Kushëriri i presidentit, u.d. i Drejtorit Menaxhues në KEK

Njazi Thaçi, kushëriri i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është emëruar u.d në KEK pas dorëheqjes së Arben Gjukajt.

“Në këtë pozitë, bazuar në skemën organizative në fuqi, u.d është emruar Njazi Thaçi”, thuhet në përgjigjen e Faruk Hajrizit, Drejtorit të Bordit të KEK.

Dje ne mbledhjen e rregullt të Bordit është pranuar dorëheqja me shkrim nga Drejtori Menaxhues i deritanishëm, Arben Gjukaj.

“Bordi i Drejtorëve ka aprovuar kërkesën e tij dhe njëherësh ka falënderuar z. Gjukaj për punën 10 vjeçare dhe kontributin e tij dhënë në korporatë gjatë kësaj periudhe duke i dëshiruar suksese në detyrat e reja brenda korporates”, thuhet në përgjigjen e Hajrizit.

Ndryshe, KEK ka shpallur konkurs më 4 dhe 6 prill të vitit 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Pas shpalljes së konkursit nga KEK, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.

Ky konkurs është shpallur pa u shkarkuar personat që janë duke ushtruar funksionet në këto pozita. Kjo është potencuar edhe në opinionin e MZhE-së. Në opinion thuhej se fillimisht duhet t’i ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

“BD të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.

Por në përgjigjen e Faruk Hajrizit, kryesues i Bordit të KEK-ut thuhej se në këtë rast Bordi ka vepruar konform opinionit zyrtar të Zyrës Ligjore të KEK-ut.

“Bordi për këtë çështje vepron në pajtueshmëri me ketë Opinion, sepse zyra ligjore është përgjegjëse për ligjshmërinë në Korporatë, dhe  ashtu siç u cek edhe më lartë Zyrtarët e Lartë kanë të drejtat e plota për t’i hyrë garës për këto pozita”, vazhdon përgjigja e Faruk Hajrizit për KALLXO.com.

Kurse, më 24 dhe 28 maj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka anuluar konkursin për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Njazi Thaçi ishte punësuar në KEK më 2006, kur ministër i Energjisë dhe Minierave dhe kryetar i Bordit të KEK-ut ishte Ethem Çeku i AAK-së.

Pas katër vjet udhëheqjeje të tenderëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vitin 2011, shefi i Prokurimit, Njazi Thaçi, është avancuar në pozitën e drejtorit operativ.

Njazi Thaçi është akuzuar nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Ai akuzohej për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Në janar të vitit 2017, prokurori Paul Flyn është tërhequr nga akuza ndaj të gjithë të pandehurve në rastin gjyqësor ndaj Njazi Thaçit dhe të tjerëve.

Njazi Thaçi, u.d. Drejtor Menaxhues në KEK, Foto: Facebook