MZhE kërkon nga Bordi i KEK-ut ta rishqyrtojë konkursin për kryeshef

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.

Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NjPMNP) në MZhE ka kërkuar rishqyrtimin e konkursit pasi ka pranuar ankesë për këtë gjë nga Arben Gjukaj, drejtor menaxhues në KEK dhe Salih Bytyqi, drejtor financiar në KEK.

“Jemi të obliguar të kërkojmë rishikimin e vendimit me nr.2628 të datës 04.04.2018 dhe tërë situatës së krijuar, duke rekomanduar se të gjitha veprimet  dhe vendimet e Bordit të Drejtorëve të NP-ve duhet të jenë në harmoni me ligjin e veçantë që rregullon Ndërmarrjet Publike përjashtimisht edhe me ligjet tjera kur çështjet e caktuara nuk mund të rregullohen me këtë ligj”, thuhet në opinionin e e MZhE-së.

Ato thonë se fillimisht duhet t’i ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

“BD të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.

Kurse, Faruk Hajrizi, kryesues i Bordit të KEK-ut ka thënë për KALLXO.com se vendimi për shpalljen e konkursit për katër pozitat zyrtare (që i raportojnë bordit) është bazuar në kompetencat që bordi ka sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

“Prandaj, si kryeshefi ekzekutiv po ashtu edhe tre zyrtarët tjerë janë duke ushtruar detyrat e veta me kompetencë të plotë dhe kanë të drejtën e konkurrimit për pozitat e shpallura si çdo kandidat tjetër. Në këtë drejtim, Bordi i drejtorëve si përfaqësues i aksionarit të vetëm (qeverisë) ka përgjegjësinë për zbatimin e ligjeve në fuqi dhe për performancën e mire të KEK”, ka thënë ai për GazetenJnK përmes zëdhënësit të KEK-ut.

Sipas Hajrizit përmes këtij konkursi po tentohet të kthehet ligjshmëria duke iu referuar parregullsive ligjore qofshin ato në kontrata apo në ushtrimin e funksionit në pozitat e shpallura me konkurs.

“Bordi (në pajtueshmëri të plotë) është i përkushtuar që çdo parregullsi ligjore të kthej në ligjshmëri (qofshin ato në kontrata apo në ushtrimin e funksionit) dhe është i përkushtuar  për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike. Prandaj, vendimi për shpalljen e konkursit për pozitat e lart cekura është marrë mbi këtë bazë dhe ka për qëllim që për pozitat e lartcekura të korporatës të ofrojë mundësinë e  konkurrencës për të gjithë kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret profesionale të kërkuara në konkurs”, thuhet në përgjigjen e Hajrizit për KALLXO.com.

Më tej Hajrizi ka njoftuar se zyrtarëve të lartë të kompanisë çdo vit u është ri-nënshkruar kontrata, kurse këtë vit në mënyrë që të zbatohet Ligji për Ndërmarrjet Publike, kanë hapur konkursin për një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës.

Shkarkimi pastaj Konkursi

Ky konkurs është shpallur pa u shkarkuar personat që janë duke ushtruar funksionet në këto pozita. Kjo është potencuar edhe në opinionin e MZhE-së.

Por në përgjigjen e Faruk Hajrizit, kryesues i Bordit të KEK-ut thuhet se në këtë rast Bordi ka vepruar konform opinionit zyrtar të Zyrës Ligjore të KEK-ut.

“Bordi për këtë çështje vepron në pajtueshmëri me ketë Opinion, sepse zyra ligjore është përgjegjëse për ligjshmërinë në Korporatë, dhe  ashtu siç u cek edhe më lartë Zyrtarët e Lartë kanë të drejtat e plota për t’i hyrë garës për këto pozita”, vazhdon përgjigja e Faruk Hajrizit për KALLXO.com.

Bordi i Drejtorëve emërohet nga aksionari me qëllim të ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të bazuara në legjislacionin aktual në ushtrimin e veprimtarisë së NP, ka të drejtën legjitime në mbikëqyrje të vazhdueshme  në veçanti të veprimtarisë së zyrtarëve të NP-së. Duhet theksuar se emërimin, shkarkimin dhe ndryshimin e marrëveshjeve kontraktuale është e drejtë e Bordit të Drejtorëve.

E drejta ligjore për BD qëndron edhe në mundësinë që në çdo kohë dhe me shumicë votash ta ndërpresë kontratën e tyre me ose pa deklarimin e arsyes, po ashtu edhe marrja e vendimeve është kompetencë bazuar në ligjin për shoqëritë tregtare që do të thotë se Bordit i Drejtorëve ka kompetencë në marrjen e vendimeve mbi të gjitha çështjet përveç vendimeve të cilat u janë rezervuar aksionarëve me ligj ose me statutin e shoqërisë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik bazuar në kompetencat e përcaktuara në Rregulloren Nr.02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Shtojca 18, monitoron ndërmarrjet publike qendrore dhe duke pasur konsideratë rregullimin e çështjeve përmes dispozitave të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore që rregullojnë fushë-veprimtarinë e ndërmarrjeve publike.

Faruk Hajrizi, kryesues i Bordit të KEK-ut ka thënë për KALLXO.com se e kanë marrë opinionin nga MZhE-ja, dhe se në mbledhjen e radhës gjithsesi do të trajtohet.

‘Kufizimi’ i konkurrimit

Sipas konkursit për drejtorin menaxhues të KEK- ut “kandidati duhet të ketë diplomë universitare në lëminë e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë apo juridik. Kandidati duhet të njohë mirë gjuhën shqipe, gjuhën angleze dhe serbe, qoftë njërën apo më shumë prej tyre”.

Po ashtu, kandidati duhet të ketë se paku 5 vjet përvojë pune, duke përfshirë edhe përvojë pune të suksesshme në poste të larta drejtuese.

Në aplikacionin për pozitat e shpallura në konkursin e KEK-ut kandidatët janë pyetur nëse ata kanë probleme me Gjykatën.

“A keni qënë ndonjëherë të arrestuar, i akuzuar apo i gjykuar nga ndonjë gjykatë si i pandehur në ndonjë çeshtje gjygjësore, apo i fajësuar ose i burgosur për shkelje të ndonjë ligji (Duke përjashtuar Kundervajtjet)?”, shkruhet në pyetjen e 10 të aplikacionit për punë në KEK.

Por në Ligjin për Ndërmarrjet Publike në nenin 17, te Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale thuhet se një person ka të drejtë të ushtroj funksionin e drejtorit nëse nuk është dënuar nga ndonjë gjykatë përveçse nëse ky vendim është ndryshuar nga gjykatë tjetër.

“Nuk është dënuar ose vendosur nga një gjykatë kompetente, përveç nëse ky dënim ose vendim më pas është ndryshuar nga një gjykatë tjetër në bazë të ankesës, se ka kryer vepër penale ose civile vepër penale apo civile që përfshin përgënjeshtrimin, prezantimin e rrejshëm, korrupsionin, vjedhje, pastrimin e parave, përvetësimin, keqpërdorimin apo ndarjen e rrejshme të fondeve, ka qenë i përfshirë në mitosje apo ryshfet sipas ligjeve apo rregulloreve ne fuqi në Kosovë apo ndonjë vend tjetër, apo sipas traktateve ose konventave ndërkombëtare”, thuhet në nenin 17, të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ende nuk është shkarkuar nga detyra. Kundër Prokuroria ka të ngritur aktakuzë në janar të vitit 2015, për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, për tenderin 6 milionësh të KEK-ut nga një prokuror i EULEX-it. Hetimet për keqpërdorimet në tenderin 6 milionësh kishin filluar më 5 tetor 2012 nga prokurori i EULEX-it, Cezary Michalczuk. Në këtë rast gjyqësor së bashku me Arben Gjukajn, akuzohen edhe Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim. Për këtë rast ende nuk ka vendim të gjykatës.

Konkursi për katër pozitat zyrtare që i raportojnë Bordit të KEK-ut është i hapur deri më 7 maj.