Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vitin e kaluar më shumë qytetarë janë liruar nga shtetësia kosovare, se sa që kanë fituar
Gjatë vitit të kaluar më shumë persona janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës se sa që e kanë fituar shtetësinë kosovare.
Këto të dhëna i ka vënë në pah një raport vjetor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën kohore janar-dhjetor 2023.
Nga 3 mijë e 108 kërkesa për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, 3,098 personave iu është aprovuar kërkesa e tyre. Ndërkaq, nga 1,259 kërkesa për fitim të shtetësisë së Kosovës, 708 prej tyre e kanë fituar.
Sipas raportit të vitit 2023, në Divizionin e Shtetësisë kanë aplikuar 3,108 persona për lirim nga shtetësia dhe janë marrë 3,143 vendime, prej tyre 98.6% vendime pozitive, 1.4 % vendime negative.
Kërkesa për humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës parashtrohet personalisht në zyrën gjendjes civile apo në misionin diplomatik apo konsullor të Republikës së Kosovës.
Më së shumti kërkesa për lirim nga shtetësia kosovare janë bërë në Gjermani ku nga 2,487 kërkesa, 2, 507 prej tyre janë aprovuar; në Austri 413 nga 432 kërkesa; në Slloveni nga 96 nga 100 kërkesa; në Mal të Zi, 25 nga 27; në Kroaci 16 nga 18; dhe 41 nga 44 të tjera.
Në anën tjetër, dukshëm është numër më i vogël i kërkesave për fitim të shtetësisë kosovare.
Poashtu gjatë kësaj periudhe, sipas raportit kanë aplikuar 1,259 persona për fitim të shtetësisë dhe janë marr 1,453 vendime; 48.7% vendime pozitive dhe 51.3% vendime negative.
Nga 1,259 kërkesa, 708 prej tyre kanë fituar të drejtën e shtetësisë kosovare.
Më së shumti në numër prijnë shtetasit e Serbisë të cilët nga 264 kërkesa 202 prej tyre kanë fituar shtetësinë e Kosovës; 11 shtetas të Turqisë nga 199 kërkesa; 120 shtetas nga Gjermania nga 159 kërkesa; 80 nga 99 nga Maqedonia e Veriut; 46 nga 92 kërkesa nga shtetësia shqiptare, dhe 249 nga 446 të tjera .