vetëm në rast se rrezikon të mbetet pa shtetësi.

Sipas projektligjit, fëmijët e lindur jashtë vendit të drejtën për t’u regjistruar si shtetas të Kosovës mund ta ushtrojnë deri në moshën 18 vjeçare. Përjashtimisht, nga kjo dispozitë, kjo e drejtë mund të ushtrohet deri në moshën 23 vjeçare në qoftë se personi rrezikon të mbes pa shtetësi. Këto dy pika nuk përcaktohen fare në ligjin që është në fuqi.

Sidoqoftë, përjashtim nga kjo dispozitë, apo nuk gjen zbatim për fëmijët të cilët kanë lindur para se prindërit të kenë shtetësinë e Kosovës ose statusin e banorit të përhershëm.

Përkundër që në ligj nuk ekziston fare ky nen, në projektligj parashihet që rregullat dhe procedurat për nenin 6 të përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga ministri i Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, vërehen ndryshime edhe në mes dy neneve 7 për fitimin e shtetësisë me lindje në territorin e Kosovës.

Pika e parë nuk ka ndryshuar fare pasi në të dy versionet përcaktohet që fëmija i lindur ose i gjetur në territorin e Kosovës, prindërit e të cilit janë të panjohur ose pa shtetësi, e fiton shtetësinë e Kosovës me rastin e lindjes, përkatësisht gjetjes.

Por, ajo çfarë ka ndryshuar është pika e dytë e cila lidhet direkt me të parën.

Në ligjin në fuqi thuhet që nëse të paktën njëri prind i fëmijës identifikohet para se fëmija të ketë mbushur moshën 7 vjeçare dhe prindi nuk është shtetas i Kosovës, por me kërkesë të tij fëmija mund ta humbas shtetësinë kosovare me kusht që fëmija pas humbjes së shtetësisë së Kosovës do të ketë një shtetësi tjetër.

Kjo gjë ndryshohet me projektligj, pasi që mosha e fëmijës parashihet të jetë jo 7 vjeçare por deri në 14 vjeçare.

Kurse pika e tretë e këtij projektligji dhe ligjit parasheh që një fëmijë i lindur brenda Kosovës, prindërit e të cilit kanë shtetësi tjetër por kanë leje qëndrimi të përhershëm mund të marrë shtetësinë kosovare vetëm me pëlqimin e prindërve në rast se fëmija rrezikon të mbes pa shtetësi.

Një pikë shtesë në projektligj është që procedura e zbatimit të këtij neni, përcaktohet me akt nënligjor të nxjerrë nga ministri i Ministrisë për Punë të Brendshme.

Gjatë vitit 2023 më shumë persona janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës, se sa që e kanë fituar shtetësinë kosovare.

Këto të dhëna i ka vënë në pah një raport vjetor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën kohore janar-dhjetor 2023.

Nga 3 mijë e 108 kërkesa për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, 3,098 personave iu është aprovuar kërkesa e tyre. Ndërkaq, nga 1,259 kërkesa për fitim të shtetësisë së Kosovës, 708 prej tyre e kanë fituar.

Sipas raportit të vitit 2023, në Divizionin e Shtetësisë kanë aplikuar 3,108 persona për lirim nga shtetësia dhe janë marrë 3,143 vendime, prej tyre 98.6% vendime pozitive, 1.4 % vendime negative.