Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së. I Foto: KALLXO.com

Interpretimi ligjor që eliminoi Blerand Stavilecin nga gara për drejtor të KEK-ut

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike. Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjedhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrje publike.

Ky është interpretimi që ka dhënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM) për kandidatët për Drejtor Menaxhues të KEK-ut që kanë pasur të kaluar politike pas kërkesës për interpretim ligjor që ka bërë Bordi i KEK-ut me datën 12 shtator.

Ky interpretim ishte kërkuar për të qartësuar kandidaturën e Blerand Stavilecit, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, tash pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit, Kadri Veselit dhe kandidat i PDK-së për asamblenë komunale të Prishtinës në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

Njëri nga kandidatët për Drejtor Menaxhues në KEK është edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e PDK-së, Blerand Stavileci i cili postin e ministrit e ka mbajtur që nga viti dhjetori i vitit 2014 deri në muajin shtator të vitit 2017.

Dhe sipas opinionit ligjor të ZKM-së dhe MZhE-së, ende nuk kanë kaluar 36 muaj që kur Stavileci ka qenë i emëruar politik si ministër.

“Përzgjedhja e personave për emërim si zyrtarë të NP-së, duhet kryer me procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës, duke siguruar që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë persona me integritet të njohur dhe të plotësojnë kushtet e kualifikimit”, vazhdon opinioni ligjor.

Konkursi i tretë për të zgjedhur Drejtorin Menaxhues të KEK është hapur më 9 gusht dhe ka qenë i hapur deri më 10 shtator 2018.

Në garën për drejtor menaxhues në Korporatën Energjike të Kosovës kanë aplikuar 15 kandidatë, ndër ta edhe njerëz politikë.

Blerand Stavileci, shef i kabinetit të Kadri Veselit dhe Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, i cili tashmë është zgjedhur Drejtor Menaxhues në KEK kanë qenë dy nga 15 kandidatët për këtë pozitë. Stavileci ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik, ndërsa aktualisht është asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e PDK-së.

Ky konkurs është zhvilluar me asistencën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë dhe është monituruar nga BIRN-i. është duke bërë monitorimin e këtij procesi të rekrutimit.

Gjatë fazës së intervistimit, komisionit i formuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut dhe komisioni i partnerit të Ambasadës bëjnë vlerësime të ndara për secilin kandidatë. Pas përfundimit të dy fazave, Bordi i KEK-ut ka marr vendim për të emëruar Njazi Thaçin në pozitën e Drejtorit Menaxhues. Thaçi ishte poentuar më së shumti nga dy komisionet: komisioni i përberë nga bordi i KEK-ut dhe ai i përberë nga dy përfaqësues të partnerit të Ambasadës Britanike. Përkundër që Thaçi ishte i pari për nga poentimi, partneret e Ambasadës Britanike e kanë poentuar shumë më pak krahasuar me komisionin vendor.

Historia e Konkursit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se do të kujdeset që rekomandimet e partnerëve britanik të zbatohen dhe nëpër pozita të larta të emërohen persona më meritor.

Për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues me 5 prill.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.

Ato kanë kërkuar që fillimisht t’u ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

“BD të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.

Konkursi i shpallur me 6 prill 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës është anuluar me vendim të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut me 23 maj 2018.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deriatëhershëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Njazi Thaçi, kushëriri i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është emëruar u.d. Drejtor Menaxhues në KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës  ka rishpallur përsëri me 1 qershor konkursin për pozitat Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës. Ky konkurs përsëri u anulua.

https://kallxo.com/kusheriri-i-presidentit-hashim-thaci-ne-krye-te-kek-ut/